SITUATAT

Si e humbisni respektin e nxënësve?

Për një nxënës, figura e mësuesit është aq e rëndësishme sa që vjen një moment kur ajo kthehet në jetike. Çdo gjë që ndodh në shkollë ngulitet thellë në jetën e tyre. Ndaj duhet treguar kujdes që të fitoni mbi të gjitha respektin e nxënësve.

Për një nxënës, figura e mësuesit është aq e rëndësishme sa që vjen një moment kur ajo kthehet në jetike. Një pjesë të madhe të kohës nxënësit e kalojnë në shkollë dhe, çdo gjë që ndodh aty, padyshim, është ngulitur thellë në jetën e tyre, në memorien e tyre.


Pra, gjithçka fillon nga ai person që qëndron para tyre çdo ditë, nga mësuesi i tyre. Shembulli që ai ju jep nxënësve është ajo që ata mundohen ta huazojnë apo imitojnë, për ta ndjerë veten të sigurt në momentin që do të dalin në jetë. Për këtë arsye, figura e mësuesit është gjithmonë, jo vetëm në qendër të vëmendjes, por edhe në imazhin që krijojmë për mësuesin ideal.


Pjesë e ideales është sjellja e tij. Në vend të të bërtiturave dhe shprehjeve të përditshme, për nxënësit do të ishte diçka më e bukur nëse mësuesit do të ishin mbështetësit e tyre.


Në moshën e adoleshencës fëmijët kalojnë nëpër momente të ndryshme euforie e depresioni dhe, në këto çaste, e vetmja për të cilën ata kanë nevojë është që të dinë se kanë dikë pranë. Mësuesit janë ata që kanë rastin dhe duhet të dinë ta bëjnë këtë, më mirë se askush tjetër. Për shkak të ndjeshmërisë së lartë dhe lidhjeve të forta, jo gjithmonë marrëdhëniet mes fëmijëve dhe prindërve shkojnë ashtu siç do duhej të shkonin dhe, kur kjo ndodh, adoleshentët largohen nga prindërit dhe mundohen të gjejnë përkrahje nga dikush tjetër. Duke qenë se kohën më të madhe e kalojnë në shkollë, mësuesit bëhen shembulli ynë dhe pika e referimit për idetë dhe veprimet tona.


Kështu, figura e mësuesit bëhet tejet e rëndësishme në procesin e edukimit dhe të formimit të adoleshentëve...

Ndaj duhet të tregoni më tepër vëmendje që të fitoni respektin e tyre. 

Por më parë duhet të kuptoni se si mund  ta humbisni atë:


1. Zhvendosja e përgjegjësisë

Sa herë që dërgoni një nxënës te zyra e drejtorit (apo kërcënoni ta bëni), ju e transferoni përgjegjësinë që ju është dhënë te një person tjetër. Pra, hiqni dorë nga përgjegjësia për nxënësin që ju është besuar. Si pasojë, ju do të keni një influencë më të dobët te fëmija.


2. Kërcënimi

Kërcënimi vendos një çmim për mosbindjen. Nëse kërkohet që nxënësit ta paguajnë këtë çmim, atëherë ata nuk binden. Kështu që, i paracaktuar për të rrënjosur frikë, kërcënimi dështon për t’u kthyer mendjen nxënësve të sillen ndryshe. Atëherë, ai që kërcënon ka telashe. Sepse, nëse kërcënimi nuk realizohet, autoriteti dobësohet. Nëse e realizoni kërcënimin, atëherë jeni i humbur.


3. Mungesa e konsekuencës

Një mësues nuk është konsekuent nëse dënon një nxënës për një shkelje dhe nuk dënon nxënësin tjetër për të njëjtën shkelje. Mungesa e konsekuencës gjithmonë është e shoqëruar me padrejtësinë dhe pavendosmërinë.


4. Shfaqja e temperamentit

Mësuesi, i cili i lejon emocionet e tij të shfaqen sa herë që gjërat nuk ecin mire, ka rrezik të humbasë respektin e nxënësve. Nxënësit kanë pak respekt për mësuesin që “s’di ç’bën” ose është i paparashikueshëm.


5. Nënvleftësimi

Të nënvlerësosh një fëmijë, punën, shokët, qëllimet e tij/saj – kaq mjafton për t’u zvogëluar në sytë e fëmijës. Nënvleftësimi mund të marrë shumë forma – më e keqja prej tyre është të dënosh nxënësin në sytë e shokëve të tij/saj.



(Përshtati Kaltra Tafani, Portali Shkollor) 

6,826 Lexime
4 vjet më parë