HIMNI SHQIPTAR

Si lindi Himni i Flamurit ose Himni ynë Kombëtar?

Askush në ato çaste historike për Shqipërinë nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. 

Në punimin e tij "Himni Kombëtar - Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij" Lasgush Poradeci bëhet edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Askush në ato çaste historike për Shqipërinë nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. 


Përgatitësit e korit të kolonisë shqiptare zgjodhën dhe pajtuan si profesor dhe drejtor të korit muzikantin më të madh rumun, të bujshmin Kiriak, profesor në konservatorin e muzikës dhe të artit dramatik të Bukureshtit. Mbledhja e parë që profesori Kiriak bëri për formimin e korit shqiptar ishte në Sala Transilvania, më 1907. Aty ai i ndau pjesëtarët në soprano, tenor, bas etj. ... dhe në një pushim, plot gaz dhe kënaqësi ..., ai i thotë Asdrenit, i cili ndodhej midis këngëtarëve dhe ishte i dëgjuar si vjershëtor kombëtar: "Ti je poet, bëj një strofë shqip që ta harmonizoj për korin dhe ta këndojmë". Pa mbaruar fare këto fjalë mjeshtri i madh, gjithë anëtarët e korit buçitën me një zë në mes të entuziazmit: "Rroftë Asdreni! Rroftë Asdreni!", "Asdren! Asdren!", "Marshin Asdren!", "Marshin shqip! Marshin shqiptar!".


Veterani Asdren nuk qiti zë atëherë, sipas zakonit të natyrës së thjeshtë që ka, por pas disa ditëve, në mbledhjen e dytë ose të tretë, u paraqit me himnin e bërë shqip gati nën titullin "Rreth flamurit të përbashkuar". Nuk përshkruhet dot hovi i zjarrshëm i zemrave, me të cilin u prit ky lajm i bukur i përgatitjes së himnit. Pa e mbaruar së recituari Asdreni, një anëtar i rrëmbyer ia hoqi vjershën me padurim nga duart, e vuri shpejt mbi një trekëmbësh në mes të sallës, dhe së bashku me koristët e tjerë dhe me profesorin Jonesku në orgë, e ekzekutuan himnin ...Aq i përshtateshin ato fjalë çështjes së luftës për liri, sa ajo këngë e re u flakërua me të shpejtë si rrufeja nëpër popull ... Himni, duke filluar nga Korça u përhap pas fare pak kohe nëpër gjithë Shqipërinë. 


Kur u bë Himni ynë i Flamurit, kujt mund t'i shkonte ndërmend se do të krijohej dhe aq shpejt Shqipëria, kush besonte se në atë kohë, kur Perandoria Otomane ishte edhe e fortë, ky himn do të zinte vendin e një himni kombëtar! 



Me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçëm që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit. Dhe, nëse himni u përhap në tërë Shqipërinë, duke zotëruar zemrat e shqiptarëve, kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shenjtëroi, duke e dashuruar me zemër gjer në therrori. ... U bë Shqipëria! Po, u bë duke vuajtur me buzëqeshje, duke u kurajuar me këngën e jetës dhe të vdekjes nër dhëmbë: me Himnin e saj Kombëtar Shqiptar. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e Lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë! ...



Përgatiti: Muhamet Cenko


Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


1,530 Lexime
1 vit më parë