SHËNDETI MENDOR I FËMIJËS

Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre gjatë këtij viti shkollor?

Prindërit kanë ngritur pikëpyetje rreth këtij viti shkollor. UNICEF i ka dhënë përgjigje shumë pyetjeve, përmes së cilave prindërit do ta kenë më të lehtë komunikimin me fëmijët e tyre.

Përhapja e koronavirusit ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në jetën e përditshme dhe fëmijët i përjetojnë këto ndryshime. Për disa kthimi në shkollë do të jetë tërheqës, ndërsa për disa të tjerë është një lajm shqetësues, pasi ndihen të frikësuar nga situata. Ju sjellim disa këshilla rreth mënyrave si fëmijët lundrojnë nëpër emocione të bukura dhe të ndërlikuara gjatë kohës që kthehen në shkollë. 



Fëmija im ka frikë të kthehet në shkollë. Si mund ta ndihmoj atë të ndihet i qetë? 


Fillimi i shkollës ose fillimi i një viti të ri shkollor mund të jetë stresues  për një fëmijë. Në këtë situatë bëhet akoma më shumë stresuese. Ju mund ta qetësoni atë duke zhvilluar një bisedë të hapur, duke i lënë të kuptojë që është krejt normale kjo gjendje që e shoqëron. 


Fëmijët mund të ndjehen nervozë ose nuk kanë dëshirë të kthehen në shkollë, veçanërisht nëse kanë muaj që mësojnë në shtëpi. Fëmijët gjithashtu mund ta kenë të vështirë të distancohen fizikisht nga miqtë dhe mësuesit gjatë shkollës, ndaj ju mund t'i inkurajoni të gjejnë mënyra të tjera për të qëndruar të lidhur.


Sigurohuni që fëmijët janë edukuar për të mbajtur maska, në mënyrë që të jenë sa më të shëndetshëm. Jepuni fëmijëve vetëm pozitivitet. Ata do të kenë mundësi të shohin çdo ditë shokët e tyre, ndaj duhet të gëzohen. 



Shkolla e fëmijës po rekomandon veshjet mbrojtëse, gjë që po e bën fëmijën tim të ndihet më nervoz. Çfarë duhet t'i them atij/asaj?


Afrohuni kësaj bisede me empati, duke thënë se ju e dini që ajo/ai po ndjehet i/e shqetësuar për koronavirusin, por që është e shëndetshme të flasim për shqetësimet dhe emocionet tona. Fëmijët mund të irritohen nga mbajtja e maskës, veçanërisht kur vrapojnë ose luajnë. Të gjithë duhet t’i respektojmë rregullat në mënyrë që askush mos të cënohet. 



Si mund ta inkurajoj fëmijën tim që të ndjekë masat paraprake (siç është larja e shpeshtë e duarve, distanca fizike, etj.), pa e alarmuar atë?


Një nga mënyrat më të mira për t'i mbajtur fëmijët të sigurt nga COVID-19 dhe sëmundje të tjera është inkurajimi i larjes së rregullt të duarve. Nuk ka nevojë të jetë një bisedë e frikshme. Këndoni së bashku me këngën e tyre të preferuar ose bëni një vallëzim së bashku. Mikrobet megjithëse të padukshme janë shumë të dëmshme. Kur fëmijët e kuptojnë pse duhet të lajnë duart, ka shumë të ngjarë që ata të vazhdojnë ta bëjnë këtë rregullisht, pa ua kërkuar. 



Fëmija im nuk është pjesë e të njëjtit grup me miqtë e tij të ngushtë që kthehen në shkollë dhe ndjehet i vetmuar. Si mund të ndihet më i lidhur me klasën dhe miqtë e tij?


Fëmijët tuaj duhet të dinë që shkollat mund të mbyllen sërish. Pra, duhet të jenë të përgatitur për çdo skenar. Të mësuarit është një proces që mund të ndodhë kudo, si në shkollë edhe në shtëpi. Ndaj, sigurojini atyre që kontaktet me shokët t’i mbajnë përmes telefonave, rrjeteve sociale, etj. Ju mund t'i inkurajoni fëmijët të përfitojnë nga video lojërat në internet që kërkojnë lëvizje fizike, por pa e tepruar. 



Si mund ta kontrolloj qetësisht fëmijën pa u vënë re dhe pa e bezdisur?  


Është e rëndësishme të jesh i qetë dhe aktiv në bisedat tuaja me fëmijët. Emocionet e tyre do të ndryshojnë rregullisht. Qoftë në shkollë apo në shtëpi, kujdestarët mund të angazhojnë fëmijët në aktivitete krijuese, në mënyrë që ata të shprehin dhe komunikojnë çdo ndjenjë negative që mund të përjetojnë në një mjedis të sigurt dhe mbështetës. Kjo i ndihmon fëmijët të gjejnë mënyra pozitive për të shprehur ndjenja të vështira siç janë zemërimi, frika ose trishtimi.


Meqenëse fëmijët shpesh marrin shenjat e tyre emocionale nga të rriturit, përfshirë prindërit dhe mësuesit, është e rëndësishme që të rriturit të menaxhojnë mirë emocionet e tyre dhe të qëndrojnë të qetë, të dëgjojnë shqetësimet e fëmijëve dhe të flasin me mirësi. 



A ka ndonjë gjë specifike për të cilën duhet të kujdesem në ditët e para të shkollës?


Përveç kontrollit të shëndetit fizik të fëmijës suaj, duhet të keni kujdes edhe për shenjat e stresit dhe ankthit. COVID-19 mund të ndikojë në shëndetin mendor të fëmijës suaj. Kur jeni në dyshim, empatia dhe mbështetja janë format e duhura. 


Prej disa keqinformimeve shumë njerëz stigmatizojnë njerëzit e prekur nga COVID-19. Ju duhet t’i mësoni fëmijët mos ofendojnë dhe mos kenë frikë. Le të mos bullizojnë ndonjë fëmijë të prekur më parë nga COVID-19. 



Fëmija im është i shqetësuar për ngacmimin në shkollë dhe në internet. Si mund t’i flas për këtë temë?


Nëse fëmija juaj shqetësohet për ngacmimin qoftë personalisht ose në internet, është e rëndësishme t'i thoni se nuk janë vetëm. Ju jeni aty për ta, për t’i mbrojtur. Kontrolloni çdo ditë me kujdes dhe pa e tepruar aktivitetin e fëmijës në internet. 


Ju gjithashtu duhet të angazhoni fëmijët tuaj në biseda të hapura se si të qëndrojnë të sigurt në internet. Bëni një dialog të hapur me fëmijët tuaj. Sigurohuni që ata të kuptojnë vlerën e ndërveprimeve. Jini vigjilent nëse vini re që fëmija juaj tërhiqet ose shqetësohet.




Përktheu Parajsa Shtini

Burimi: unicef.org



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,086 Lexime
3 vjet më parë