Si ta dominojmë teknologjinë?

“Beni, ngele në tablet, mjaft se t’u lodhën sytë”, apo “Ana ke tre orë duke çatuar në WhatsApp”, mjaft se ke detyrat për të bërë”....

Ju duken të njohura këto shprehje?


“Beni, ngele në tablet, mjaft se t’u lodhën sytë”, apo “Ana ke tre orë duke çatuar në WhatsApp”, mjaft se ke detyrat për të bërë”....


Këto janë disa nga frazat e përditshme që përdorin prindërit ndaj jush. Përdorimi i pajisjeve teknologjike po bëhet një temë gjithnjë e më shqetësuese, madje një virus i vërtetë. Orët e shpenzuara nëpër aparatet teknologjike kanë kaluar nga një argëtim i thjeshtë në një varësi serioze. Të jesh i varur nga diçka do të thotë të mos jetosh dot pa të dhe mungesa e saj përgjithësisht e bën personin jo vetëm të ndihet i paplotë por edhe të vuaj, madje e çon deri në ankth.


Po ju a jeni të varur nga teknologjia ?


Plotësoni këto pyetje për të parë se sa kohë i dedikoni gjërave tuaja në jetën e përditshme. Jini të sinqertë.

1.         Sa kohë shpenzoni për të biseduar me një mik/e ballë për ballë ?

2.         Sa kohë shpenzoni për sport çdo ditë ?

3.         Sa kohë shpenzoni për të lexuar, vizatuar ose për ndonjë aftësi tjetër tuajën ?

4.         Sa kohë i dedikoni dikujt që ka nevojë për ndihmën tuaj ?

5.         Sa shpesh i vizitoni gjyshërit tuaj ?

6.         Sa kohë shpenzoni për të bërë eksperimente shkencore apo të luani me miqtë tuaj ?

7.         Sa kohë rrini ulur përpara kompjuterit ose tabletës ?

8.         Sa kohë shpenzoni për të çatuar me miqtë tuaj ?

9.         Sa kohë shpenzoni duke luajtur video game ?


Nëse i dedikoni më shumë kohë teknologjisë atëherë kini kujdes se mos kalon në ndonjë stad tjetër. Përpiquni të ruani ekuilibrin mes jetës së vërtetë dhe asaj virtuale. Askush nuk ju thotë të mos përdorni aparatet teknologjike. Teknologjia ka qenë dhe është në shërbim të njerëzve dhe roli i saj është ta bëjë jetën më të lehtë.


P.sh kërkimi i informacioneve në internet për detyra të ndryshme është një nga lehtësitë që na ka krijuar teknologjia. Por nuk duhet të harroni, se informacioni më i sigurt është bibloteka. Provojeni këtë rrugë se mund të jetë më emocionuese.       

Kur e ekzagjeroni me përdorimin e aparateve teknologjike, kini kujdes pasi:


1.         Lëvizja e përsëritur e gishtave në tastier, me kalimin e kohës mund të shkaktojë dhimbje ose tendosje të kyçit të dorës.

2.         Të shikoni ekranin për një kohë të gjatë ndodh që sytë tuaj të lotojnë. Dhe n.q.s keni edhe miopi, atëherë dhimbja e syve mund të kalojë edhe në kokë.

3.         Të qëndroni ulur për shumë kohë përpara një pajisjeje, bën që t’ju lodhet shtylla kurrizore madje edhe të krruseni.

4.         Informacioni i gatshëm që shpesh gjeni në internet nuk ju ndihmon aspak që të përpiqeni vetë apo të memorizoni diçka.

5.         Gjatë kërkimeve në internet, mos u mjaftoni vetëm me ato që ju thotë Wikipedia.  Pyesni edhe të të tjerët si mësuesit apo prindërit, që informacioni që merrni të shkoj përtej asaj që ofron interneti.


Ju mund t’i përdorni rrjetet sociale për të rënë dakord me miqtë tuaj, që të takoheni për të folur me njëri-tjetrin, pra të ndani mendimet nga afër dhe jo nëpërmjet ekranit. Në vend që të rrini ulur duke dëgjuar muzikë apo duke luajtur video game, bëni diçka tjetër më aktive.


P.sh mund të kërceni dhe këndoni edhe ju bashkë me atë që dëgjoni, pra të jetoni jetën jashtë ekranit të celularit, kompjuterit apo tabletës. Vetëm kështu mund të jeni të plotësuar.


(Përgatiti: Romina Vela, Portali Shkollor)

800 Lexime
3 vjet më parë