STUDIMET

Mungesa e kulturës për të përdorur internetin, problem i madh social shqiptar

Studimet dhe anketimet flasin për një “bum” të përdorimit të internetit nga adoleshentët dhe të rinjtë. Sociologu i njohur, Gëzim Tushi, sjell për Portalin Shkollor argumente mbi efektet dhe kundraefektet e fenomenit

Gëzim Tushi, Sociolog 

Raporti njeriut me rrjetet sociale, efektet dhe kundraefektet e kësaj lidhje, nuk është problem i thjeshtë. Debati që bëhet në shoqërinë tonë për mungesën e kulturës së përdorimit të internetit, menaxhimin e duhur të “lëndës digjitale”, kohës së zgjeruar të qëndrimit të njerëzve në internet, është një problem i madh social, e cila është vënë pothuaj në qendër të shqetësimeve të përgjithshme që ka shoqëria shqiptare sot. Jo vetëm me fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë, por me të gjithë qytetarët. Studimet dhe anketimet flasin për një “bum” të përdorimit të internetit nga qytetarët shqiptarë. Në të njëjtën kohë ka filluar të flitet për një vartësi të frikshme dhe përballjen me “agresionin imperialist” të internetit, i cili jo vetëm po superon në peshën specifike të kohës dhe hapësirës njerëzore, por dhe po bëhet “sundimtar” i tyre. 


Me sa duket shoqëria është në kohën kur ndodhet nën “bombardimin” e internetit. Kjo situatë sociale ka bërë që fëmijët dhe të rinjtë të mos kenë konceptin e “kohës specifike” që është e duhur dhe disponibël për internetin dhe konsum në rrjetet sociale. Tani lidhja e njerëzve me të, është e vazhduar, permanente e realizuar kohë e pa kohë. 

Sociologjikisht është evident situata në të cilën njerëzit i kanë dhënë më shumë prioritet lidhjeve virtuale sociale se sa lidhjeve shoqërore reale. Ka një tendencë të përgjithshme sociale që është e re për shoqërinë tonë, e cila pak kohë më parë ishte tërësisht tradicionale e supersociale, me lidhje të forta njerëzore, sociale të gjakut, fisit dhe komunitetit. Ka shumë faktorë që diktojnë këtë situatë. Interneti është njëri prej tyre, që është bërë faktor me rëndësi që ndikon në prishjen e raporteve të lidhjeve njerëzore të humanizuara, duke favorizuar ato që janë të dehumanizuara ( jo lidhje direkte njerëzore). Roli i internetit dhe rrjeteve sociale në këtë aspekt është shumë i ndjeshëm. Sociologët mendojnë se ajo marrëdhënie që është lidhje e drejtpërdrejtë njerëzore është “diçka”, ndërsa ajo që është vetëm lidhje virtuale, katandiset në një marrëdhënie tërësisht të dehumanizuar. E cila nga ana sociale edhe është vetëm “asgjë”.

Padyshim, vlerat e internetit dhe zgjerimit të rrjeteve të komunikimit social askush që ka sens progresiv dhe mendje të shëndoshë, nuk mund t’i vërë në dyshim për dobitë që ato kanë. Jetojmë në epokën e madhe të “revolucionit të informacionit”. Kjo ngjarje nuk është vetëm me natyrë teknike, e lidhur me anën e jashtme të zgjerimit të mundësive të komunikimit njerëzor. Përkundrazi, rrjetet sociale dhe komunikimet elektronike, kanë bërë të mundur një proces të demokratizimit më të madh të jetës dhe shoqërisë. Sociologët kur analizojnë efektet dhe kundraefektet e sistemeve të reja të komunikimit elektronik, dobinë e internetit dhe utilitetin e madh të rrjeteve sociale, evidentojnë në mënyrë të shumanshme vlera të mëdha të epokës së internetit, ndikimeve të saj në përmirësimin e cilësisë së demokracisë. 

Padyshim, zgjerimi i internetit dhe shtimi i internautëve (atyre që përdorin internetin) ka pasur një ndikim të madh në bërjen jo vepruese dhe pa efekt të përpjekjeve për të pasur censurë apo monopol shtetëror të informacionit. Bota e sotme është e hapur, me informacion të demokratizuar. Tani jemi në zemër të epokës së qarkullimit të lirë të çdo ideje, të mundësisë së diskutimeve të hapura, duke shpërfillur çdo lloj hierarkie antidemokratike. E vetmja gjë që mund të jetë pengesë, është pamundësia e njerëzve për të qenë të aksesuar në këto rrjete sociale, mundësia për të qenë të lidhur nëpërmjet internetit. Padyshim, është arritje e madhe e kohës moderne fakti që informimi dhe mundësitë e lidhjes janë bërë transversale. 

Në kushtet e zgjerimit të shkollimit, përdorimit të anglishtes dhe sigurimit të aksesit në internet dhe rrjetet sociale, është e mundur pjesëmarrja jo vetëm në debate publike që zhvillohen në nivel kombëtar, për çështje me interes nacional, por edhe për problemet e jetës universale, të shqetësimeve globale të njerëzimit të sotëm. Debati virtual është bërë i fortë dhe i shumanshëm. Sepse në një farë mënyre, ky lloj debati shpërfill të ashtuquajtur autoritetet legjitime të informacionit, heq monopolin e dijes, prek bazat e autoritetit të “njeriut të ditur”. 

Jemi në situatën kur, “Zgjerimi i dijes, demokratizimi, individualizmi dhe nivelimi i hapësirës publike të diskutimit janë pasojat e teknologjive të reja…” (Oliver Roy, “Globalizmi islamik”, f. 169) Interneti dhe rrjetet sociale janë një “botë më vete”, që kanë rregullat e tyre të funksionimit, kodet e komunikimit. Komunikimet në rrjetet sociale janë të prirura të jenë të homogjenizuara në përmbajtje, sepse në këtë komunikim shpesh ka një “gjuhë të veçantë”, që duhet të kuptohet nga ata që janë në rrjet apo përdorues të internetit. Por sot me të drejtë është rritur shqetësimi për sasinë dhe cilësinë e përmbajtjes që qarkullon nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale. Në mënyrë evidente duken disa mangësi të këtij modeli të informacionit qarkullues. Sidomos përsa i përket thellësisë, e cila nuk shkon paralel me shtrirjen dhe përhapjen hapësinore të informacionit. Sociologët e komunikimit janë të mendimit se shpesh evidentohet varfëri referimi, cektësi në mbështetjen historike të argumenteve, nga që komunikimet në internet janë me spektër të ngushtë referencash. Këto e të tjera mangësi konsiderohen “tipare të spikatura të këtij tipi shkëmbimesh”. Ky sistem komunikimi është i dobishëm në krijimin e “shoqërive virtuale”. Por kjo shoqëri vlen pak në detyrimin që ka njeriu për të ndërtuar apo vepruar. Në këtë aspekt fuqia e internetit është e kufizuar. Megjithëse kohët e fundit në aspektin politik kanë ndodhur ngjarje sociale dhe politike, që kanë dëshmuar mundësinë e shndërrimit të lidhjeve virtuale në lidhje dhe veprim social real (Kujtoni ngjarjet e Pranverës  Arabe dhe ngjarjet e sotme në Turqi).


Megjithatë është e mundur të evidentosh, se përmes tij shpesh krijohen grupe internautësh që kanë interesa të ngjashme apo komunitete që krijohen nga interesa virtuale të përbashkëta, që jo domosdoshmërish bëhen edhe interesa të veprimit real. Ndërkaq, nuk është vështirë të dallosh se pas sasisë së madhe të debateve në rrjet, të cilat shpesh janë intensive për probleme të ndryshme të politikës, strukturave të jetës sociale, botës së jetës, fshihet një lloj eklektizmi si mënyrë shterpe e komunikimit që është në natyrën e “debatit virtual”. Interneti është mundësi e madhe njohjeje dhe propagandimi të vetes prej secilit internaut që dëshiron ta bëjë këtë gjë. Ai është siç thonë sociologët “vitrinë e thjeshtë” për individin, arritjet, synimet, produktet dhe krijimet e tij. 


Në kritikat që i bëhen internetit, është edhe fakti që ai është mjet që nxit prirjen individualiste të jetës së njeriut postmodern. Ky është shikim nga ana e jashtme. Sepse në të vërtetë individualizmi nuk është produkt i internetit, por interneti është bërë instrument shtesë që e favorizon mundësinë e zgjerimit të prirjes individualiste në shoqëri. “Individualizmi nuk është pasojë e përdorimit të Rrjetit, ai është, së pari, një fakt sociologjik…”. (Oliver Roy, “Islami i gobalizuar”, f. 175)


Nga ana tjetër interneti është mjet i fuqishëm të cilit njerëzit po përpiqen ta vendosin në funksion të nevojave të përhapjes së standardeve të qytetërimit, në shërbim të kërkesave të kritikës kundër të metave të realitetit ekzistues të shoqërisë dhe qytetërimit tonë. Megjithëse realitet i ri për ne shqiptarët ai bërë mjet me vlerë sociale dhe është vendosur mirë në funksion të nevojave të zhvillimit të standardeve moderne të qytetërimit tonë, i cili  kërkon vënien në lëvizje të kapaciteteve kritike të qytetarit. Në këtë aspekt roli i internetit është i pazëvendësueshëm, si instrument i madh i kritikës publike për këdo dhe çdo gjë që nuk shkon në rrugën e duhur. 


Por përdorimi pa kritere besueshmërie i internetit dhe rrjedhave të tij të informacionit, ka gjithmonë një rrezik në mundësinë e perceptimit të drejtë apo keqperceptimit të informacionit, i cili shpesh bëhet faktor i krijimit të “vetëdijes false” të njeriut. Ka një të mirë që rrjetet e sotme sociale të krijojnë mundësinë e informacionit të përzgjedhur, të komanduar dhe kjo ka sjellë situatën kur njeriu ka mundësi të shikojë atë që dëshiron të shikojë. Epoka e internetit është koha e duhur e “civilizimit teknologjik”. 


Ndërkaq, analiza e njerëzve përmes komunikimeve në rrjetin social nuk është gjithnjë i vërtetë dhe i sigurt, sepse qytetarët e rrjetit mund të të duken si qenie stabile apo qytetarë që reagojnë me “pasivitet organik”. Por kjo mund të mos jetë kështu sepse rrjeti nuk është adekuat me reagimet e vërteta ndryshuese të qytetarit jashtë komunikimeve elektronike në rrjet. Kjo është gjëja që shqetëson sot statusin e këtij lloji komunikimi, i cili ndërlikohet në marrëdhëniet detyruese midis “njeriut perceptual”, dinamikës së rrjeteve sociale, sasisë së zgjeruar të informacionit dhe  pasigurinë e autencitetit të tij. Fjala vjen, propaganda reklamuese dhe imperializmi i reklamës së bujshme përmes internetit, kanë prishur stabilitetin tradicional të “ligjeve të imazhit”, lidhjes me perceptimet dhe stereotipet. Edhe pse mjet modern i komunikimit publik, interneti ka “dogmatizmin” e vet, duke krijuar idenë se ato që qarkullojnë në rrjetin social, kanë siguri dhe autencitet të vërtetë me atë që ekziston në realitet.


Ndaj, shume gjëra që duken si të vërteta apo që sociologjikisht i shikojmë si të tilla, në të vërtetë më së shumti janë “metafora perceptuale” që krijojnë imazhin e asaj që mund të arrijmë në të vërtetë, përmes komunikimit virtual në rrjetet sociale dhe internet. Faktet janë midis të vërtetës dhe iluzionit. Sidomos në se internetin e konsiderojmë të vetëmjaftueshëm për njeriun. Pas lidhjeve dhe raporteve intensive të qytetarit me internetin, nuk është e thënë se gjithmonë qëndron e vërteta, e sakta, autentikja. E vërteta reale mund të jetë edhe përtej metaforave perceptuale të lëndës së internetit, “utilitarizmi të ndërsjellë” të lidhjeve midis njeriut, internetit dhe fuqisë së rrjeteve sociale të komunikimit. 



(Sociologu Gëzim Tushi, Portali Shkollor) 

366 Lexime
3 javë më parë