TAKIM ME PRINDËR

Si të organizoj një takim të frytshëm me prindër?

Ndërveprimi me prindërit është mjaft i rëndësishëm në mbarëvajtjen e nxënësit në shkollë. Suksesi i këtij bashkëpunimi varet nga ndërtimi i një strategjie të përshtatshme dhe të dobishme.

Me ndryshimin e kurrikulës  ndryshon dhe tematika, forma, përmbajtja e takimit me prindër. 

Për disa arsye mendoj se konceptimi i këtij takimi duhet të bëhet në përshtatje me ndryshimet e reja. Zakonisht me prindërit janë lënë zyrtarisht 3 ose 4 takime në vit dhe është menduar që gjatë këtyre takimeve prindërve t’ju jepen rezultatet e tremestrave dhe mungesat gjatë një tremestri  të  vendosura në një dëftesë provizore.

Me të drejtë prindi pyet: -Pse rezultatet dhe diskutimin për fëmijën tim t’i dëgjojnë dhe të tjerët kur dihet që për ta nuk ka vetëm opinione pozitive? 


Atëherë si duhet të strukturojmë një takim me prindër?

Për mendimin tim diskutimi i mësuesit kujdestar me secilin prindër nuk duhet të jetë publik. Pavarësisht nga rezultatet e arritura gjithsecili ka të drejtën e privatësisë, qoftë në lavdërime apo kritika. Praktikisht a është e mundur kjo kur të gjithë prindërve i japim një orar takimi?

Unë si mësuese kujdestare në takimin e fundit praktikova marrjen një nga një të prindërve për dhënien e rezultateve individuale, e cila sigurisht mori kohë. Përveç kësaj kisha planifikuar dhe disktimin e një teme me prindërit, koha e të cilës nuk doli e mjaftueshme për arsye të konsumimit të pjesës së parë.


Cilat janë temat kolektive që duhet të diskutohen me të gjithë prindërit?

Patjetër që ka të tilla dhe janë pikërisht temat e lidhura me mbarvajtjen, shoqërizimin, diskutimin rreth fenomeneve shoqwrore negative që në mosha të caktuara shkollore bëhen ngjitëse, analizat në përgjithësi të përparimit, vijueshmërisë dhe disiplinës, tematika me raste të ditëve ndërkombëtare apo festive kombëtare. Pra, në zbatim të objektivave të planit edukativ të klasës të ndjekura deri tani.


Duhet të jetë present në një takim me prindërit edhe nxënësi?

Në tematikat e sipërpërmendura nxënësi mund të jetë prezent përkrah prindërit. Ndërsa në bashkëbisedimin  e mësuesit kujdestar apo mësuesve të tjerë me prindin për mbarvajtjen e fëmijës mirë do të ishte që nxënësi të mos jetë prezent. Kjo për arsyen se mësuesi ka nevojë të hartojë plane afatshkurtra apo afatgjata me prindin për përmirësimin dhe mbarvajtjen e tij. 


Cila është pritshmëria e realizimit të një takimi me prindër nga mësuesi dhe prindi?

Mësuesi dhe prindi shkëmbejnë informacion  mbi gjendjen e nxënësit. Mësuesi ka  si detyrim  të informojë, të identifikojë rastin dhe ta shtrojë për zgjidhje me prindin.

Prindi merr informacionin  që i mungon nga shkolla, për mbarvajtjen në përgjithësi  te fëmijës, rezultatet e arritura, gjendjen reale disiplinore të fëmijës. Prindi gjithashtu fillimisht njihet me mësuesin kujdestar apo mësuesit lëndor, diskuton me ta për zgjidhjen e problematikave të lindura në pjesën shkollore të kohës por edhe atë në kushte shtëpiake. 


Të gjitha këto sjellin risi në:

- Përmirësimin e atmosferës në komunikimin mësues – prindër

- Përmirësimin e performancës së nxënësit në shkollë 

- Angazhimin më të madh të prindërve në zgjidhjen e problemeve shkollore.


Strategjia e ndërtimit të një takimi të suksesshëm: 

Mësuesi përveç kohës së programuar për takim formal duhet të përgatitet që ky takim të jetë edhe i suksesshëm.

Metodologjia e perdorur për takimin individual dhe atë kolektiv duhet të jetë e ndryshme.

Zbulimi i pikave të dobta në mbarvajtjen e nxënësit si dhe në tërësi brenda klasës kërkon strategji të veçanta për trajtim individual dhe kolektiv, si  dhe gjetjen e zgjidhjeve efikase të tyre. Duke u mbështetur në pikat e forta individuale, të nxënësit, të shkollës , prindërit mësuesi udhëheq punën për një komunikim të frytshëm për të patur rezultatet e dëshiruara nga të gjithë e mbi të gjitha mbi nxënësin. Ndërveprimi  me prindërit është mjaft i rëndësishëm në mbarvajtjen e nxënësit në shkollë. Suksesi i këtij bashkëpunimi varet nga ndërtimi i një strategjie të përshtatshme dhe të dobishme.



(Brunilda Xhemo; Portali Shkollor)

13,305 Lexime
5 vjet më parë