Arti dhe vetëvlerësimi

Si të rrisim vetëvlerësimin te fëmijët nëpërmjet krijimtarisë artistike? Këshilla nga Iriana Papamihali

Artistja dhe mësuesja e artit pamor, Iriana Papamihali sjell këtë shkrim me këshilla bazuar në përvojën e saj gjatë krijimtarisë në klasë, teksa i inkurajon gjithmonë nxënësit e saj dhe i stimulon ata me fjalë dhe cilësi të mira.

Në punën time 20 vjeçare si mësuese, e ndjej veten me fat që kam një profesion që e dua dhe e bëj me zemër. Nxënësit e mi janë motivimi i punës sime. Mundohem që të kënaq pritshmëritë e tyre dhe të jem në lartësinë e duhur profesionalisht.


Fëmijët e ditëve të sotme janë fëmijë që marrin informacion nga shumë anë dhe të venë përpara përgjegjësive profesionale. Gjithashtu kanë interes për të dëgjuar dhe vepruar në një periudhë kohore prej gati 20 minutash. Kjo e vendos mësuesin përpara një sfide, sepse ora e mësimit duhet të jetë efektive dhe me interes për nxënësin. Edhe prirjet e nxënësve janë të ndryshme, dikush është i prirur për art, muzikë, informatikë, në të shkruar, në sport, në matematikë, shkenca shoqërore, gjuhët e huaja, etj.


Vetëbesimi te fëmija

Vetëbesimi është një pjesë e karakterit të njeriut i cili shënjon personaliteti e tij. Pasiguria është një nga shkaktarët e mungesës së vetëvlerësimit te njeriu. Ka shumë prindër që duan nga fëmijët e tyre maksimumin edhe pse i duhet fëmijës të tejkalojë mundësitë e veta. Nëse prindi nuk e stimulon dhe e vlerëson fëmijën për punën e bërë me dëshirë apo edhe me sforco, atëherë vetëvlerësimi i këtij fëmije ka shkuar në kufijtë e pasigurisë dhe dëshpërimit. Kjo pasiguri do ta përndjekë gjatë këtë fëmijë nëse nuk ndryshojmë mënyrën e komunikimit me të. Ka raste kur prindi ose mësuesi e vret vetëvlerësim e fëmijës edhe thjesht duke treguar indiferentizëm ndaj punës së tij/saj. Kur them vetëvlerësim nuk e kam fjalën për të qenë egoist apo për të qenë i vetëkënaqur. Kur them vetëvlerësim e kam fjalën për vetëbesimin.


Pak nga përvoja me fëmijët

Po ju jap përvojën time. Gjatë krijimtarisë në klasë, i inkurajoj dhe stimuloj me fjalë dhe cilësi të mira. Nxënësit kanë vështirësi, sepse jo të gjithë kanë talent, por unë i motivoj me shprehjen e Pikasos:

“Çdo fëmijë është artist, problemi është të mbetet i tillë edhe kur të rritet.”

Ajo që kam kuptuar unë në këto vite është se arti ndikon thellë në botën e tyre shpirtërore. Shpesh herë mendimet apo edhe shqetësimet që kanë dhe nuk i shprehin dot me fjalë, nëpërmjet ngjyrave dhe vijave ata i japin formë anës shpirtërore. Mundohem që ora e artit të jetë si ART THERAPY për nxënësit. Mundohem të gjej gjithmonë diçka të mirë edhe aty ku mungon. Kam vënë re që nxënësit kanë prirje të ndryshme në art dhe mundohem t’ja kultivoj nëpërmjet krijimtarisë artistike.

Mësuesi duhet t’i japë çelësin e duhur nxënësit/es për të hapur të panjohurat që has në perceptimin e njohurive të reja. Nëse mësuesi arrin ta bëjë këtë edhe interesi i nxënësve për lëndën do jetë më i madh. Rëndësi ka që njohuritë e marra në klasë mos mbeten brenda katër mureve, por të gjejnë zbatim në jetën e përditshme.



Nga  Iriana Papamihali,

Artiste,mësimdhënëse, autore teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

904 Lexime
1 muaj më parë