Prindërimi

Si t'i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që ata të zhvillojnë vetëbesim të fortë pavarësisht notave të këqija?

Duke pasur parasysh ndikimin dhe rëndësinë e figurave prindërore në rrugën e rritjes së fëmijëve të tyre, këta të fundit mund të kenë një funksion mbrojtës ndaj fëmijës dhe ta ndihmojnë atë në ndërtimin e një vetëvlerësimi të integruar, solid, i cili mirëpret si sukseset dhe dështimet.

Nota është një mjet që prej se fillojmë edukimin është pjesë e realitetit tonë, mësuesit japin nota për të vlerësuar nxënësin, për të klasifikuar një sjellje, për të motivuar nxënësin, herë për ta shpërblyer për angazhimin e tij, herë për ta ndëshkuar. Me notat në shkollë, mësuesit shprehin gjykimin e tyre për atë që perceptojnë, për atë që mendojnë se është niveli i arritur nga nxënësit në lidhje me lëndët specifike. Megjithatë, një votë e vetme ndonjëherë mund të përfaqësojë një përvojë shumë intensive për fëmijën, një burim vuajtjeje, që mund të lindë idenë e të qenit i papërshtatshëm, inferior, jo në nivel. Prandaj, vota mund të fshehë, pas fasadës më sipërfaqësore, një kuptim shumë të rëndësishëm për ndjenjën e perceptimit ndaj vetes së një personi, veçanërisht të një qenieje njerëzore në ndërtim e sipër siç janë fëmijët.


Çfarë është vetëvlerësimi dhe nga e ka origjinën?

Një grup gjykimesh vlerësuese që individi jep për veten e tij (Battistelli, 1994).

Vetëvlerësimi korrespondon me një vlerësim që personi ka në lidhje me atë që është dhe aftësitë që ka; ai rrjedh nga një sërë faktorësh të cilët së bashku kombinohen për të përshkruar një vetëvlerësim. Një rol të rëndësishëm luan faktori gjenetik dhe temperamenti, sipas të cilit përbërja gjenetike ndikon në sasinë e disa kimikateve që ndikojnë në disponimin dhe për rrjedhojë imazhin që kemi për veten; megjithatë, janë përvojat e viteve të para të jetës që ndikojnë shumë në këtë proces dhe në veçanti marrëdhëniet e para të rëndësishme me figurat e rëndësishme l, si mami dhe babi, por edhe persona të tjerë që mund të kenë qenë të rëndësishëm gjatë rritjes së fëmijës ( gjyshi, xhaxhallarët  etj..). Këta njerëz dhe mësimet që rrjedhin prej tyre kanë një ndikim të madh në mënyrën se si fëmija do të interpretojë realitetin dhe në mënyrën e vlerësimit të vetvetes, mënyrën e tij për të pasur besim te vetja


por, si mund t'i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre të zhvillojnë vetëbesim të fortë pavarësisht notave të këqija?

Duke pasur parasysh ndikimin dhe rëndësinë e figurave prindërore në rrugën e rritjes së fëmijëve të tyre, këta të fundit  mund të kenë një funksion mbrojtës ndaj fëmijës dhe ta ndihmojnë atë në ndërtimin e një vetëvlerësimi të integruar, solid, i cili mirëpret si sukseset dhe dështimet.


Disa mënyra për t'i ndihmuar fëmijët tuaj në këtë detyrë të vështirë.


1. Të ndihmojmë fëmijët të kuptojnë se NOTA nuk është një etiketë, se nuk përfaqëson vlerën e personit. Veshja nuk duhet të bëhet lëkurë. Është e nevojshme t'i shoqërojmë në ndërgjegjësimin se të marrësh 4 në matematikë nuk do të thotë të kesh vlerën 4. Është shumë e rëndësishme që në rastin e notave të pamjaftueshme të mos zhvlerësohen përvojat e tyre, të mos përcillen mesazhe etiketuese, të cilat tingëllojnë si fyerje. Përpiquni të kuptoni nëse në bazë të notës së pamjaftueshme fshihet një problem si: vështirësia në të nxënë, një temë e pa kuptuar,ndonjë problem familjar që e afekton,ngacmime me shokët, bullizmi, nuk i pëlqen mësuesi etj e në bazë të arsyes së problemit prindërit kuptojnë se ku fëmija i tyre ka nevojë për ndihmë. Është praktikë e mirë t'u jepen çmime kur fëmijët dhe të rinjtë marrin rezultate të mira në shkollë, kur ata kanë sukses; në të njëjtën kohë duke shpjeguar atyre mënyrën për të pranuar edhe dështimet. Kjo është po aq e rëndësishme pasi i ndihmon ata të përqendrohen në pikat e tyre të forta dhe të mos përforcojnë përvojat e disfatës.


2. Nxitja e një logjike konfrontimi me moshatarët mund të jetë e rrezikshme dhe e dëmshme për vetëvlerësimin e fëmijës; në këtë mënyrë ai mëson të vlerësojë veten në bazë të rezultateve të të tjerëve, sikur të ishte gjithmonë duke garuar në një garë, ku ka ose fitues ose humbës. Kjo nuk do të thotë se është e nevojshme ta ruash fëmijën nga çdo zhgënjim, larg tij! Në fakt, është mirë ta shoqërosh dhe ta mbështesësh në tolerimin e zhgënjimit pas përvojave të dështimit. Nëse ka raste për rivalitet dhe konkurrencë, kjo përballje duhet t'i referohet vetëm sjelljes dhe asnjëherë vetë personit. Mund të jetë e dobishme ta ftoni fëmijën të ndryshojë këndvështrimin, të konceptojë një sfidë, por me veten e tij, në të cilën qëllimi është të përmirësohet duke marrë parasysh pikënisjen dhe prejardhje e tij.


3. Ndonjëherë fëmija mund të përjetojë një përvojë zhgënjyese, në të cilën me gjithë përpjekjet e mëdha, ai gjithsesi merr një rezultat negativ, jo në përputhje me energjitë e përkushtimin që kishte për të mësuar. Është thelbësore ta shoqërojmë atë në të kuptuarit se nota, në fakt, nuk varet ekskluzivisht nga përpjekja dhe studimi i kryer, por se ka shumë variabla për t'u marrë parasysh. Ka çështje në të cilat ai në fakt do të ketë sukses më të madh, lëndët apo aktivitetet në të cilat ka më shumë  përputhje pasioni dhe predispozitat e tij specifike, pasi janë më pranë karakteristikave të tij. Prindërit mund ta ndihmojë fëmijën për ta orientuar në interesat e tij, preferencat e tij, për të zbuluar talentin e tij.


4. Së fundi, është thelbësore që prindërit të kujdesen për veten dhe mënyrën e tyre të integrim sesi ata qasen ndaj dështimeve dhe fitoreve. Të mos harrojmë se fëmijët janë vëzhgues të aftë dhe të vëmendshëm, duke imituar dhe thithur gjithçka që perceptojnë nga modeli prindëror pranë tyre. Ndaj, përcjellja e një modeli të duhur dhe mësimdhënies korrekte është një ndihmë e madhe që prindërit mund t'i japin, si vetes, por mbi të gjitha fëmijëve të tyre në ndërtimin e një vetëvlerësimi pozitiv. 


Në përfundim, prindërit luajnë një rol themelor në krijimin vetëvlerësimit të fëmijëve të tyre, në zhvillimin e një sensi të integruar dhe solid të vetes: detyra e tyre është jashtëzakonisht e vështirë dhe jo pa sfida, megjithatë ata mund të përfaqësojnë figura mbrojtëse,mund të ndihmojnë në krijimin e perspektivave të reja, shpresave të reja dhe hapjes së horizonteve magjepsëse për fëmijët e tyre.

Msc.Sonila Jaupbashi Luzi

Psikologe Edukimi, Terapiste BWRT


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,384 Lexime
2 vjet më parë