SIGURIA NË INTERNET

Siguria në internet, këshilla për prindërit në varësi të moshës së fëmijëve

Këshilla për prindërit në varësi të moshës së fëmijëve nga Lediona Braho, psikologe. Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, fëmijët nën 10 vjeç, kanë nevojë për mbikqyrje dhe monitorim...

Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, fëmijët nën 10 vjeç, kanë nevojë për mbikqyrje dhe monitorim, për të siguruar se nuk janë të ekspozuar ndaj materialeve të papërshtatshme për moshën e tyre. Prindërit duhet të përdorin teknika të ndryshme për të limituar hyrjen, faqet në të cilat hyjnë dhe aktivitetet që kryejnë fëmijët.   


Konkretisht, fëmijët 2-6 vjeç mund të fillojnë të vizitojnë faqet e internetit, por ata duhet të jenë gjithmonë të shoqëruar nga prindërit. Fëmijët e kësaj moshe duhet të kalojnë sa më pak kohë para ekraneve dhe sa më shumë kohë me bashkëmoshatarët e tyre. Prindërit e tyre duhet të kontrollojnë faqet e përshtatshme për fëmijët e vegjël dhe të përzgjedhin vetëm ato faqe që mund të vizitohen nga fëmijët e kësaj moshe. Ata duhet t’i mbikqyrin nga afër fëmijët kur ata e përdorin internetin dhe të përdorin filtra për të penguar shfaqjen e materialeve të papërshtatshme.  


Fëmijët 7-11 vjeç janë të vetëdijshëm për përdorimin e internetit, por jo për rreziqet online. Ata janë më të interesuar të zbulojnë më tepër rreth internetit. Disa fëmijë mund të fillojnë të kërkojnë pavarësinë e tyre dhe të shohin materiale të ndaluara.  Edhe nëse prindërit ua tregojnë rreziqet, ata e kanë të vështirë t'i kuptojnë ato. Megjithatë, prindërit duhet të angazhohen në aktivitete të përbashkëta të kërkimit në internet me ta. Prindërit duhet të përfshihen në mënyrë aktive në përdorimin e internetit nga fëmijët e tyre, të flasin për sjelljen e sigurt online dhe të diskutojnë nevojën e sigurisë, të kontrollojnë dhomat e çatit ku hyjnë fëmijët, të përdorin filtra bllokues për faqe të ndryshme dhe ta mbajnë kompjuterin në një vend të përshtatshëm në shtëpi.


Fëmijët 12-18 vjeç e përdorin shumë internetin për detyra, janë më të pavarur online dhe ndikohen më shumë nga të tjerët. Shumica kanë krjuar një profil në rrjetet sociale dhe ata hyjnë me qëllim në faqe me materiale të papërshtatshme. Shumë adoleshentë kanë më shumë njohuri sesa prindërit e tyre. Disa mund të sfidojnë përdorimin e filtrave dhe të përpiqen të shohin materiale të ndaluara. Prindërit duhet t’i ruajnë kontaktet me fëmijët dhe të dinë çfarë bëjnë ata në internet. Edhe pse është më e vështirë t’i mbikqyrësh ata drejtpërdrejt, prindërit duhet të flasin për internetin dhe të ndajnë eksperiencat së bashku. Fëmijët duhet të njihen me ligjet për të drejtën e autorit dhe privatësinë. 


(Lediona Braho për Portalin Shkollor)

4,417 Lexime
5 vjet më parë