“S’mund të quhemi prindër thjesht dhe vetëm se sjellim një qenie në jetë...”
Pjesët e minirrëfimeve të mëposhtme, të realitetit të përditshmërisë së secilit që jeton në këtë vend, të bëjnë të reflektosh mbi rëndësinë e prindërimit dhe rolin e vërtetë që duhet të ketë çdo njeri pasi bëhet prind.
Në një ambient familjar, biseda rrjedh rreth përditshmërisë; nëna kryelarte dhe e vendosur në pikësynimin e saj...;babai me një sjellje prej naiviteti dhe pafuqishmërie…; E bija, një natyrë ekstravagande, e papërfillshme ndaj çdo lloj dukurie...
Nëna:
-Aman burrë! Lëre të bëjë ç’të dojë. Mos e kundërshto, se kush i dëgjon pastaj reagimet e saj të ashpra…
Babait i ngelën fjalët në fyt, me sy të zgurdulluar tenton të rifitojë një lloj qetësie që nuk sjell tjetër veç trishtim…
***
Në një ambient familjar, mbledhur një rreth i gjerë farefisnor, njw vogëlush, që akoma s’ka hyrë as në klasë të parë, sillet vërdallë me një ulërimë rënduese, buçitëse, hakërryese, teksa shijon kënaqësitë e moshës së vet. Me një makinë lodër në njërën dorë, përcjell përreth veç ngërdheshje ironike dhe fjalë poshtëruese. Të pranishmit, diku të përhumbur në thashathemnajat e tyre e diku në përpjekje për ta ndaluar vogëlushin me ca lëvizje duarsh aspak etike, për më tepër kërcënuese…
I revoltuar, vogëlushi ia kthen me ofendime, dhe ca buzagazja hidhëruese shpërthejnë në ato çaste. Babai, në mbështetje të lojës së fëmijës vijon: - Jepi babush! Shaje akoma më fort! Mbroje veten se je burrë!...
Vogëlushi, me një hov akoma më të furishëm, si të mos mjaftohet vetëm me sharje e ofendime, hidhet më tutje tashmë edhe me goditje… Sërish shpërthime buzagazjesh të therrëta, irrituese, shpotitëse… Një zë u dëgjua tutje: - Fëmijë janë! Do bëjnë edhe ata lojën e tyre!...
***
Një debat me tone të larta mes prindërve në shtëpi ishte kthyer në një rutinë për vajzën që akoma s’kish mbushur as 12 vjeçe. Herë i shihte me sy të trishtuar, të trembur, të tronditur ashtu e ulur në një qoshe të divanit e herë mundohej të distancohej, teksa merrej me lodrat dhe angazhimet e veta. S’kishte forcën e duhur të kuptonte atë që ngjante, megjithëse çdo ditë priste një ngushëllim shpirtëror ti vinte nga prindërit, por fatkeqësisht as veshin s’ia vinin…
***
Që në fëmijëri asnjëherë s’kishte marrë fjalë përkëdhelëse nga prindërit dhe familja…
Përherë ishin sjellur të ftohtë ndaj tij, ndryshe ndaj të motrës, e cila gjithnjë mbështetej dhe përkrahej, qoftë edhe kur ta kishte gabim. Punonte më së shumti, lodhej më tepër, ishte tej mase kërkues ndaj vetes, megjithatë kurrë s’merrte asnjë mbështetje inkurajuese dhe motivuese nga prindërit…
I mungonte gjithnjë ajo atmosferë e ngrohtë dhe familjare në kuptimin e mirëfilltë të saj, i mungonte fytyra e buzëqeshur e familjarëve për angazhimet që ndërmerrte.
“Mos e lodh veten kaq shumë!”, “E kush po ta di punën që po bën?!”, “Mos u trego aq strikt dhe korrekt, se s’vlen!”, “Të duket vetja se flet gjëra të mëdha!”, “Bjeri punëve më shkurt!” … ishin frazat që kishin zënë shtratin e tyre në shqisën e të dëgjuarit që në vegjëli… Tanimë as që i bënin përshtypje…
E kishte kuptuar prej kohësh “pabarazinë” që reflektonin prindërit ndaj fëmijëve qoftë nga ana materiale qoftë edhe nga ana shpirtërore… Tashmë, edhe pse në moshë të rritur, situata s’kishte ndryshuar fare, e njëjta ftohtësi… i njëjti indiferentizëm dhe distancim… e njëjta mungesë kurajoje dhe motivimi… Sytë dhe mendja e prindërve kishin humbur diku tjetër…
***
E merrte vogëlushen e saj kudo me vete, madje edhe në ato vende ku s’duhej, I fliste si të ishte një e rritur, megjithëse ishte në një moshër të mitur. Vogëlushja hapte veshët me aq forcë që kish me një stërmundim të dukshëm që të kuptonte diçka, por në fund binte e lodhur dhe e rraskapitur, pasi e ëma i kishte “vjedhur” fëmijërinë, si e si ta rriste para kohe. E kishte fryrë aq shumë, saqë vogëlushja kishte humbur dëshirën të shkonte edhe në lodra, me idenë se “tashmë jam e rritur”.
Shihte me të filma që s’kishin të bënin me moshën e saj, ndiqte programe që kapërcenin mendësinë e saj, qëndronte në të atilla ambiente që s’ofronin asnjë kënaqësi fëmijërore, ushqehej me gatime që as vetë e ëma as i njihte dhe as i kuptonte, i vishte rroba që s’kishin të bënin me finesën e një vogëlusheje, i blinte stoli që s’kishin të bënin me moshën e saj fëmijërore, dëgjonin muzikë që s’jepnin asnjë mesazh edukativ dhe formues për kreativitetin e një fëmije…
Teksa vogëlushja kërkonte fëmijërinë e saj “të grabitur” nga e ëma, shpirti i saj i lodhur lëngonte në heshtje me shpresën se një ditë do arrinte të kuptonte vetë atë që kërkonte të jetonte…
***
Asnjë nga rastet e sipërpërmendura s’përbëjnë “trill” letërsie, përkundrazi janë realitete të përditshmërisë së secilit që jeton në këtë vend.
S’duhet të harrojmë:
• Prindërimi të ofron mundësinë të jetosh jetën tënde nga e para, nisur nga gjenetika që përcjell tek qenia që sjell në jetë.
• Asnjë fëmijë s’mund të zgjedh prindin që dëshiron, prandaj detyrimisht çdo prind obligohet të sjell qetësi, harmoni dhe larmishmëri në familje për vete dhe fëmijët, që të bëhet sa më i dashur në ambientin familjar.
• Prindërit e kanë të detyrueshme të zhvillohen dhe të integrohen në jetën profesionale dhe social – kulturore, në mënyrë që të dijnë se ç’tu ofrojnë fëmijëve të tyre në çdo hap të moshës që përjetojnë.
• Një prind i mirëarsimuar dhe i mirëkulturuar di të flasë qartë dhe bukur me fëminë e vet, për rrjedhojë edhe produkti i tij do jetë një vlerë e shoqërisë sikurse vetë ai.
Kujdes!
Mos i kurseni kurrë mirënjohjet, falënderimet, përgëzimet, përkrahjet dhe motivimet për fëmijët, qoftë edhe për gjestin më të vogël të tyre, pasi ata janë vlera dhe pasqyra, ku ju, shiheni në çdo çast.
Nga Evans Drishti
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Kur mësuesit zihen ngushtë nga reagimet e papritura të nxënësve"
Rëndësia e librave në jetën tonë
Dita Botërore e Shëndetit Mendor: Shëndeti Mendor është një e Drejtë Universale e Njeriut