Sot, 129 vite nga krijimi i Mësonjëtores së parë shqipe

Mësonjëtorja e parë shqipe u përkrah gjerësisht nga masat patriotike korçare dhe ato të mërgimit

Sot, më 7 Mars, ditë e shpallur me një vendim të qeverisë shqiptare si, “Dita Kombëtare e Mësuesve”,  mbushen 129 vjet, që nga krijimi i Mësonjëtores së parë Shqipe në qytetin e Korçës, një qytet me tradita patriotike dhe mësimdashëse në juglindje të Shqipërisë.

Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887, në kushtet e pushtimit otoman dhe ajo u krijua nga një grup rilindësish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Sipas dokumenteve të kohës, veprimtaria e kësaj shkolle përshkohej nga idetë patriotike, edukata e punës dhe dashuria për dije.

Mësonjëtorja e parë shqipe u përkrah gjerësisht nga masat patriotike  korçare dhe ato të mërgimit. Në këtë shkollë jepeshin lëndët, shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë.

Drejtuesit e parë të shkollës qenë patriotët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj, ndërsa drejtor i parë i saj u zgjodh Petro Nini Luarasi, një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare shqiptare, publicist dhe pedagog. Ai nisi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshme të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës. Një nga nismëtaret e krijimit të shkollës shqipe ishte edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare dhe veprimtare e shquar, e cila punoi për arsimimin e gruas shqiptare. Me botimin e librit të saj “Abetare për shkollat e para”, ajo zuri vend në historinë e shkollës shqiptare, si e para grua autore e teksteve shkollore.

Mësonjëtorja e parë shqipe pati një jetë 15-vjeçare, ku përballoi pengesat dhe vështirësitë e nxjerra nga  pushtuesit otomanë dhe sidomos kleri, që kërkonte ndalimin e përhapjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Rëndësia e krijimit të kësaj shkolle qëndron në faktin se ajo institucionalizoi mësimin e gjuhës shqipe në Shqipëri dhe krijoi një plejadë njerëzish, të cilët u bënë më vonë veprimtarë të lëvizjes për çlirim kombëtar dhe shoqëror të vendit.

Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së parë shqipe me vendim të Qeverisë  Shqiptare, në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”.

Që nga kjo ditë, “Mësonjëtorja e parë” hyri në histori si pionierja e arsimit kombëtar dhe dita e çeljes së shkollës si festë. 7 Marsi kremtohet nga të gjithë shqiptarët, nxënësit  në shenjë vlerësimi të traditave më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit.

Gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet aktivitete të shumta ku mësuesit do të jenë në qendër të vëmendjes për dhurata apo urime të përzemërta.

1,682 Lexime
8 vjet më parë