TEJKALIMI I FRIKËS

Strategji për menaxhimin e ankthit tek studentët

Studentët përjetojnë shkallë të ndryshme ankthi dhe frike. Disa studentë e tejkalojnë më shpejt këtë moment, disa të tjerë e kanë më të vështirë. A ndikon ankthi në produktivitetin e tyre?

Studentët përjetojnë shkallë të ndryshme ankthi dhe frike. Disa studentë e tejkalojnë më shpejt këtë moment, disa të tjerë e kanë më të vështirë. A ndikon ankthi në produktivitetin e tyre? Gjendja jo e mirë emocionale ndikon drejtpërdrejt në rezultatet që nxënësit apo studentët arrijnë. 



Njerëzit përjetojnë frikë që në moshë të vogël dhe ndërsa rritemi zhvillojmë aftësitë për ta kapërcyer këtë ndjenjë. Por, çfarë ndodh kur në momente të caktuara, nuk e tejkalojmë dot? Kur ndjenja e shqetësimit bëhet kronike, duhet ndihma e mësuesit, pedagogut, edukatorit, prindit dhe në fund shoqërisë. Disa ndjejnë ankth sepse nuk kanë shkëlqyer në aspektin akademik dhe disa të tjerë sepse nuk janë aq popullor sa për të fituar zemrat e të gjithëve. Disa studentë janë të ndrojtur dhe nuk bëhen lehtësisht pjesë e grupeve të mëdha shoqërore, shpeshherë duke rënë pre e bullizmit.



Disa nga arsyet përse studentët ndiejnë ankth: 


- Mungesa e performancës së mirë do të thotë dështim dhe shumë studentë nuk e pranojnë dot këtë fakt. 


- Konkurenca “vret” shumë studentë. Krahasimi është mbytës, sepse i ngarkon nxënësit emocionalisht. 


- Frika se të tjerët i gjykojnë. Secili është i veçantë dhe çdo nxënës ka specifikat e tij. Veçimi i çon disa nxënës në gjendje frike. 


- Faktorët kulturorë mund të luajnë një rol vendimtar. Studentët që vijnë nga periferia, apo nga grupe të marxhinalizuara duhet të përpiqen dyfish, për të treguar aftësitë e tyre. 


- Frika bën që studentët të përjetojnë dhimbje fizike, si gulçim, mungesë përqëndrimi, dhimbje koke, lodhje të vazhdueshme, nervozizëm, zhgënjim, etj. Pasojat më pas janë: detyra të kryera dobët, mungesa të shpeshta, braktisje të kurseve, telashe të hapura, etj.



Ju prezantojmë me disa strategji për të ndihmuar studentët të kapërcejnë frikën e tyre:


1. Edukoni veten për frikën dhe ndikimin e saj tek studentët. Merrni kohë për të mësuar në lidhje me efektet biologjike që shkakton frika. Nëse ne i njohim këto shenja, mund të bëhemi më të vetëdijshëm dhe arrijmë ta ndihmojmë veten.  


2. Dialogoni me studentët. Shumë prej tyre po kalojnë një sfidë jashtë shkollës. Dikush po lufton me gjendjen e vështirë ekonomike dhe dikush tjetër me divorcin e prindërve. Nëse ju jeni në dijeni, studenti ndihet më i përfshirë në klasën dhe në kursin tuaj. 


3. Ndihmoni studentët të bëhen të vetëdijshëm për ndjenjat e tyre të ankthit. Studentët shpesh nuk janë të vetëdijshëm për ndjenjat që përjetojnë dhe kështu janë të pafuqishëm për t'i kontrolluar. Planifikoni strategji të thjeshta të menaxhimit të ankthit, të tilla si teknikat e frymëmarrjes, ose metodat e relaksimit. 


4. Krijoni një mjedis edukues për studentët tuaj. Angazhojini, vlerësoni përpjekjet e tyre, dhe kini besim në objektivat që ata vendosin. Çdo student  duhet të ndihet i sigurt dhe i vlerësuar në klasën tuaj.


5. Ruani kotakte me studentët edhe jashtë klase. Megjithëse, mund të jeni të zënë, një email do ta qetësonte atë. Mos i neglizhoni detajet e vogla, të rëndësishme. 


6. Njihuni me zyrat e këshillimit, psikologët e institucionit arsimor ku punoni. Ata janë profesionistët, të denjë për të kthyer përgjigje e duhura në momentin e duhur. 




Referencat: Bledsoe. TS, & Baskin, JJ (2014). Njohja e frikës së studentit.

Burimi: https://www.facultyfocus.com/articles/teaching-and-learning/strategies-for-addressing-student-fear-in-the-classroom/?fbclid=IwAR3vV4KfIi1vQWkaB8gDm-ImCywUUzz4LxjzOf5KvbaDN3mD6HVipZcGg1o

Përktheu: Parajsa Shtini

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,456 Lexime
3 vjet më parë