Pandemia COVID-19

Studimi më i fundit: Ja pse shkollat duhet të rihapen

A duhet të hapen shkollat? Një studim i botuar në revistën “Science”, i cili analizoi rihapjet e shkollave në Afrikën e Jugut, Finlandë dhe Izrael, zbuloi se fëmijët rrallëherë preken nga ky virus, infektohen me njëri-tjetrin dhe është edhe më e rrallë akoma që ata të infektojnë anëtarët e familjes.

Sipas specialistit finlandez të sëmundjes infektive pediatrike, Otto Helve, përfitimet e një rihapjeje të mundshme të shkollave janë shumë më të mëdha se sa rreziqet prej COVID-19. Studimi i “Science” është frymëzuar nga një letër e hapur e nënshkruar nga më shumë se 1.500 anëtarë të “Kolegjit Mbretëror të Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve”, sipas të cilit “vazhdimi i mbajtjes së shkollave të mbyllura do të linte shenja të pashlyeshme për një gjeneratë të tërë”.


Infektimi midis fëmijëve 

Drejtori i Institutit Mario Negri në Bergamo, Giuseppe Remuzzi, ka analizuar, me ndihmën e rezultateve të publikuara nga “Science”, disa aspekte themelore në funksion të rihapjes së shkollave. Për shembull, fëmijët mund të infektohen, por nuk duket se janë ngjitës të infeksionit, të paktën sipas të dhënave të mbledhura nga instituti “Pasteur” në gjashtë shkolla fillore. Për më tepër, fëmijët duhet të rikthehen në shkollë për të vrapuar, argëtuar dhe luajtur sa më shpejt. Ata duhet të qëndrojnë jashtë sa më shumë që të jetë e mundur, madje edhe duke mësuar në natyrë kur moti e lejon.


A do duhet të përdorin maska? 

Për fëmijët, diskutim më i ndërlikuar është ai në lidhje me përdorimin e maskës. Sipas Remuzzi, pajisja mbrojtëse është një nga gjërat e pakta me të vërtetë të rëndësishme për të përmirësuar epideminë, por për fëmijët deri 12 vjeç nuk ka nevojë për maskat kurse për ata më të rritur mbajtja e maskës është e padurueshme. “Një kompromis i pranueshëm mund të jetë që t’u kërkojmë atyre që të mbajnë maskën në mënyrë korrekte vetëm kur është e pamundur të mbahet distanca fizike mes tyre dhe me ne, të rriturit e të moshuarit”.


Po çfarë duhet bërë në rast se një fëmijë identifikohet pozitiv me Covid?  

Në këtë raste duhet ë bazohemi te zgjidhja e ofruar në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, që e kanë adresuar këtë problem: test tamponi për fëmijët e shkollës dhe familjet e tyre, si dhe teste serologjike për të parë zhvillimin e antitrupave.


A është shkolla një rrezik për komunitetin? 

Sa për faktin se shkolla mund të përbëjë rrezik për komunitetin, kjo nuk ka gjasa, sipas epidemiologëve nga Shkolla në Londër e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale. Në fakt, shkollat në Danimarkë u hapën sapo infeksionet filluan të zvogëloheshin dhe asgjë nuk ndodhi; në Hollandë ndërsa numri i infeksioneve të reja ishte i qëndrueshëm, numri i rasteve të reja mbeti i qëndrueshëm dhe më pas u zvogëlua ashtu si rihapja e shkollave, dhe e njëjta gjë ndodhi në Finlandë, Belgjikë dhe Austri.


Vdekshmëri shumë e ulët mes fëmijëve të moshave nën 14 vjeç. 

Sipas drejtorit të institutit Negri në Bergamo, nuk duhet të mendohet se fëmijët kurrë nuk sëmuren, “por probabiliteti për t’u sëmurë ose të jenë viktima të Covid është shumë më pak sesa të shkaktosh telashe të tjera”. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, 28 fëmijë nën 14 vjeç humbën jetën nga infeksioni Covid-19 deri në 24 qershor. Gjatë së njëjtës periudhë, gjithashtu në Shtetet e Bashkuara, 9,622 fëmijë të së njëjtës moshë humbën jetën nga aksidentet rrugore, vetëvrasjet, vrasje dhe sëmundje të tjera që nuk kanë asnjë lidhje me Covid.


Pa shkollë, shëndeti i fëmijëve është në rrezik. 

Doktor Munro, pediatër nga Southampton, gjithashtu pohon se mbajtja e fëmijëve larg shkollës është gjithashtu një rrezik për shëndetin e tyre: ata do kryejnë më pak aktivitet fizik, do flenë më pak, do kenë probleme me të ushqyerit, me depresionin, ankthin etj etj.

Ndër të tjera, një editorial i Times thotë se humbja e mundësive të trajnimit, shkollor dhe fizik, për një periudhë të zgjatur do të jetë “katastrofike” për fëmijët. Si përfundim, Remuzzi mendon se “shkollat duhet të rihapen sa më shpejt që të jetë e mundur. Sipas tij, “Duhej të ishte bërë tashmë që në qershor”.



Burimi: Science 

Përgatiti: Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,486 Lexime
3 vjet më parë