Motivim

“Syri i Tretë” nga Arlinda Çausholli

Koha të lexoni mes rreshtash dhe të motivoheni. Mesazhe dedikuar juve nga ekspertja e njohur e komunikimit Arlinda Çausholli, ekskluzivisht për Portalin Shkollor Albas.

Sa herë dua të shkruaj për mësuesit apo për gratë, me dalin përpara sytë e fëmijëve për kategorinë e parë dhe figura e burrave për kategorinë e dytë. Ndoshta për arsyen e vetme se për të dyja rastet, personaliteti ynë përçohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë te këto dy pasqyra, që janë të kundërtat tona, por që të gjithë duam të dukemi bukur në to, dhe çdo ditë rrekemi të forcohemi apo të sforcohemi ku me hir e ku me pahir, që të jemi më të mirët. Sigurisht që sytë e vetes janë më të besuarit, por ky fakt do jetë subjekti i një tjetër shkrimi.


Pranvera e këtij viti, është një nga më të vështirat për arsimin, për mësuesit, për fëmijët, për studentët dhe për prindërit. Në këto kohë, kur ka shumë qytetarë që luftojnë për jetën, kur ka shumë njerëz që po përpiqen të ringrihen pas rrezikut që kaluan nga një virus që fshihet nëpër skuta kudo e kurdo, kur ka njerëz që kanë humbur të afërmit e dashur e rrojnë me kujtime e ngushëllime, mësuesit dhe fëmijët duhet të përshtaten me një shkollim, ku buzëqeshja fshihet në maskë dhe zëri mezi dëgjohet. Nga kryeqyteti deri në cepat më të thellë të vendit, shkolla ka hyrë në një epokë të re, të panjohur dhe për të cilën asnjë nuk është i përgatitur, sidomos edukatorët e brezave. Këta të fundit, do të jenë unikë për historinë  për shkak të këtij viti shkollor të pazakontë.


Në raste të tilla, mësuesit guximtarë kanë një sy të tretë dhe shohin më larg se kushdo, e zhvillojnë cilësi të tjera që i afrojnë nxënësin pa qenë në domosdoshmëri fizike. Jam e bindur se në botën e vet, shumë mësues kanë bërë më të mirën dhe aq sa kanë ditur. Po çfarë mundet ta lehtësojë këtë vrap të çartun të përgjegjshmërisë e mësuesit, apo të shkollës vetë?


Thjeshtimi.


Thjeshtim i teksteve, të të nxënit, qasjes, situatave, numrave. Gjërat e thjeshta e gjejnë rrugën shpejt te fëmijët dhe tek studentët.


Po cili mësues thjeshton? 


Thjeshton dijen kush ka vizion, kush ka përgatitje, kush ka aftësi krijuese, kush ka ngrohtësi, kush ka dashuri për lëndën që ta ndajë me nxënësit të sistemuar paq, që në destinacion të mbërrijë ashtu siç është nisur. Një tren me shumë vagonë: syqeshje, dituri, empati, humanizëm, vigjilencë, ndihmë, prind, shok, motër, vëlla. Ky është mësuesi. Pasi është shumëzuar me 100 në zemërgjerësi dhe pjesëtuar për 2, sepse të gjitha këto cilësi duhet t’i përdorë edhe në shtëpinë e tij, ku gjërat nuk shkojnë gjithnjë mirë.


Ndaj respekt për kë përpiqet, për atë që gjen thjeshtësinë në mesin e këtij bombardimi lajmesh ku gjërat e mira mezi dalin në sipërfaqe, por ndodhin përditë. Mirënjohje për të gjithë mësuesit që i dhanë dritë  e shpresë çdo fëmije në këto kohë dhe atyre të kohës sonë, të gjithëve që fjalët bujare nuk i harruan asnjëherë dhe misionin e shumëfishuan në fisnikëri dhe sakrificë.


Përherë festë në zemrat tuaja.

Nga Arlinda Çausholligazetare, eksperte komunikimi 


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,459 Lexime
3 vjet më parë