Të menduarit po shndërrohet në një luks!
Mimoza Hysa sjell një reflektim mbi idenë e Mary Harrington se mendimi i thellë po shndërrohet në luks. Në një botë të mbingarkuar me ekrane e informacion të shpejtë, aftësia për t’u përqendruar, për të lexuar gjatë dhe për të menduar qartë po humbet, duke krijuar pabarazi të reja kulturore.
Nga Mimoza Hysa, shkrimtare dhe përkthyese shqiptare
Për t'u lexuar!
Artikulli “Thinking Is Becoming a Luxury Good” i Mary Harrington botuar në New York Times së fundmi argumenton se në botën moderne aftësia për të menduar thellë po bëhet një privilegj, jo më një praktikë e zakonshme e jetës së përditshme. Autorja nis nga përvojat e saj në një shkollë Waldorf, ku fëmijët rriteshin me pak teknologji, shumë lexime dhe aktivitete që kërkonin përqendrim e imagjinatë. Ajo e krahason atë mjedis me realitetin e sotëm, ku telefonat inteligjentë dhe përmbajtjet e shkurtra digjitale kanë krijuar një ritëm jetese që e shpërbën aftësinë për vëmendje të qëndrueshme. Harrington vëren se ndërveprimi i vazhdueshëm me informacion të fragmentuar e ka sjellë shoqërinë në një gjendje ku njerëzit lexojnë më pak, ku e kanë të vështirë të fokusohen edhe për pak minuta, dhe ku mësimi i një teksti të gjatë është kthyer në sfidë serioze.
Autorja thekson se përqendrimi dhe mendimi i thellë nuk janë talente të lindura, por aftësi që kultivohen përmes praktikës së qëndrueshme, sidomos përmes leximit të gjatë dhe angazhimit me ide komplekse. Por në një ekosistem digjital ku gjithçka është ndërtuar për konsum të shpejtë, shfletim sipërfaqësor dhe shpërqendrim të vazhdueshëm, këto aftësi po zhduken. Ajo mbështetet në fakte alarmante: gati gjysma e amerikanëve nuk kanë lexuan asnjë libër në 2023, shumë nxënës nuk përfundojnë më tekstet e detyruara, dhe vetë mësuesit e ndryshojnë kurrikulën sepse studentët nuk e përballojnë dot materialin e gjatë. Kjo nxit një ndryshim të rrezikshëm kulturor, ku njeriu mësohet të mendojë me copëza informacioni, jo me ide të strukturuara.
Sipas autores, pasojat nuk janë thjesht personale, por sociale dhe politike. Po krijohet një pabarazi e re: ata me burime ekonomike dhe familjare që i mbrojnë nga varësia digjitale, duke kufizuar pajisjet, duke u dhënë librat e duhur, duke i ushtruar me ritme më të ngadalta mendore, arrijnë të ruajnë aftësinë e mendimit të thellë. Ndërkohë pjesa tjetër e shoqërisë, e zhytur në rrjedhën e pandërprerë të përmbajtjeve të shkurtra, rrezikon të mbetet pa mjetet intelektuale për të analizuar, për të kritikuar dhe për të kuptuar botën. Në këtë mënyrë, mendimi i strukturuar po kthehet në “luks intelektual”, i rezervuar për ata që mund ta përballojnë kohën, kushtet dhe qetësinë që ai kërkon.
Në përfundim, Harrington nënvizon se ruajtja e mendimit të thellë analitik kërkon vetëdije dhe përpjekje kolektive. Leximi nuk është instinkt, por disiplinë; përqendrimi nuk është diçka që teknologjia na e siguron, por diçka që ajo shpesh na e merr. Nëse shoqëria pranon që teknologjia të udhëheqë ritmin e mendjes, atëherë demokracia, dialogu publik dhe kultura do të humbasin. Por nëse njerëzit kuptojnë se mendimi është një aftësi që kërkon ushtrim dhe mbrojtje, atëherë ai mund të mbetet i arritshëm për të gjithë, dhe jo vetëm për ata që kanë privilegjin të jetojnë larg rrjedhës së ekranëve.
Shkrimi origjinal të cilit i është referuar, klikoni këtu
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Të njohim ministrat e arsimit shqiptar ndër vite
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Disa veprimtari të shkollës si Qendër Komunitare