Përballimi i situatës

Të rikthehesh në shkollë gjatë COVID-19

Në një situatë të tillë, merr rëndësi të veçantë mënyra se si ne, të rriturit, prindërit, mësuesit reagojmë në përballje me vështirësitë apo nevojat që fëmijët e të rinjtë pritet të kenë. Më poshtë renditen disa këshilla e rekomandime që do ta bënin më të lehtë për të gjithë ne përballimin e kësaj situate.

Përballja me pandeminë dhe mbyllja që ajo shkaktoi përbëjnë një situatë të re për ne. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sa shumë na ka ndryshuar jeta gjatë muajve të fundit. Kufizimi i përditshmërisë, masat dhe përkujdesjet jashtë të zakonshmes, frikëra e ankthi të lidhura me veten apo njerëzit e dashur, e një mori emocionesh të tjera jo përherë lehtësisht të menaxhueshme. 


Ndoshta më shumë nga të gjithë, këto ndryshime i kanë ndjerë fëmijët, të cilët janë gjendur të përmbytur nga lajme të reja, ndonjëherë të huaja, të panjohura apo edhe të pakuptimta për ta, informacione të cilat shpesh i kanë detyruar të rriturit të ndryshojnë sjelljet e tyre. Ne ende nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë saktë impaktin emocional e psikologjik të COVID-19 tek fëmijët dhe të rinjtë. 


E si të mos qe mjaftueshëm kjo, shtatori erdhi, bashkë me të edhe nevoja për t’u përballur me një normalitet të ri. Mësimi rifillon nëpër shkolla, fëmijët e të rinjtë është koha t’i rikthehen jetës së tyre të mëparshme; të nxënit, detyrave, aktiviteteve, miqve, lojërave, shkujdesjes së moshës plotësisht të drejtë e të nevojshme. Vetëm se ky rikthim nuk do të jetë njëjtë me vitet e tjera, duke qenë se do të bartë kufizime të shumta për fëmijët, distancim, presione, frikërat e tyre, ankthin e prindërve e të mësuesve, të gjitha këto në një terren ku pak kush di të thotë cila është strategjia më e mirë e të vepruarit. 

Në një situatë të tillë, merr rëndësi të veçantë mënyra se si ne, të rriturit, prindërit, mësuesit, apo edhe përfaqësuesit e shëndetësisë reagojmë në përballje me vështirësitë apo nevojat që fëmijët e të rinjtë pritet të kenë. 


Më poshtë renditen disa këshilla e rekomandime që do ta bënin më të lehtë për të gjithë ne përballimin e kësaj situate.


Rekomandime për mësuesit:


Si kujdestarë kryesorë gjatë kohës që fëmijët janë larg familjes, është e rëndësishme që të jeni të informuar si mbi sfidat e përbashkëta që komuniteti ku ju bëni pjesë ka përjetuar gjatë kësaj periudhe, por edhe të kujdesshëm ndaj përjetimeve personale të secilit nxënës (humbje të personave të dashur, të infektuar e sëmundje në familje, shtim të dhunës apo konflikteve gjatë pandemisë, neglizhim etj.) për të pasur mundësinë t’i ofroni mbështetje sa më më mirë profesionale e emocionale. E njëjta sjellje nuk funksionon me të gjithë; nxënës të ndryshëm do të kënë përjetuar eksperienca të ndryshme gjatë pandemisë, e të gjithë do të kenë mekanizma të ndryshëm të përballimit të këtyre eksperiencave, ndaj të qënit të hapur dhe pranues ndaj këtij fakti do ta lehtësonte shumë punën tuaj. 


Mos prisni të reagojë si një i rritur; fëmijët nuk i tregojnë emocionet njësoj si ne, çdo ndryshim në sjellje apo reagim i papërshtatshëm meriton vëmendje. Ndryshime të papritura të humorit prej disa ditëve, sjellje e papërshtatshme, vështirësi në përqëndrim, përlotje e menjëhershme, tërheqje nga miqtë, shpërthime inati të papritura, ndryshime të oreksit apo lodhje prej disa ditësh, të gjitha mund të jenë një formë reagimi dhe një kërkesë për ndihmë që nuk duhet lënë pas dore. Mund të përdorni artet për të nxitur shpalosjen e emocioneve të cilat janë të vështira të tregohen me fjalë.  


Të mësuarit mund të kërkojë kohë; disa nxënës mund ta kenë të vështirë të rihyjnë në rutinën e të nxënit dhe presioni për ta realizuar këtë proces menjëherë mund të shkaktojë shpërthime të sjelljeve të çuditshme apo të papërshtatshme të tyre. Parashikoni të lini pak kohë të ndërmjetme derisa të kaloni tërësisht në rutinën e zakonshme. Lejojini të flasin me njëri tjetrin, ndoshta kjo është hera e parë pas shumë kohe që po ndajnë emocionet e tyre me bashkëmoshatarë,  planifikoni kohë për diskutime të përbashkëta, ata mund të kenë shumë pyetje që ju mund t’i adresoni. 


Lidhja me personat e familjes mund të ketë ndryshuar; edhe pse më e dukshme te fëmijët e vegjël, kjo është më se e vërtete edhe për më të rriturit. Persona të caktuar të familjes, prindërit, gjyshërit apo edhe motrat apo vëllezërit mund të jenë kthyer në një burim sigurie e ndarja prej të cilëve mund të jetë e vështirë dhe me ngarkesa emocionale. Vëmendja dhe mbështetja e mësuesit në raste të tilla është thelbësore për t’i krijuar fëmijës një ambient miqësor dhe të sigurt. 


Shpjegoni arsyet pas të gjitha kufizimeve; nxënësit kanë nevojë të dinë pse-në pas gjithë këtyre ndyshimeve. Ata do të jenë më bashkëpunues e pranues nëse ju mbani një qasje shpjeguese dhe jo urdhëruese. 


Bëhuni pozitivë; është e rëndësihme të pranohen sfidat dhe humbjet që kjo pandemi ka shkaktuar, por një qasje pozitive kundrejt të ardhmes do të ishte e ndihmës. Përqendrimi në ndërtimin e marrëdhënieve të forta dhe të parit të së ardhmes me besim mund të ndihmojë në lehtësimin e ankthit e nxënësve.   


Rekomandime për prindërit:


Nxiteni të flasë; fëmija juaj mund të ketë shqetësime rreth fillimit të shkollës, ju mund ta ndihmoni të mendojë në mënyra që mund t’ia bëjnë më të lëhtë rikthimin. Njëkohësisht nxiteni të flasë rreth kujtimeve të bukura të viteve të kaluara, shokët e ngushtë apo mësuesit e dashur. Nxiteni të flasë për përditshmërinë në shkollë, filloni me momentet e bukura e pak nga pak ato mund ta drejtojnë bisedën edhe te shqetësimet. 


Shpjegojani arsyet e të gjitha ndryshimeve që ai ka përjetuar së fundmi si dhe atyre me të cilat pritet të përballet me fillimin e shkollës, bëjani të qartë çfarë pritet nga ai dhe të mirat që do të sillte ndjekja e rregullave të caktuara. Shpjegoni që të gjitha ndjesitë dhe emocionet që po përjeton (frika, ankthi, stresi etj.) janë normale, që ato mund të menaxhohen dhe që ju jeni aty për të.

 

Bëhuni lehtësisht të gjindshëm për fëmijën tuaj; krijoni mundësi bisedash të vazhdueshme dhe spontane, duke bërë punët e shtëpisë së bashku apo duke dalë një shëtijte por duke e evituar ngarkesën e përballjes se drejtperdrejtë. 


Rutina e gjumit; ndihmojeni fëmijën që pak nga pak t’i rikthehet rutinës së mëparshme të gjumit, pa bërë ndryshime të menjëhershme dhe të mëdha. Orët e plota dhe gjumi cilësor janë të domosdoshme për nxënësit. 


Mundohuni të kuptoni dhe të menaxhoni ankthin tuaj; fëmijët i drejtohen prindërve të tyre për të kuptuar dhe shpjeguar situatat e reja apo të paqarta, nëse prindi duket vazhdimisht anksioz apo i frikësuar, mesazhi që fëmija do të marrë është që situata është e pasigurt.


Në përmbyllje do të dëshiroja t’i rikthehesha edhe një herë rëndësisë së padiskutueshme që të rriturit kanë -në lehtësimin dhe përmirësimin e përjetimeve të fëmijëve të tyre. Pandemia na ka distancuar, përkohësisht, por le të mos harrojmë që nuk jemi vetëm, jemi pjesë e komuniteteve dhe si të tillë ndikimi ynë nuk kufizohet vetëm brënda familjeve tona. Le të jemi sa më të hapur e solidarë, të kuptueshëm e joparagjykues. T’i mësojmë fëmijëve tanë t’ia dalin së bashku me fëmijët e tjerë.


Nga Enita Metaj 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,630 Lexime
3 vjet më parë