MESAZH SENSIBILIZUES

Të veçuar, por me qëllimin e përbashkët, do ta fitojmë këtë luftë!

Ebi Borova është maturante e gjimnazit “Numani”, Fier. Ajo ka një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët e saj. Sensibilizimi është mjaft i rëndësishëm këto ditë dhe Ebi përpiqet të japë kontributin e saj.

Tashmë duket sikur jeta ka ndaluar e çdokush i izoluar brenda mureve të shtëpisë qëndron përballë ekranit me shpresën se gjithçka do të normalizohet sa më shpejt. Kjo situatë jo e zakonshme ka gjunjëzuar së fundmi banorët e kontinentit tonë. Ditën kur virusi COVID-19 u shfaq për herë të parë në Kinë rreziku u duk shumë larg, për disa edhe joekzistent. Kjo derisa ky rrezik u shfaq në vendin tonë, në pragun e shtëpive tona. Kjo na ndryshoi tërësisht rutinën e përditshme duke na larguar dhe prej shkollës. 


Maturantët janë ata të cilët gjenden më së tepërmi në vështirësi për shkak se në prag të provimeve ne nuk jemi në shkollë, por të detyruar të mësojmë në shtëpi me anë të materialeve online - situatë kjo e pazakontë për ne. E ndërsa për disa jeta ka ndaluar, për të tjerë vazhdon me ritme shumë të shpejta. 


Është fjala për ata mjekë e infermierë të cilët duke qenë në vijën e parë të përballjes me këtë pandemi vënë në rrezik jetën e tyre. Si një maturante e cila dëshiron të vazhdojë studimet e larta për mjekësi, emocionohem teksa shoh pasionin dhe humanizmin që i karakterizon këta mjekë e infermierë, të rinj e të vjetër në karrierë. Vlera të cilat janë mishërimi i këtij profesioni i cili shpëton jetë. Këto figura të veshura në bluza të bardha meritojnë respektin tonë sot e çdo ditë tjetër. 


Sot ende më shumë, e frymëzuar nga këto modele, bindem për zgjedhjen time ndaj këtij profesioni pavarësisht vështirësive të mëdha që e shoqërojnë. Mesazhi im për të gjithë bashkëmoshatarët është të përpiqemi të ndjekim këshillat e tyre e t’ua bëjmë punën më të lehtë. Të sensibilizohemi për të mirën e të gjithëve duke ruajtur veten dhe të tjerët. Le të qëndrojmë në shtëpi, të kalojmë kohë me familjarët tanë me shpresën se kështu, të veçuar, por me qëllimin e përbashkët, do ta fitojmë këtë luftë!



Ebi Borova, maturante e gjimnazit “Numani”, Fier

(Portali Shkollor)

1,771 Lexime
4 vjet më parë