Fenomeni

Telefoni gjatë ecjes, një burim aksidentesh për fëmijë e të rritur

Sa raste këmbësorësh njihni të aksidenteve të shkaktuara nga përdorimi i telefonit gjatë ecjes në rrugë? Një numër i madh njerëzish përplasen me objekte, me njerëz, duke u goditur me biçikleta apo automjete, kjo si shkak i përqendrimit të theksuar në telefon.

Zombit po pushtojnë botën! Po! Çdo ditë jemi dëshmitar të njerëzve që ecin dhe vrapojnë me vëmendjen në telefon. Gjermanët i quajnë qytetarët e përkulur pas telefonit me termin "Smombies", një fjalë e krijuar duke bashkuar dy fjalë: zombie dhe smartfonë. Smombies janë njerëzit që shihni duke ecur me sytë në telefonat inteligjentë dhe jo në rrugën para tyre. 

Sipas INSTAT:

Bazuar në rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit (TIK) gjatë vitit 2021, nga grup-mosha 16 - 74 vjeç, e përdorin internetin 79,3 % e popullsisë, nga të cilët 91,7 % e përdorin çdo ditë. Në muajin Prill 2021, aksidentet rrugore, në 82,7 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 47,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 


Telefoni si burim aksidenti


Një numër i madh njerëzish përplasen me objekte, me njerëz, duke u goditur me biçikleta apo automjete, kjo si shkak i përqendrimit të theksuar në telefon. Telefoni është kthyer në shpërqendrim të rrezikshëm nga realiteti. Mjafton pak çaste përhumbje për t’u aksidentuar. Raste nga përditshmëria janë të shumta. Për shembull, të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara ecin relativisht më ngadalë, duke mos u kapur nga vëmendja e njerëzve të cilët vrapojnë me telefona nëpër duar. 


Fëmijët dhe të rinjtë janë më të rrezikuar


Para disa vitesh, fëmijët luanin vazhdimisht një lojë virtuale të quajtur ‘Pokemon GO’, duke i bërë të ecnin pareshtur rrugëve dhe me vëmendjen në telefon. Rastet e lëndimeve dhe aksidenteve ishin të larta në botë, por edhe në vendin tonë. Vëmendja tek rrjetet sociale mund të aneksohet në kohën e lirë. Të rinjtë shpesh tregohen neglizhent, duke ecur të shkëputur nga realiteti. Në realitetin e sotëm, ne nuk mund t’i privojmë fëmijët nga telefoni, por mund t’i ndërgjegjësojmë mbi kujdesin në rrugë. Fëmija duhet të kuptojë peshën e sigurisë në rrugë nisur nga krahasime të thjeshta: Çfarë ndodh kur një telefon që peshon rreth 200 gramë përplaset me një makinë që peshon mbi 600 kg?


Politikat lehtësuese të telefonit në botë


Ky fenomen nuk ndodh vetëm në Shqipëri. ‘Zombit’ janë problem në mbarë botën. Në shtetet e zhvilluara si Korea e Jugut, ekzistojnë rrugë të posaçme me tabela orientuese vetëm për personat që ecin të fokusuar në telefon. Ndërkaq, në vende si Gjermani apo Holanda, ekzistojnë shirita dritash me ngjyrë neoni, të vendosura poshtë në cepa trotuaresh. Kjo infrastrukturë u vendos, pasi u kuptua se tabelat orientuese ishin lart, kurse dritat e vendosura në tokë janë më të kapshme për syrin, edhe nëse personat janë tërësish të fokusuar në telefon mund të dallohen. Në Brazil, shteti ka mundësuar zona të caktuara për të rinjtë e varur nga telefoni. Shkalla e lehtësisë është e pabesueshme. Në Honolulu dhe Havai, shteti ka miratuar ligje të rrepta për njerëzit që ecin duke mbajtur një telefon. Dënimi kryhet me gjoba të larta, pasi synohet të ulet numri i aksidenteve.


Çfarë ndodh në Shqipëri?


Në vendin tonë, parametra të tillë mbeten larg reales. Nisur nga problematikat e shumta, kuptojmë se trotuaret janë të pamjaftueshëm për shkëmbimin optimal të këmbësoreve, duke munguar rrugët për biçikleta dhe të tjera infrastruktura plotësuese. Të pasurit e një korsie specifike për njerëzit që vrapojnë me telefona në duar nuk ndodh. Megjithatë, rritja e ndërgjegjësimit duhet të jetë primare. Të rriturit janë shembull për të rinjtë dhe të vegjlit. Ecja dhe vrapimi me fokusin në telefon, tregon papërgjegjshmëri, duke u shoqëruar me aksidente apo humbje jete. Një kulturë e re zhvillohet atëherë kur ekuilibrohet jeta virtuale dhe ajo reale. Sa nevoje ka vendi ynë për përqafimin e një kulture më edukuese për brezat e rinj? 



Burime: https://www.safesearchkids.com/the-dangers-of-texting-and-walking/#.YmKd_i8RpBw

http://www.instat.gov.al/media/9828/popullsia-me-1-janar-2022_final-15-04-2022.pdf 



Përgatiti: Xhoana Jaku


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

222 Lexime
2 muaj më parë