FESTA E MËSUESIT

Test informues për nxënësit rreth festës së 7 Marsit

Përveç festimeve, kartolinave dhe urimeve që bëhen për festën e 7 Marsit, ndahet edhe informacion. Mësuesi nga Prizreni, Naser Kastrati, ka përgatitur një test që nxënësit të mësojnë më shumë rreth kësaj dite të veçantë për arsimtarët.

(TEKSTI)


7 MARSI - FESTA E MËSUESIT


Gjatë historisë sonë, pati përpjekje të vazhdueshme për ruajtjen e identitetit kombëtar. Ndër këto përpjekje vend të rëndësishëm zinte arsimimi në gjuhë amtare. Rilindësit tanë si Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Naim dhe Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Andon Zako Çajupi e shumë të tjerë, nuk u ndalën asnjëherë së punuari për këtë çështje madhore. 


“Shoqëria e Stambollit” kishte bërë përpjekje të jashtëzakonshme për ta bindur Portën e Lartë që të vinte në jetë premtimet e dhëna se do ta lejonte mësimin e shqipes krahas turqishtes dhe greqishtes në shkollat e Shqipërisë. Në këtë kohë 1886, Shoqëria "Drita" e Bukureshtit botoi menjëherë tekste shkollore për t'i shpërndarë në Shqipëri sapo të merrej vendimi.


Gjatë të njëjtit vit 1886, patriotët shqiptarë shpejtuan t'i kthenin me iniciativën e tyre shkollat e vendit (deri atëherë në greqisht dhe turqisht) në shkolla shqipe. Në këtë drejtim u shënuan sukseset e para si në Kolonjë, ku një aktivist i ri i Lëvizjes Kombëtare, Petro Nini Luarasi, shkollat greqishte të tri fshatrave i ktheu në shkolla shqipe dhe në Manastir Gjergj Qiriazi çeli një shkollë private shqipe. Këto iniciativa kishin përkufizime të mëdha, qarqet shoviniste të kishës greke reaguan rreptë duke bërë çdo gjë për mbylljen e këtyre shkollave. Në fund të vitit 1886 shihej qartë se Porta e Lartë e Stambollit nuk kishte ndërmend të jepte leje zyrtare për shkollat shqipe, por, patriotët shqiptarë si Petro Nini Luarasi,Gjergj Qiriazi etj, nuk e ndalën punën. Atyre u erdhën në ndihmë të drejtpërdrejtë Vëllezërit Naim e Sami Frashëri të cilët pos ndihmës me tekste mësimore, nxorën lejen zyrtare në emër të Pandeli Sotirit për hapjen e shkollës në Korçë.


Sapo arriti në Korçë drejtori i shkollës Pandeli Sotiri, më 7 mars 1887  pas një lufte dyvjeçare, në shtëpinë e patriotit Mandi Terpo u çel në Korçë e para Shkollë Kombëtare. Populli e priti me gëzim të madh këtë ditë. Kudo në qytet ndjehej atmosferë festive. Edhe patriotët shqiptarë u gëzuan pa masë pavarësisht se ku ndodheshin. 


Naimi i emocionuar nga ndjenjat e gëzimit shkroi një poezi ku ndër të tjerat shprehet:

"Lumja ti, moj Korçë, o lule,

Q'i le pas shoqet e tua!

Si trimi në ballë u sule,

Ta paçim për jetë hua!"...


 Në vitin e parë shkolla pati një numër jo të madh nxënësish, rreth 35-40, por vitin e dytë numri i tyre ishte mbi 200 nxënës. Kjo ishte një shkollë fillore ku mësimet jepeshin shqip. Si gjuhë të huaja mësoheshin frëngjishtja dhe turqishtja. Hapja e shkollës së Korçës nxiti një hapje të shpejtë të disa shkollave në tërë vendin. Në Elbasan, Leskovik, Ohër, Ersekë etj, shkollat shqipe lulëzonin njëra pas tjetrës.


Më 1892 u hap shkolla e parë për vajza në Korçë  ku mësimet i jepnin Motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, drejtor i kësaj shkolle u emërua Gjerasim Qiriazi, njeri me tipare të larta patriotike. Okupatori shekullor turk dhe shovinistët grekë bënin çdo gjë për pengimin e këtyre shkollave. Të gjitha shkollat që ishin hapur deri atëherë, pos shkollës së Korçës i mbyllën njërën pas tjetrës. Ata nuk lanë mjet pa përdorur, deri te atentatet vetëm që shkolla shqipe të mos ekzistojë. Viktimë e parë e atentateve ndaj shkollës shqipe ra drejtori i Shkollës Kombëtare Pandeli Sotiri i cili nga agjentët grekë vritet në Stamboll më 1891.  Shumica e veprimtarëve tjerë u burgosën, kështu që Shkolla Kombëtare e Korçës do ta vazhdojë punën në ilegalitet në drejtimin e Komitetit Kombëtar të Korçës.

 


(TESTI) 


7 MARSI DITA E MËSUESIT


Kur kremtohet Dita e mësuesit?  __________________________________________



Pse është marrë pikërisht kjo datë?  ________________________________________


Nën robërinë e kujt ishin shqiptarët në atë kohë? _______________________________


Në çfarë situate ishin shkollat ? __________________________________________


Çfarë u ndodhte atyre që punonin për arsimin shqip? ____________________________

________________________________________________________________


Çka bënë atdhetarët shqiptarë?  __________________________________________

________________________________________________________________


Kush punoi në këtë shkollë me përkushtim të madh? ____________________________

________________________________________________________________


Sa vjet punoi shkolla ? _______________________________________________


Çka u bënë më vonë nxënësit e  Shkollës Kombëtare? ___________________________

________________________________________________________________


Çka kujtojmë me respekt më çdo 7 mars? ___________________________________

________________________________________________________________


Për çka shprehim respekt dhe mirënjohje ? ___________________________________

________________________________________________________________


Me çka do ta shprehni ju nxënësit  këtë nderim dhe mirënjohje?

________________________________________________________________

________________________________________________________________



(Përgatiti Naser Kastrati, Portali Shkollor) 

5,161 Lexime
4 vjet më parë