Ditët e provimeve

"Testim" apo "festim"?

Këshilla mjaft interesnate dhe praktike, se si testimi s’mund të bëhet një “sprovë e vështirë”, por një lloj “pune argëtuese” që padyshim do të sjellë edhe “fest”imin. Ja se çfarë shkruan këtë here mësuesi Evans Drishti.

“Një rrëmujë “e pazakontë” në të zakonshmen e së përditshmes… Ecnin me vrap për të mbërritur sa më parë në ambientin e klasës… Vështirë edhe të përshëndetesh në të tilla raste, pasi mëndja është fokusuar diku tjetër, që për çastin mbart një rëndësi si të “një finaleje”. Thuajse bota po ndahet tashmë përgjysëm, thuajse pas pak diçka e frikshme do të ndodhë… Dikush shfleton nxitimthi fletët e librit në përpjekje për të rifreskuar “sado pakëz” ato të shkreta njohuri, dikush është kërrysur i tëri në përgjumjen e ditës duke zvarritur kohën “e mjeruar” që s’po dinte të kalonte gjithsesi, disa të tjerë mbledhur në grup tek diskutojnë me shumë vrull dhe pasion “temat më të rëndësishme” me idenë domethënëse se patjetër “njëra prej tyre” do pyetet domosdo, dikush tjetër mundohet të planifikojë ndonjë “djallëzi” si e vetmja rrugë shpëtimi për të kapërcyer këtë situatë “kritike”… Diçka ishte mëse e sigurtë, në atë testim diçka do pyetej, dhe ajo “diçka” s’mund të ishte përtej njohurive të përvetësuara gjatë asaj periudhe. Po ja që në fund të fundit, dikush “do gëzohej” e tjetri “do hidhërohej”…


Dhe momenti erdhi… Fletët e “testit të shumëpritur” tashmë janë përpara nxënësve, qëndrojnë “vigane”, si “të pathyeshme”… Një mister fshihet në to, diçka e pashpjegueshme “në dukje” “për momentin”, por që natyrshëm pret një shpjegim konkret dhe të kuptueshëm. Ajo fletë në fakt s’është tjetër veçse një pasqyrë e mirëfilltë e mëndjes së ndritur të vetë nxënësit për të kuptuar “sasinë e të nxënurit”. Gjithçka e shfaqur në atë fletë “magjike” është pasqyrë e njohurive të përftuara gjatë atij intervali kohor të një procesi mësimor, në të cilin dikush përpiqej të tregohej i vëmendshëm në atë çfarë rrëfehej, dikush përgjumej në shpjegimet “monotone” ose “të pajeta”. 


Ja pra, sa e rëndësishme është edhe mënyra se si u përcillet nxënësve ai material mësimor! Sa e rëndësishme është që nxënësi të bëhet pjesë e qenies së mësimdhënësit”, të “pajtohet” me të, “të qartësohet” në botëkuptimin e tij, në mënyrë që asnjë njohuri të mos depërtojë “mekanikisht” në mëndjen dhe shpirtin e tij, por “logjikisht”! 


“Sa pyetje mund të ketë testi?”, “Si mund të jenë të formuluara pyetjet?”, “Ku mund të përqëndrohemi?”, “Sa % teori dhe sa % ushtrime?”, “Si mund të formulohen pyetjet?”, “Ku do anojë mësimdhënësi më shumë?”, “Si do të jenë gërshetuar njohuritë?”, “Çfarë teksti mund të na bie?”, “Çfarë duhet të kuptojmë me “analizë”?”, “Si duhet ta shpjegojmë “fjalën”?”, “Si duhet t'i bëjmë lidhjet e fjalëve në fjali?” …. Janë vetëm disa nga pyetjet “rutinë” që nxënësit “me të drejtë” shprehin përpara “orarit të testit”. 


Prandaj, në të tilla raste e rëndësishme është që mësimdhënësi të tregohet tejet i qartë gjatë procesit mësimor, jo vetëm thjesht për shpjegimin e temave përkatëse, por edhe për qartësimin e modelimit të pyetjeve “të mundshme” që mund të formulohen në testin e radhës. 


Mendoj se është shumë domethënëse që gjatë proçesit të shpjegimit mësimdhënësi të tregohet transparent në reflektimin e materialit: 

  • Duke punuar pikësëpari drejtpërdrejtë me tekstin,  
  • Duke nënvizuar frazat kyçe, fjalitë kyçe, paragrafët thelbësorë, skemat e paraqitura, tabelat sqaruese si pika orientuese për të kuptuar boshtin kryesor të çështjes në fjalë, 
  • Me nënvizimin e “fjalëve kyçe” apo pjesëve të rëndësishme mësimdhënësi tregohet i kujdesshëm në ofrimin e alternativave të mundshme të mënyrës së formulimit të një “pyetjeje testi”,
  • Është mjaft domethënëse që mësimdhënësi të përdorë gjatë shpjegimit fraza të tilla si: “Kini kujdes këtu…”, “Një vëmëndje në këtë fjalë…”, “Shënoni me kujdes fjalinë e dhënë në këtë paragraf…”, “Shikoni dhe përqëndrohuni tek kjo skemë e paraqitur…”, “Çfarë ju thotë ky leksik i përdorur…?”, “Si duhet ta kuptojmë këtë konceptim…?”,
  • Gjatë kohës së dhënies së këtyre detajeve mësimdhënësi tregon aftësinë dhe profesionalizmin e vet duke ofruar edhe variante të larmishme se si mund të “testohet” një njohuri e tillë… 
  • Profesionalizmi vijon më tej duke dhënë alternimet e duhura mes njohurive gramatikore dhe atyre në tekste të ndryshme, ku nxënësi është më i çlirët të kuptojë mënyrën si proçedohet në plotësimin e të tilla varianteve…
  • Është mëse e kuptueshme se çdo ushtrim i paraqitur në tekst është një mundësi mjaft efektive për përvetësimin e njohurive të dhëna, e në këtë drejtim orientimi i saktë dhe i duhur për ta dhënë sa më të larmishme dhe emocionuese atë ushtrim mbetet në profesionalizmin e vetë mësimdhënësit. 
  • Është i pamendueshëm një produktivitet në rastet kur klasa kalon në një lloj përgjumjeje të pavend, prandaj mësimdhënësi duhet t’i drejtohet me mjeshtëri çdo nxënësi duke iu përshtatur edhe me natyrën e tij duke ia sjellur sa më argëtuese nocionin e paraqitur. 
  • Përbën një rëndësi të veçantë edhe fakti kur mësimdhënësi u drejtohet nxënësve duke kërkuar vëmëndjen e tyre si: “Mbani në shënim… Kjo çështje mund të formulohet në këtë mënyrë… Mund të kërkohet interpretimi i kësaj fraze … Mund të kërkohet shpjegimi i këtyre termave …” 
  • Është mjaft konçize që temat e trajtuara të risillen herë pas here në proceset mësimore, pasi risjellja në mënyrë të vijueshme e tyre sjell edhe një ripërtëritje të njohurive të përftuara duke mbajtur “të gjallë” dhe plot emocion edhe trurin e nxënësit. 
  • Mbetet një domosdoshmëri edhe sjellja e materialeve plotësuese, veçanërisht për nxënësit “ekselentë” duke u dhënë mundësi të integrohen sa më gjerësisht dhe të zhvillohen me hapa të shpejtë. 
  • Një tjetër element kyç është edhe “logjika” e përvetësimit të njohurive, për t’iu shmangur me forcë “mënyrës mekanike” të përvetësimit. Është jetike që nxënësi të krijojë një arsyetim të shëndetshëm dhe t'i shmanget “mësimit përmendësh” të pjesëve të ndryshme. 

Në rrethana të tilla krijohet padiskutim një ambient mjaft komod edhe për nxënësin, i cili tashmë s’ka asnjë arsye “të frikësohet” për testimin e radhës, pasi materiali mësimor, teksti përkatës, ushtrimet e paraqitura, konceptet e trajtuara, leksiku i shpjeguar, detajet e dhëna, alternativat e trajtuara… s’lënë hapësirë për krijimin e konfuzioneve mekanike, përkundrazi përbëjnë një bosht të qëndrueshëm për një reflektim sa më “logjik” në përvetësim. 


Përfytyroni për një çast një atmosferë krejtësisht të kundërt: një mësimdhënës pezmatues, një shpjegim “në ajër” të njohurive, pa u bazuar aspak në tekstin mësimor apo edhe në materialet shtesë, një koment aspak tërheqës dhe monoton, pa hyrë aspak në detaje të rëndësishme, një atmosferë e zymtë ku dikush lexon në botën e tij, dukush përgjumet nga “shpjegimi i rënduar”, dikush humbet në ëndrrat e çastit… Apo më e keqja, kur mësimdhënësi qëndron përherë i ulur në tavolinën e tij, me një indiferentizëm të dukshëm, i painteresuar se ç’presin nxënësit apo edhe “i pazoti” për t’u dhënë përgjigje prishmërive të nxënësve… 


Padyshim që një atmosferë e tillë do sillte jo vetëm një stres “të natyrshëm” për ecurinë dhe rezultatin e “testit”, por që i ashtëquajturi “test”im nuk do kryente as funksionin e tij më bazik të “testimit” të atyre njohurive, pasi vetë mësimdhënësi nuk ka reflektuar asnjë emocion në përçimin dhe përcjelljen e atyre njohurive duke ofruar vetëm “ngurtësi” dhe “paqartësi” në emër të “mësimdhënies klasike dhe mekanike” aspak të dëshiruar. Mësimdhënësi nuk paraqet asnjë afeksion në këtë drejtim duke u bërë i bezdisshëm, i papranueshëm dhe për rrjedhojë “i padëshirueshëm”. Kjo sjell pastaj edhe një “tmerr” për nxënësit duke ia bërë testin “të frikshëm” dhe aspak rezultativ. 


E parë në një tjetër këndvështrim: 

Jemi tashmë të vetëdijshëm se procesi i “të lexuarit” ka pësuar një rënie të dukshme si pasojë edhe të një mungese të theksuar të interesimit të të rinjve ndaj këtij procesi. Për rrjedhojë, mësimdhënësi duhet “patjetër” ta përfshijë natyrën e nxënësit në proçesin në fjalë, kjo jo vetëm duke ia thjeshtëzuar punën e tij “të nxënies”, por edhe për ta bërë pjesë aktive në artikulimin e tekstit të dhënë, në mënyrë që të ketë një rezultat efikas. 


Puna me tekstin e dhënë dhe koordinimi i detajuar do ta afrojë nxënësin më afër qëllimit të përbashkët, ku nëpërmjet orientimeve të ofruara duke specifikuar “zonat e rëndësishme” , ky i fundit qartësohet dhe kthjellohet duke kuptuar se asgjë s’është e pamundur. 


Dhënia për çdo orë mësimore e shënimeve në formën e një “pune të pavarur” në formën e fjalive të shkurtra dhe konçize e ndërgjegjëson nxënësin të kuptojë se çfarë është “e rëndësishme”, ku duhet përqëndruar mësimnxënia, cila është lidhja logjike mes temave dhe nëntemave, cila është aftësia e tij për t'i konceptuar të tilla tema… Nxënësi arrin të akumulojë materialin e dhënë brenda disa minutave dhe nuk “shpërqëndrohet” në shtëpi nga një numër “i madh” në dukje faqesh për t’u lexuar. Qartësohet gjithashtu edhe në atë çfarë kërkon, cila është e mjaftueshme për të, cila bazë ngulitet më shpejt dhe më shumë në memorien e tij… 


Në rastin e “nxënësit të dobët” të gjitha shënimet e marra gjatë orëve mësimore përbëjnë një busull orientuese dhe përmbledhëse duke i shkurtuar mjaft punë dhe kohë për të arritur rezultatin pozitiv brënda një kohe të shkurtër. 


Në rastin e “nxënësit të dalluar” shënimet e marra përbëjnë një shtysë të rëndësishme për lexime edhe më të detajuara, krijon koherencë të plotë me informacionin e marrë, ushtrohet dita – ditës me tekste të ndryshme, kupton sintezat bazë të teksteve, tregohet elekuent në analiza të larmishme duke krijuar kështu edhe bazën e tij të qëndrueshme me njohuri, që natyrshëm do e shoqërojnë përtej. 


Kështu, për të, testimi s’mund të bëhet një “sprovë e vështirë”, por një lloj “pune argëtuese” që padyshim do të sjellë edhe “fest”imin. 


Të shtrenjtë të rinj! 

Planifikoni ditën tuaj në mënyrën më argëtuese dhe jetësore të mundshme! Mos iu frikësohuni dijes dhe kulturës, pasi janë dy armët tuaja më të fuqishme për qëllimin e ekzistencës suaj si “njerëz me vlerë” në këtë jetë! Ndërtojeni identitetin tuaj mbi bazën e njohurive të sakta dhe konkrete, pasi ditët kalojnë me të shpejtë dhe ajo kohë e humbur pas “botës së telefonit” s’mund t’ju rikthehet më si një vlerë e shumëkërkuar. Çdo “test” që të bëni në shkollë është vetëm një mundësi e mirë “që të peshoheni” për t’u përgatitur në hapat e jetës. Diapazoni juaj është gjithpërfshirës, prandaj angazhohuni sa më shumë në jetën shkollore dhe atë sociale në mënyrë që të kuptoni se sa vleni për shoqërinë ku jetoni. Të jeni të bindur se çdo lëndë mësimore dhe projekt social janë një dritare e volitshme për ta parë botën që ju rrethon “me një tjetër këndvështrim” që juve do u falë kënaqësinë e shumëdëshiruar! Mos kini frikë nga përballja, pasi çdo “vështirësi” në dukje ju bën më të maturuar. 

Mos harroni, pas çdo vështirësie vjen edhe lehtësimi! 


Nga Evans Drishti 



Publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

721 Lexime
9 muaj më parë