Marrëdhënia me adoleshentët

T’i kuptosh adoleshentët e vështirë, por jo e pamundur

Jeta me adoleshentët është sfidë. Ne si prindër, e dimë këtë. Ka ardhur koha që atë çka ishte kuptimplotë për ne, t’ua përcjellim. Por në radhë të parë, të bëjmë të pamundurën të informohemi vetë se çfarë është kuptimplotë për ta.

Nuk është se nuk ishim paralajmëruar. I kishim dëgjuar prej kohësh thëniet: “Kënaquni me ta tani, sa janë të vegjël...” ose “Sa janë të vegjël, edhe problemet janë të vogla; por kur rriten, edhe problemet bëhen më të mëdha”. Kushedi sa herë na kishin thënë se, një ditë, fëmija ynë i ëmbël do të shndërrohej në një të fëmijë të mbyllur, që do të kritikojë gjithë kohës shijet tona, do të thyejë rregullat tona dhe do të na kundërshtojë e të mos pajtohet me ato që u themi.  


Por, sado që ishim të përgatitur për ndryshimet në sjelljen e fëmijëve tanë, nuk e dinim ç’do të ndjenim kur ta shihnim veten përpara faktit.

Shumë pyetje na mundojnë:

Mos ndihemi të pafuqishëm për shkak të diferencës së moshës, dhe kjo na pengon të kemi një komunikim të çlirët me të? Pse sillet kështu? Çfarë kam bërë... dhe çfarë nuk kam bërë me të? Sa gjatë u vonua? Ku të jetë? Çfarë po bën? Pse s’është kthyer ende?


Ndodh të ndihemi të refuzuar, sepse na duket sikur nuk ka më nevojë për ne. Madje ndodh që edhe të na duket se nuk jemi mbrojtësit e vetëm të tyre.

Por ajo që na mundon më shumë është ndjenja e frikës. Ç’do të bëhet me fëmijët tanë gjatë këtyre kohërave kaq të vështira?


Pse prindërit e sotëm ndihen të dërrmuar e të mposhtur? S’është e vështirë të kuptosh pse disa prej nesh reagojnë me ashpërsi apo “i dënojnë” për shkeljen më të vogël adoleshentët, duke imbajtur ata të izoluar. Ka edhe nga ata prindër që duken indiferentë, modernë, liberalë, por kjo është vetëm një dukje, sepse edhe ata shqetësohen po njësoj.

Pra të dyja mënyrat: “Bëj si them unë!” (për disa prindër) ose “Bëj çfarë të duash!” (për disa të tjerë), i presin rrugën çdo komunikimi me fëmijët.


Pse të rinjtë i hapen prindit që i ndëshkon? Pse kërkojnë udhëzime nga prindi që është tolerant? Kjo do të thotë se adoleshentët dinë të gjykojnë për mendimet dhe vlerat e prindërve të tyre. Ata kanë nevojë t’ia shprehin dyshimet apo frikën e tyre një të rrituri, madje edhe t’i zbatojnë këshillat e tij, kur ky i fundit i dëgjon pa i paragjykuar dhe i ndihmon të marrin vendime të përgjegjshme.


Kush tjetër veç prindit do t’i ndihmojë ata, gjatë kësaj kohe kaq kritike? Kush do t’i ndihmojë për t’i rezistuar trysnisë së shoqërisë? Kush do t’i ndihmojë ndërsa përpiqen të bëhen të pëlqyeshëm për të tjerët. Kush do t’i ndihmojë të tejkalojnë çrregullimet e adoleshencës? Kush do t’i ndihmojë të përpiqen të bëjnë përpara për t’u formuar e për të qenë vërtet vetvetja?


Jeta me adoleshentët është sfidë. Ne si prindër, e dimë këtë. Ka ardhur koha që atë çka ishte kuptimplotë për ne, t’ua përcjellim. Por në radhë të parë, të bëjmë të pamundurën të informohemi vetë se çfarë është kuptimplotë për ta.

Vetëm kështu mund t’i ndihmojmë (dhe të ndihmojmë veten). 


(Artemisa Bushi, Portali Shkollor)

2,830 Lexime
7 vjet më parë