Intervistë

Tri dekada në arsim dhe një jetë kushtuar letërsisë, rrugëtimi frymëzues i Muharrem Kurtit

Ana personale dhe profesionale e poetit dhe mësimdhënësit, Muharrem Kurti, që prej burgosjes së tij nga okupatori serb, dalja nga ato mure të errëta, triumfi në letërsi e sfidat në mësuesi, gjithë këto ndërthuren në detaje përbrenda intervistës.

Muharrem Kurti lindi më 30 maj të vitit 1963 në një fshat të komunës së Gjakovës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, për të vazhduar të mesmen në Shqipëri, rrugë nga e cila doli fitimtar, ngase aty nisi hapat e parë drejt horizontit të dijes dhe letërsisë. Njihet për çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, që nga çmimi i parë si nxënës në Shqipëri e deri tek fitimi i medaljeve të arta, të Aleksandërit të Madh dhe Uneskos. 


Megjithëse i njohur si poet, roli i tij nuk përfundon vetëm në letërsi, pasi pasurohet edhe më tej me angazhimin e tij si mësimdhënës dhe kryetar i një klubi letrar në Gjakovë.


Përveç aspektit letrar, gjatë intervistës Kurti thellohet edhe në fushën e mësimdhënies duke sjellë për Portalin Shkollor Albas një perspektivë të re nga ana e nxënësve, perceptimin dhe interesimin e tyre në këtë fushë.



Në cilën moshë filluat të shkruani dhe çka kujtoni nga koha kur vendosët ta botoni librin tuaj të parë?

Fillet e shkrimeve të mija të para, pra, të nisjes së marrjes me letërsinë paraletrare, në moshën dy-trembëdhjetë vjeçare, kanë nis në objektin shkollor, ku unë ndiqja mësimet në Shkollën tetëvjeçare, të atëhershme “Mazllum Këpuska, në qytetin tim të femërisë sime. Aty zura të shkruaj eset e para ( hartimet e dikurshme) dhe vargjet e para, plot ndjenjë. Besa edhe piktura, më ka tërhequr atëherë, e dominuar nga idetë e mija siç e dëshiroja jetën atëherë, më të bukur dhe më të mirë. Pra, ( edhe vizatimet e para), e kanë atje nismën. 

Pastaj, dalja në Shqipëri, me 19, Maj 1981, ende në moshë të mitur, të jetuarit atje, leximet e shumta atje, përjetimi i mungesës së vendlindjes sime atje, i dhanë një dimension përcaktues marrjes sime me shkrime, tashmë edhe me synim të qartë si fah.

Marrja e çmimit të parë në Shqipëri me një cikël poezish, në qytetin e bukur te Beratit, në vitin 1981, këtu e 43 vite më parë, në një konkurs poezie, bukur me një pjesëmarrje autoresh, me bindi përfundimisht, se udha e ime do të ishte krijimtaria letrare, gjithsesi.

Me t’u kthyer në Kosovë, në vitin 1987, burgosem dhe dënohem me vite burgim, fatbardhësisht lirohem, kur në ish Jugosllavi ra neni mizor bollëshevik-monist 133, alenia 1, i burgosjes i qindra dhe mijave të rinjve dhe të rejave të Kosovës dhe dalja në liri më dha shansin që të botoj librin tim të parë me poezi “Gjelbërimi Natën”, redaktor i të cilit ishte poeti sipëror Rrahman Dedaj, kurse recensent, poeti i madh Din Mehmet, miku i im i përjetshëm. Botimi i librit tim të parë në robëri totale, në vitin 1998, ishte një festë për mua dhe miqtë e mijë.



Pa u ndalur te ai moment, që besojmë është i errët për jetën tuaj, jemi kurioz të dimë e të ndaleni te përvoja juaj si poet fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Kosovë. Si ishte kjo përvojë për ju? 

Formimi im i mirëfilltë letrar, ka pikënisje atdheun tonë të ndaluar në vitet e 80-ta te shekullit njëzetë. Qëndrimi im në Shqipëri, në Berat, Elbasan, Durrës etj, pritja vëllazërore që m’u bë atje, mundësia e leximit të librave të mirëfilltë letrare, botëror dhe kombëtar, bisedat me miq krijues atje, duhet ta them kishte një kulturë të lartë leximi atëherë në Shqipëri, besa edhe takimet letrare, veç sa e kishin konsoliduar përvojën time e të marruarit me poezi, këtë mbretesh të letërsisë. 

Edhe rikthimi im në Gjakovë, dhe takimet me Din Mehmetin, Besim Bokshin, Ali Podrimjen, Enver Gjergjekun, Teki Dervishin, Halil Haxhosajn, Engjëll Berishen, Agim Bycin, Albert Shalën e tj, anëtarësimi im në Klubin letrar “Gjon Nikollë Kazazi’, para lufte, këtu e 37 vjet me parë, zgjedhja e ime kryetar i Klubit në 2008, postë të cilin e mbajë ende, me profilizuan poetikisht si poet protestues, varg-sentence, me kredon, poet lind, por edhe poet bëhesh, jo duke vjedhur e mjelur të mëdhenjtë, por duke sjellë profilin tënd të pangjashme më të tjetrit. Deri diku ia kam arrit, po kam shumë për të bërë në atë drejtim ende. Pra, kjo është përvoja e ime si poet në Shqipëri dhe në Kosovë. 

 


A keni ndonjë vepër tuajën që e veçoni më shumë dhe a mund të na tregoni pse?

Përveç librave me poezi, Gjelbërimi Natën, Lutja e kthimit, Lotët e Luleve, Dialog me dhimbjen, Dhimbje e Bukur, Shqetësim Zhgënjimi, Portat e Arsyes, librave me tregime; Dritë e Zezë, Mjegullat e Kohërave, e katër romanëve: Data Njëmbëdhjetë, Qëndresë e Bardhe, Jeta e Rrënojave dhe Kufiri i Gjakut, veçojë tre romanet e mija: Data Njëmbëdhjetë, Jeta e Rrënojave, dhe sidomos “Kufiri i Gjakut”. Po e jap edhe arsyetimin. Te romani im i parë Data Njëmbëdhjetë, bien në dashuri Shkëlzeni dhe Diana si të rinj, i ndanë ideologjia shoviniste-titiste, madje Shkëlzeni dënohet nga e dashura e vet, në gjykatat e tiranisë së Beogradit nga Diana, e shenduar në gjykatëse, e dënon ish të dashurin më shtatë vite burgim, edhe pse në vete, ishte kundër dënimit që ia kërkonte pozita që kishte zgjedhur. 

Romani Jeta e Rrënojave, ka dy protagonistë, Reanin shqiptar dhe Sllavicën serbe, të cilët duhet të jetojnë jetën e rrënojave të pas tërmetit, Ndërkohë që Sllavica si ish supiste i ka vrarë motrën dhe vëllanë Reanit, ky nuk e di atë, ndërsa në nevojë serbja di të bëhet edhe grua e Reanit, të zërë një djalë më të, më emrin Als. Në rrethanat e hegjemonizmi, serbja e braktis Reanin, duhet vendos gjykata, kujt i takon djali.

Romani Kufiri i Gjakut, ka dy personazhe, Shpendin rekjan, 18 vjeçare dhe Zogën tropojas, 16 vjeçare, të cilët si të fejuar takohen veç një herë njëri me tjetrin, mrekullohen njeri me tjetrin dhe vendoset kufiri i gjakut në mes tyre në vitin 1948. I ndanë 42 vite kufiri dhe sado të afërmit i thonë, zgjidhni dikë tjetër për shoke jetë, ata kundërshtojnë pa hezitim dhe pa zëvendësim. Ndodhë mrekullia, kufiri bie në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar dhe ata bashkohen, u falë Zoti edhe fëmijë. Një mrekulli, apo jo e jona?! 

 


Kujt lexuesve i drejtohet letërsia juaj, vetëm të rriturve apo edhe fëmijëve?

Për të rritur kam shkruar vazhdimisht, ngjarjet dhe realiteti i ynë ka realitete temash të mëdha. Për të vegjël, është një lloj krijimtarie që jo çdo kush mund ta beje, pa e njohur botën e të vegjëlve, pa e kuptuar atë. Prandaj, sado letërsia e të vegjëlve me tërheq shumë, me duhet t’u kërkoj falje fëmijëve tanë, që pak i jam kushtuar.

 


Cilat janë gjuhët në të cilat është përkthyer krijimtaria juaj dhe si mendoni se është pritur ajo nga lexuesit ndërkombëtarë?

Përkthimi në gjuhët e botës, i krijimtarisë sonë, dhe i simes, sado që po shfrytëzon njohjet dhe klanet për ketë zeje, sado që po paguhet vet-përkthimi, nuk do të duhej ndodh kësisoj. Përkthimi i krijimtarisë së autorit në një gjuhë tjetër, do të duhej ndodh për shkak të vlerave të krijimtarisë, se vetëm asisoj, ajo krijimtari gjen lexues dhe kritike vlerësuese. Në fakt 90 për qind, të asaj që përkthehet në gjuhët e botës ka vet-pagimin e vet-përkthimit. Duhet ndalë kjo sa ma parë. Edhe unë kam vet-paguar për vet-përkthim në disa gjuhë, greqisht, anglisht, rumanisht, italisht, nuk kam paguar për në kinezisht, indishte, spanjisht, etj. Po të mos kisha marrë çmime ndërkombëtare, në greqisht, dy medalje të artë, atë të Aleksandërit të Madh dhe të Uneskos, po të mos ishte vlerësuar poezia ime në indishte dhe libanisht, nuk do të përmendja përkthimin e krijimtarisë sime në gjuhët e botës. Kadare ka pse të ndjehet krenar me përkthimin e veprës së tij, e ndonjë tjetër. 

 

Përpos shkrimit të librave ju për vite radhazi keni qenë edhe kryetar i klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë. Si e shihni rolin e këtij klubi në zhvillimin e kulturës letrare në Kosovë?

Po bëhen 16 vite që jam në drejtim të njeri prej Klubeve letrare me jetëgjatë në trojet shqiptare. Kjo, përpara se privilegj ka qenë një përgjegjësi në radhë të parë, të cilën jam munduar ta kryej më nder dhe përkushtim. Për ketë do të flas e ardhmja, jo unë tani. Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” dhe Mitingu i Poezisë janë aktiviteti letrar me jetëgjatë dhe më me peshë në jetën kulturore kombëtare. Përveçse kemi arrit ta mbajmë jetën letrare gjallë, me praninë e më të mirëve poet dhe shkrimtar, përveçse Klubi e bëri tejet ndërkombëtar Mitingun e Poezisë 20 viteve të fundit, sado në rrethana sfiduese, herë-herë me sfiduese se në robëri, se klasa politike e pasluftës në Kosovë, mund të mburret për gjithçka, veç për pro-kulturë s’mund të ngrish zërin kurrsesi.

 


Ju jeni autor i shumë veprave letrare, por gjithashtu punoni edhe si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën e Mesme të Mjekësisë "Hysni Zajmi" në Gjakovë. Si e shihni lidhjen midis krijimtarisë suaj letrare dhe rolit tuaj si profesor në një shkollë të specializuar për mjekësi?

Unë vërtet punoj në një shkollë, e profilit profesional, mirëpo ligjëroj kryesisht letërsinë si lëndë dhe gjuhën si kulturë gjuhësore, pjesërisht. Pra, duke ligjëruar letërsinë botërore, atë kombëtare, në të gjithë epokat e saj, çdo ditë kam punë me shkrimtarët më të mirë botërore dhe kombëtar. Mund të pyetet: sa e duan nxënësit e mjekësisë letërsinë? Ajo varet edhe nga profesori, nëse ai arrin të bëjë të dashur atë për ta. Dhe them se një pjesë e tyre e duan, e lexojnë dhe prezantojnë me pasion. Por unë, në përvojën time bukur të gjatë si mësimdhënës, kam vërejtur se lexon nxënësi i mirë dhe lexohet libri i mirë. Nxënësi që nuk lexon është përgjegjësi e mësimdhënësit, atij të fillorit parë-sisht. Këtu duhet ndërhyrë urgjentisht. Edhe në shkollat e lartë, patjetër.

 

A ka pasur ndryshime në interesimin dhe perceptimin e nxënësve ndaj letërsisë dhe poezisë gjatë viteve? Nëse po, cilat janë ndryshimet më të dukshme që keni vërejtur midis gjeneratave?

Më parë poezia dhe letërsia në përgjithësi, është dominuar nga tematika e qëndresës së kombit, është lexuar dhe shkruar e tillë, tani të rinjtë kanë preokupime të tjera dhe synime të kohës së tyre. Duhet ta them, pavarësisht, ndryshimit të tematikes, një gjë nuk do të ndryshoj asnjëherë, leximi i poezisë së mirë dhe letërsisë së mirë. Të rinjtë sot janë të lirë çka më lexuar dhe çka më shkruar. Kjo liri e tyre me gëzon dhe jep shpresë, se ata edhe do të shkruajnë krijimtari çfarë e shkruan bota më progresiste. Ky ndryshim i tyre më lumturon. 

 


Si mund të përdorni këto ndryshime për të përmirësuar mësimdhënien dhe për të bërë letërsinë më tërheqëse për të gjitha gjeneratat e nxënësve?

 Edhe mësimdhënia bashkëkohore ka të mirat e veta, por zanafilla e leximit të letërsisë e ka vendin në shkollat fillore, aty mbillet fidani i leximit, ujitet dhe mirëmbahet në vazhdim. Nëse aty, nuk mbillet fidani i dashurisë për lexim, nuk do të ketë dashuri për lexim, i cili është ushqimi kryesor ndaj librit. Fatkeqësisht një pjesë e mësimdhënëseve lexojnë pak për veti, janë tejet të varfër me leximin dhe si mund ta përçojnë ata dashurinë për lexim tek nxënësi, kur nuk e kanë vet? Ketë defekt duhet ndreq sa më parë. Nxënësi nuk është fajtor, që të mos lexoj, pasi që, të lexuarit zhvillon të menduarit dhe të marruarit më letërsi, shpirtërisht i prosperon të rinjtë. 

 


Si e shihni rolin e letërsisë dhe poezisë në shoqërinë moderne, veçanërisht në një kohë kur teknologjia ka një ndikim të madh në lexueshmërinë dhe kulturën e leximit?

Letërsia dhe poezia moderne janë shumë elitare. Për ta kuptuar atë duhet pasur njohuri të stilistikës, strukturës poetike, doemos. Teknologjia i ka të mirat e veta, se ta afron leximin, ta mundëson njohjen më të, shpejtë. Por, rrjetet sociale, janë bërë edhe qerthuj të gjithçkaje dhe të çfarë doje e prezantuar. Nuk po e përmend definicionin e Umberto Ekos për internetin, por po jap një porosi timen, për ta kuptuar letërsinë e mirë duhet të kesh të ndërtuara shijet e mirëfillta, nëpërmjet leximit të letërsisë së mirëfilltë. Po të shikojmë rrjetet sociale, cila lloj e shkrimit vlerësohet, tmerrohemi. 

 


Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballuar si shkrimtar dhe mësimdhënës, dhe si i adresoni ato në punën tuaj të përditshme?

Si shkrimtar, secili kemi sfida, sepse e shkruajmë librin dhe për ta botuar atë, ke shumë pak përkrahje financiare, për të mos thënë aspak. Ose, përkrahja shkon për diletantin dhe jo për profesionalin. A e dini pse? Sepse në vende kryesore të kulturës kemi njerëz të politikës, mund të thuhet njerëzit më akulturor na udhëheqin kulturën. Fatkeqësisht. Projektet e shkrimtarit mbështeten shumë pak. Shkrimtaret mbijetojnë me veten e tyre të pak përkrahur, të aspak përkrahur.

  Si mësimdhënës, sfidën kryesore e ke nxënësin, si ta bëjmë atë që të mësoj. Si t’ia afrojmë sa më mirë lenden nxënësit për ta përvetësuar. Transicioni në sistemin arsimor tek ne, ka pasojat e veta, sepse, mësimdhënësi, përballët përditë me ndryshime, të pa studiuara mirë, madje që vijnë nga lartë poshtë, ndërkohë që do të duhej ndodh e kundërta. 

 

 

Për fund, a keni ndonjë mesazh për gjeneratat e reja që duan të hyjnë në botën e letërsisë, por nuk e dinë se si?

Po, kam mesazh për gjeneratat e reja: Të lexojnë veprat më të mira të letërsisë botërore dhe kombëtare. Duke i lexuar ato do të hapin horizonte të qarta për veten dhe kohën që e jetojnë. Duke lexuar, do të jenë më të ditur dhe me të sigurte në jetë. Së pari lexoni, lexoni, lexoni, pastaj provoni edhe të shkruani. Do të shikoni sa të suksesshëm do të jeni. Një autor i lexuar ka një premisë të madh përpara vetes, për t’u bërë edhe krijues i pranuar, besa edhe i çmuar nga publiku i tij. Pse jo, edhe ai botërore. 

Gati të gjithë krijuesit e mëdhenj kombëtar dhe botëror, kanë lexuar shumë, leximi i ka ushqyer me përvoja të pararendësve. Unë kam përfituar nga kjo këshillë e pararendëseve të mijë! 

Në fund shfrytëzoj rastin të falënderoj gazetaren Arlinda Hajdaraj, lidhur me pyetjet, të cilat me mundësuan që të shpalos, disa nga mendimet e mija për poezinë, letërsinë në përgjithësi dhe mësimdhënien si profesion. Mirënjohje! 




Intervistoi: Arlinda Hajdaraj
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

517 Lexime
1 javë më parë