NOVACIONET

Tri tendencat e arsimit, që lidhen me transformimet e së ardhmes

Përhapja e shpejtë e COVID-19 na ka mësuar rëndësinë e rezistencës për të përballuar kërcënime të ndryshme. Pandemia është një mundësi për t’i kujtuar vetes se sa të rëndësishme janë zgjidhjet kreative në këtë botë të paparashikueshme.

Përhapja e shpejtë e COVID-19 na ka mësuar rëndësinë e rezistencës për të përballuar kërcënime të ndryshme, si sëmundja pandemike deri te dhuna ekstremiste, apo pasiguria klimaterike dhe sigurisht, ndryshimi i shpejtë teknologjik. Pandemia është gjithashtu një mundësi për t’i kujtuar vetes se sa të rëndësishme janë zgjidhjet kreative në këtë botë të paparashikueshme. Një artikull nga World Economic Forum. 


• Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar mënyrën e edukimit. 

• Zgjidhjet e reja për arsimin mund të sjellin risi shumë të nevojshme.

• Qasja drejt digjitalizimit mund t’i hapë rrugë edhe më tepër pabarazisë. 


Koronavirusi (COVID-19) ka ndryshuar mënyrën e edukimit të nxënësve në të gjithë botën. Këto ndryshime na japin një vështrim se si arsimi mund të ndryshojë për mirë, ose për keq, në një plan afatgjatë.


Me koronavirusin që përhapet me shpejtësi në Azi, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara, vendet kanë ndërmarrë vendime të shpejta për të zbutur përhapjen e pandemisë. Njoftimet e pezullimit të shkollave kanë qenë të njëpasnjëshme. Që nga 13 Marsi, OECD vlerësoi se mbi 421 milion fëmijë, nuk e kanë ndjekur fizikisht procesin e mësimdhënies, por virtualisht. 39 vende e kanë mbyllur shkollën plotësisht dhe 22 vende kanë realizuar një mbyllje të pjesshme. 


Këto vendime të kontrollit të rrezikut kanë “detyruar” nxënësit t’u përshtaten shkollimit në shtëpi. Ndryshimet e pësuara herë kanë shkaktuar bezdi, e herë të tjera janë konsideruar “inovacion arsimor”. Megjithatë është shumë herët për të gjykuar sesi COVID-19 do të ndikojnë në sistemet arsimore në mbarë botën. Studiuesit vërejnë disa shenja që sugjerojnë se njëri nga efektet pozitive të pandemisë është rritja e trajektores së inovacionit dhe arsimit digjital. 


Më poshtë, ju ftojmë të ndiqni tri tendencat që lidhen me transformimet e së ardhmes:


1. Edukimi - i detyruar të ndryshojë, mund të çojë në risi befasuese

Ritmi i ngadaltë i ndryshimeve në institucionet akademike, në nivel global është për të ardhur keq. Përballemi me të dhëna dëshpëruese. Paragjykime institucionale të ngulitura, klasa të vjetëruara, të pahigjenizuara, mësues të pamotivuar janë disa nga problematikat. Sidoqoftë, COVID-19 është bërë një katalizator për institucionet arsimore në të gjithë botën për të kërkuar zgjidhje inovative në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.


Për të ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes së virusit, studentët në Hong Kong filluan të mësojnë në shtëpi, në shkurt, përmes aplikacioneve ndërvepruese. Në Kinë, 120 milion kinezë kanë qasje në materiale mësimore përmes transmetimeve të drejtpërdrejta televizive.


Zgjidhje të tjera më të thjeshta, por jo më pak krijuese, u zbatuan në të gjithë globin. Në shkollat nigeriane, u shtuan videot ballë për ballë, me programe si google classroom, për të ndihmuar në parandalimin e mbylljes së shkollës.


Në mënyrë të ngjashme, nxënësit e një shkollë në Liban filluan të përdorin mësimin në internet, madje edhe për lëndë të tilla si edukimi fizik. Nxënësit dërgonin mësimet e tyre me anë të videove të realizuara gjatë kohës kur ushtronin aktivitetin fizik, duke e servirur si "detyrë shtëpie". Prindi i një nxënësi tha: “Stërvitja sportive zgjati disa minuta, ndërkohë që djali im kaloi tre orë duke xhiruar, redaktuar dhe dërguar videon në formatin e duhur për mësuesin e tij”. Pra, fitoi edhe aftësi kompjuterike. 


Me rrjetin 5G ne shohim nxënës që përqafojnë konceptin ‘e të mësuarit kudo, në çdo kohë’. Mësimi tradicional në klasë do të plotësohej me modalitete të reja të të mësuarit - nga transmetimet live deri te përvojat e realitetit virtual. Mësimi online mund të bëhet një zakon i integruar në rutinat e përditshme – stil jetese. 


2. Rritja e partneritetit mes shkollave publike dhe atyre private

Këto javë, shumë aktorë janë përfshirë në arsim: qeveritë, botuesit, profesionistët e arsimit, ofruesit e teknologjisë, operatorët e rrjetit, etj., që vijnë së bashku për të shfrytëzuar platformat dixhitale si një zgjidhje e përkohshme e krizës. Në vendet në zhvillim ku arsimi kryesisht është siguruar nga qeveria, kjo mund të bëhet një prirje mbizotëruese dhe pasuese për arsimin në të ardhmen.


Në Kinë, Ministria e Arsimit ka mbledhur një grup elektorantësh të ndryshëm për të zhvilluar një platformë të re të mësimit dhe transmetimit në internet, bazuar në i-cloud, i përditësuar nga një grup që përfaqësojnë infrastrukturën arsimore, të udhëhequr nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit.


Në po të njejtën mënyrë, forumi readtogether.hk me bazë në Hong Kong, përfshin mbi 60 organizata arsimore, botues, media dhe profesionistë të industrisë argëtuese, duke siguruar më shumë se 900 asete arsimore, përfshirë video, kapituj librash, mjete vlerësimi dhe shërbime këshillimi falas. Synimi i tyre është që të vazhdojë përdorimi dhe mirëmbajtja e platformës edhe pasi COVID-19 të jetë larguar. 


Përmes këtyre shembujve, është e qartë se risia arsimore po merr vëmendje përtej projektit tipik shoqëror të financuar nga qeveria apo organizatat jo-fitimprurëse. Në dekadën e kaluar, ne kemi parë një interes shumë më të madh për investime në arsim nga sektori privat. Nga Microsoft dhe Google në SH.B.A. tek Samsung-u në Kore, apo Alibaba në Kinë. Nëse deri më tani këto nisma kanë qenë të kufizuara në shtrirje dhe relativisht të izoluara, tashmë pandemia mund të hapë rrugë për investime edhe më të mëdha, edhe më ndërkombëtare, për t’iu afruar një qëllimi të përbashkët arsimor. 


3. Pabarazia socio-ekonomike, në duar të digjitalizimit

Shumica e shkollave në zonat e prekura po e shikojnë si mundësi mësimdhënien online edhe për vitin e ardhshëm shkollor. Por cilësia e të mësuarit varet shumë nga niveli dhe cilësia e qasjes dixhitale. Rreth 60% e popullsisë së globit ka akses në internet. Nëse ne Hong Kong të jesh pjesë e një klase virtuale është gjëja më normale, në një vend tjetër me ekonomi më pak të zhvilluar nxënësit dhe mësuesit mbështeten ende ne detyra të dërguara përmes WatsApp-it.


Kosto e pajisjeve duhet të ulet dhe cilësia e rrjetit duhet të rritet në të gjitha vendet. Vetëm nëse realizohet kjo mund të flasim për cilësi në arsim dhe barazi socio-ekonomike. Nëse qasja arsimore diktohet nga teknologjitë më të fundit, diferencimi mes klasave shoqërore mund të prekë ekstremitetet. 



Burimi: https://www.weforum.org/agenda/2020/03/3-ways-coronavirus-is-reshaping-education-and-what-changes-might-be-here-to-stay


Përktheu: Parajsa Shtini

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,448 Lexime
9 muaj më parë