UNESCO ndërhyn për të shpëtuar shkrimin e dorës në epokën dixhitale
UNESCO ka nisur një nismë globale për të mbrojtur shkrimin e dorës, i cili po zbehet nga teknologjia. Ekspertët theksojnë se ai ndihmon zhvillimin e trurit, përqendrimin dhe të nxënit te fëmijët.
UNESCO ka hedhur një hap të rëndësishëm për të mbrojtur shkrimin e dorës, një aftësi që po zbehet gjithnjë e më shumë për shkak të dominimit të teknologjisë dixhitale në jetën e përditshme dhe në shkolla.
Në një kohë kur fëmijët dhe të rriturit komunikojnë kryesisht përmes tastierave, ekraneve me prekje dhe pajisjeve elektronike, shkrimi tradicional me dorë po humbet terren. Megjithatë, përtej aspektit praktik, ai mbart një vlerë të thellë kulturore dhe njohëse. Prej shekujsh, shkrimi i dorës ka qenë jo vetëm një mjet komunikimi, por edhe një shprehje e zhvillimit intelektual dhe identitetit njerëzor.
Ekspertët e arsimit dhe neuroshkencës theksojnë se shkrimi me dorë luan një rol kyç në zhvillimin e trurit të fëmijëve. Ndryshe nga shkrimi në tastierë, ai aktivizon njëkohësisht koordinimin e dorës, syrit dhe mendimit, duke ndihmuar në formimin e aftësive motorike të imëta dhe në përvetësimin më të mirë të leximit dhe shkrimit.
Studime të publikuara nga institucione si Universiteti i Norvegjisë për Shkencë dhe Teknologji (NTNU) dhe Universiteti i Indiana-s kanë treguar se nxënësit që shkruajnë me dorë mbajnë mend më mirë informacionin dhe e kuptojnë më thellë atë që mësojnë, krahasuar me ata që përdorin vetëm tastierën.
Po ashtu, kërkime të përmbledhura nga American Psychological Association (APA) dhe Frontiers in Psychology lidhin rënien e praktikës së shkrimit me dorë me shtimin e vështirësive si disgrafia, disleksia dhe probleme në përqendrim e organizim të mendimit.
Në këtë kontekst, nisma e UNESCO-s synon të rikthejë shkrimin e dorës në zemër të procesit arsimor. Projekti përfshin masa për ta integruar më fort në kurrikula, për të inkurajuar praktikën e përditshme të tij, sidomos në moshat e hershme, si dhe për ta promovuar si një aftësi që duhet ushtruar gjatë gjithë jetës.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e kësaj nisme është ruajtja e trashëgimisë së shkruar me dorë dorëshkrimeve, dokumenteve historike dhe veprave artistike, të cilat përfaqësojnë një pasuri unike të qytetërimit njerëzor.
Për UNESCO-n, shkrimi i dorës nuk është thjesht një teknikë e vjetër që po zëvendësohet nga teknologjia, por një pjesë thelbësore e mënyrës se si njeriu mëson, mendon dhe transmeton dijen nga një brez tek tjetri. Në një botë gjithnjë e më dixhitale, organizata synon të rikujtojë se mbrojtja e kësaj aftësie është investim në cilësinë e arsimit dhe në zhvillimin e shëndetshëm kognitiv të fëmijëve.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Masa të Kodit të Punës për kujdesin e fëmijëve dhe lejet prindërore
Sot eklipsi i hënës, pas dy javësh i diellit