refleksion

"Vitet e punës më japin titullin e mjeshtrit"

Kur një drejtuesi të një institucioni të rëndësishëm, pas 30 vitesh pune iu kërkua të tregonte dëshmitë e kualifikimeve, trajnimeve e letrave të tjera për t'i vërtetuar këto, ai tha: -Kam 30 vite punë, dhe kjo më jep titullin e mjeshtrit.

Arsyeja për të shkruar këtë refleksion, ishte një batutë e takuar në mediet audio vizive: Kur një drejtuesi të një institucioni të rëndësishëm, pas 30 vitesh pune iu kërkua të tregonte dëshmitë e kualifikimeve, trajnimeve e letrave të tjera për t'i vërtetuar këto, ai tha: 

-Kam 30 vite punë, dhe kjo më jep titullin e mjeshtrit në profesionin tim.


Duke qenë se përvoja ime në profesionin e arsimtarit afron deri diku me atë të drejtuesit të mësipërm (bëhen rreth 25 vite në arsim dhe pothuaj po kaq në prindërim), vendosa të deduktoj referencat e mia si mësues dhe prind përgjatë eksperiencave me nxënës/fëmijë të grupmoshave të ndryshme në fokusin e marrëdhënieve të tyre me prindërit dhe sidomos nënat. Janë, në fakt, disa parime që më tepër se rregullojnë sjelljen e komunitetit të prindërve me fëmijët-nxënës, deduktojnë relacione të prindërve me fëmijët e tyre, vështruar nga perspektiva dhe pozicioni i edukatorit dhe prindit.   


1. Një fëmijë nuk është një projekt, është një njeri. Një bir/bijë nuk është një version i ri dhe i korrigjuar i vetes tënde. Nëse ty të ka mbetur peng që nuk ke studiuar piano në fëmijërinë e rininë tënde të hershme, je gjithmonë në kohë; mund të marrësh tani mësime. Por ama jo detyrimisht duhet që fëmija yt të nisë, mbase edhe forcërisht rrugën e artit, qoftë kjo piano apo kitarë. Pengjet tona, s'kemi përse ua faturojmë fëmijëve.


2. Të jesh prind do të thotë të kesh nevojë për ndihmë. Miku më i mirë i një prindi është një prind tjetër. Armiku më i keq i një prindi është gjithashtu një prind tjetër. Duhet të dish të dallosh të parët nga të dytët. Idetë mbi mënyrën se si t'i rrisim, edukojmë e formojmë fëmijët tanë, nuk janë fikse e shabllone, por të shumëllojshme e të ndryshueshme. Nëse përballë ke një prind sjellja e të cilit është në mënyrë konstante e bezdisshme, gjykuese e agresive, nuk ka asnjë arsye për ta frekuentuar atë. 


3. Rriti fëmijët dhe më pas hapua udhën që të ikin. "Të dua kaq shumë, sa kërkoj të të largoj nga vetja", i kam thënë tim biri, ndërsa 18 vjeç i bëja gati valixhen e largimit. Pasi ke mundur vetveten, atëherë do të ndodhë që të të duan akoma më shumë nga ç'pret ti të të duan. Në fillim do të kenë ata nevojë për ty më tepër se ti për ta, por më pas do të ndodhë e kundërta. Kur shtëpia jote do të jetë përsëri e rregullt, e pastër dhe e shndritshme, menjëherë do të jetë edhe krejt e zbrazur. 


4. Maturia është një prej formave të inteligjencës, por nuk është e vetmja dhe jo domosdoshmërish më e rëndësishmja. Në tre fëmijë të një çifti, njëri arrinte të lexonte germat e alfabetit që në moshën dy vjeç e tre muaj. Por kjo, si edhe avantazhet e tjera intelektuale të tij, ishin pothuajse të painfluencueshëm në periudhën e shkollimit. Kjo vjen sepse rritja është proces. Çdo person është një agregat elementesh, të cilat në ndërveprim me balancuesit e tjerë, luajnë në ndihmë ose jo të formimit të vetë personit. Mbi maturinë kam mësuar më së fundi, se talenti nëse nuk ushqehet, të lë në baltë herët a vonë. 


5. Inteligjenca dhe puna janë kusht për përparimin në shkollë. Inteligjenca dhe puna janë dy elemente të lidhura ngushtë në disa individë dhe totalisht të pagjendur tek disa të tjerë. Problemi është se shumë prindër, në mënyrë tipike, e harrojnë këtë gjë kur bëhet fjalë për fëmijët e tyre. ----Ka persona inteligjentë me shumë pak dëshirë për të studiuar, duke e bërë këtë fakt determinues në jetën e tyre. 

-Siç edhe ka persona punëtorë, të zellshëm, sistematikë, por të privuar nga indikacionet e një gjeniu. 

-Realiteti na ka ofruar gjithashtu, persona inteligjentë e studiozë që pastaj janë shkërrmoqur në kalimin nga shkolla në botën e punës, sepse kjo e dyta kërkon më shumë thonj e agresivitet se sa e para. 

-Por janë edhe ata, të tjerët, manifestimet e inteligjencës të së cilëve, nuk arrijnë të shprehen në shkollë sepse ata nuk e gjejnë veten në mjedisin e tyre, pavarësisht arsyeve që nuk është rasti t'i rendisim.  


6. Është e bukur dhe e drejtë të kërkosh te fëmijët vlerat e tua, shijet e tua dhe t'i furnizosh me stimuj kulturalë. Është e natyrshme që pas kësaj të presësh rezultatet. Por për të gjykuar duhet pritur të rriten. T'i japim kohës kohë. Të mos e bezdisim fëmijën. Më mirë një prind i qetë se sa një prind ambicioz. 


7. Nuk është e thënë që fëmija yt të ketë të njëjtat interesa me ty. Madje, nëse perifrazojmë Oskar Wilde, lidhur me këtë çështje ai ka një parim të vetin: mos shpreso që fëmija yt të ketë interes a interesa të larta, mjaft të ketë një. Djalit tënd mund t'i pëlqejnë gjërat që ti urren dhe mund të mos i pëlqejnë gjërat që ti adhuron. Kështu, nëse ty të pëlqen Balzaku dhe adhuron dansin klasik, mëso se ka më shumë mundësi të të qëllojë një vajzë që lexon vetëm në monitorin e smartfonit ose mendon që nesër t'i dedikohet futbollit të femrave. Kur ti t'i kesh thirrur mendjes dhe të kesh më në fund dëshirën dhe vullnetin të ndjekësh sukseset e futbollit të vajzave, do të shohësh se vajza jote nuk do të ketë më ato interesa, por të tjera që mund të mos takojnë fare me sportin vetë. 


8. Nëse fëmija yt frymëzon krejt interesat e tua, do të thotë që ende nuk është rritur. Nëse njësoj si ti adhuron të lexojë dhe të kërcejë dansin klasik, por nuk ka arritur ende pubertetin, prit para se të gëzohesh. Ti ende nuk e di se çdo të ndodhë kur të jetë adoleshent dhe t'i duhet të konkurrojë me ty, të të kritikojë e më keq akoma të kërkojë të të shkatërrojë. Shijoje për momentin por kryqëzo gishtat: nuk i dihet kurrë...


9. Prindërit nuk janë zoti, kështu që nuk kanë as të gjitha të drejtat dhe as të gjitha fajet. Nëse fëmija yt është i pari i klasës, përqendrohet qetësisht për orë të tëra duke lexuar, ia del mbanë lehtësisht në të gjitha sportet dhe është mjaft i shoqërueshëm e buzagaz, nuk do të thotë që kjo ka të bëjë absolutisht me aftësitë e tua prindërore, siç besojnë shumica e prindërve. Në fakt, ju, (të dy prindërit) i keni kaluar atij fëmije gjenet e duhura, të cilat jo domosdoshmërish janë tuajat. Mund të ndodhë që ju si prindër të jeni "mbartës të shëndetshëm e të shkëlqyer" të një zinxhiri gjenetik superior. Nëse është fëmijë i vetëm, problemi është se ju nuk do ta kuptoni kurrë dhe do ta lidhni suksesin e tij me sjelljet tuaja. Nëse keni më shumë se një fëmijë, brenda zemrës suaj ju e ndieni që kjo që po them është e vërtetë. 


10. Kur ke më shumë se një fëmijë, ajo që ka funksionuar me njërin, jo gjithmonë do të funksionojë me tjetrin, madje edhe po të jenë binjakë. Në çdo rast, në secilën prej prindërimeve do të rrisësh përvojën tënde, do rrisësh vetëbesimin, por po ashtu edhe lodhjen. Prindërimi është e vetmja lojë në të cilën çdo ditë rolet ndryshojnë. 

             

(Natasha Shuteriqi Poroçani; Portali Shkollor)

14,248 Lexime
5 vjet më parë