Psikologjia në vizatim

Vizatimi në shkollë si mjet psikologjik; çfarë duhet të dimë? Nga Lorela Garuli

Vizatimi mund të konsiderohet si mënyrë e shprehjes së ekzistencës, sepse është një formë të shkruari, të psikologjisë së brendshme së fëmijës, të historive të tij, imazhe që mbeten në fletë. Kur fëmija vizaton dhe pikturon, po tregon për veten dhe mjedisin e tij.

Në vizatim fëmija reflekton ndjenjat e veta, zhvillimin intelektual, krijimtarinë, ndjeshmërinë, shqisat, pjekurinë socio-afektive. Përveç se argëtues, vizatimi mund të jetë një valvulë shkarkimi për ankthet dhe përjetimet stresantë të fëmijës; kur i shpreh nëpërmjet të vizatuarit, ndjenjat negative ulen.


Ndër mjediset më të rëndësishëm ku vizatimi luan rol dhe gjen zbatim është ai edukues. Këtu ku fëmija fillon të praktikojë zhgarravitjet e tij të para në fletë, është thelbësore që ai të ketë të gjitha hapësirat e mundshme për të eksploruar, për t’u lejuar që të shprehet i lirë për të qenë kreativ, duke eksperimentuar mbi mjedisin, duke ngatërruar ngjyrat, duke u bërë pis, me qëllim për t’i bërë të mundur njohjen e lojës dhe vizatimit sipas mënyrës së tij individuale.


Për t’i bërë të mundur krijimin e një mjedisi që mirëpret krijimtarinë dhe lirinë e fëmijës në këtë drejtim, është e domosdoshme që të dilet prej stereotipeve, prej kufijve striktë të cilët pengojnë çdo shprehje individuale. Do të thotë se në mjediset edukuese dhe shkollore duhen shmangur modelet e gatshme, riprodhimi dhe të punuarit sipas tyre, ku fëmijët duhet vetëm t’i kopjojnë dhe t’i imitojnë. Për këtë nevojitet që t’i jepet vizatimit një hapësirë dhe një kohë e vetja, me qëllim që të parapërgatitet terreni për t’i dhënë mundësinë fëmijës të sjellë produktin e vet origjinal.


Ndër të tjera, vizatimi shpesh flet për mënyrën sesi fëmija e konsideron këtë produkt të tijin dhe sesi e sheh përballë bashkëmoshatarëve, përballë grupit, përballë mësuesve; mund të shprehet i kënaqur dhe krenar për atë që ka vizatuar: “është më i miri”, apo të ndihet i turpëruar, i ndrojtur, i pakënaqur për rezultatin: “nuk di ta bëj”, “ka dalë shumë i shëmtuar”.


Duke e konsideruar vizatimin si një nga burimet e njohurive mbi fëmijën, mbi atë që shpreh dhe tregon për të, do të kemi në dorë një instrument më shumë për t’i kuptuar dhe për t’iu afruar fëmijës.


Që prej mjedisit të kopshtit, profesionisti përkatës që është përgjegjës për zhvillimin e shëndetshëm psikosocial të fëmijës, mund t’i përdorë testet projektive grafike në rastet që e sheh të arsyeshme. Informacioni i marrë prej vizatimeve të para që fëmijët do të kryejnë në kopësht i jep psikologut që punon me të informacion të përgjithshëm lidhur me: zhvillimin e motorikës, zhvillimin kognitiv, zhvillimin social dhe afektiv. Përdorimi i vizatimit është një mënyrë shumë e mirë dhe efikase nëpërmjet së cilës mund të vendoset kontakti me fëmijën dhe të nisë marrëdhënia me të. Do të thotë se krahas vlerësimit, vendoset komunikimi me fëmijën. Përfaqësimet e para grafike në formën e zhgarravitjeve dhe interpretimi përkatës përbëjnë një fond të vlefshëm informacioni mbi identitetin e fëmijës dhe ndihmojnë në identifikimin e rasteve që paraqesin vështirësi në zhvillim, problematika që vijnë nga familja dhe pasqyrohen në humorin e fëmijës, praninë e mundshme të traumave, humbjeve e vuajtjeve.


Përdorimi i ngjyrave në vizatime prej fëmijës është i një rëndësie të veçantë. Një fëmjë 4-vjeçar që nuk përdor ngjyrat dhe një moshatar i tij që ngjyros në formë të moderuar, sigurisht që kanë dallime mes tyre. Format dhe mënyrat e të vizatuarit i paraprijnë komunikimit verbal; grafikisht, fëmija tregon atë që ka brenda. Në moshën parashkollore ku ngjyrosja është një nga aktivitetet më argëtuese dhe burim kënaqësie për fëmijët, vëzhgimi i këtij aspekti nuk duhet të neglizhohet.


E njëjta logjikë vlen dhe për kontekstin shkollor. Psikologu i shkollës mund të mbështetet tek testet grafikë projektivë sa herë i duhet të bëjë vlerësime dhe të njohë nxënësin e adoleshentin që ka përpara. Me fëmijët më të vegjël të shkollës fillore testet projektivë mund të përdoren më shpesh, për të ndërmarrë iniciativën e njohjes së personalitetit të tyre dhe të sistemit të mekanizmave mbrojtës që fëmijët kanë përballë stresorëve ambientalë. Kjo do të shërbente si një masë “parandalimi”, ku vlerësimet kryhen jo vetëm kur paraqitet një problematikë dhe lind nevoja për të kuptuar arsyet, por në çdo moment. Në këto raste mund të përdoret testi i vizatimit të figurës njerëzore, të pemës, të familjes dhe të njeriut nën shi.


Është e rëndësishme të realizohen në mënyrë individuale, për të shmangur shpërqendrimet të cilat më pas do të reflektoheshin në rezultate. Nëse kjo është praktikisht e pamundur, mund të realizohen në grupe të vogla.


Në nivel të shkollës 9-vjeçare testet projektivë grafikë mund të marrin një qëllim tjetër; do t’i shërbejnë njohjes më të mirë të vetes të nxënësve, të cilët tanimë janë adoleshentë. Me të njëjtin objektiv ato mund të përdoren në shkollën e mesme, ku paraqitja dhe interpretimi i vizatimeve përkatëse do t’i shërbejë edhe nisjes së një bisede me adoleshentin, njohjen me konfliktet e brendshme nëpër të cilat ai po kalon, me çfarë i pëlqen, abuzimin me substancat dhe sjelljen seksuale.


Nga Lorela Garuli, psikologe


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

664 Lexime
3 javë më parë