Reflektim

Vlerat e prindërimit: Sakrificat që formojnë karakterin e fëmijës

Në reflektimin e Fiqiri Çiflikut, prindërimi nuk matet me pasuri, por me vlerat që lë një prind tek fëmija. Historia e një babai që i mëson të birit ndershmërinë dhe dashurinë përmes sakrificës, tregon se vlera e vërtetë e prindërimit qëndron në karakterin që formon, jo në mundësitë materiale.

Nga Fiqiri Çifliku 


"Nuk mund të përgatisim të ardhmen për fëmijët tanë, por mund të përgatisim fëmijët tanë për të ardhmen."- thotë Franklin D. Roosevelt. 


Sa mirë e kryejnë prindërit shqiptarë këtë detyrë hyjnore. Një histori e veçantë e treguar nga një zonjë në një emision mëngjesi, më ka lënë një gjurmë të jashtëzakonshme për prindërimin dhe vlerat familjare. Po e tregoj me pak fjalë…


Në një shtëpi të vogël, ku ajri mbante aromën e drurit të djegur dhe të djathit të vjetër, buka nuk ishte gjithmonë e mjaftueshme dhe nganjëherë darka ishte thjesht një copë djathë e ndarë me kujdes. Megjithatë, babai nuk e linte kurrë të birin të ndjente mungesën e dashurisë. Çdo natë, përpara se të flinin, ai i fliste për ndershmërinë, për integritetin, për vlerën e të qenit njeri i mirë, edhe kur jeta të vendoste përballë vështirësive.


Një natë, pasi ishin ulur pranë tryezës dhe kishin ndarë copën e fundit të djathit, djali vuri re gjurmët e dhëmbëve të babait mbi të. Ai e pa atë shenjë dhe e ndjeu si një testament, një dëshmi të sakrificës, të dashurisë dhe të asaj që mbetet pas kur një prind jep gjithçka për fëmijën e vet.


I rritur, i ndershëm, një njeri me integritet, pa pasuri të madhe, por me zemrën që babai i kishte mësuar të kishte, e kujtonte atë copë djathë, si kujtimin më të vlefshëm të fëmijërisë. Një kujtim që i tregonte se prindërimi nuk matet me bollëkun, por me atë çka lë pas në shpirtin e fëmijës.

 

Tashmë po jetojmë në një botë ku shpesh prindërimi matet me mundësitë financiare, ndaj është e rëndësishme të kuptohet se dashuria dhe karakteri i prindit tejkalojnë çdo aspekt material. Vlerat e vërteta të prindërimit qëndrojnë në ndershmëri, integritet dhe dashuri. Një prind i pasur mund të sigurojë rehati e luks, por një prind me integritet siguron karakterin. Gjurmët e dhëmbëve mbi djathë bëhen një simbol i sakrificës, i kujtesës dhe i trashëgimisë së një prindi që nuk la pas pasuri, por një ideal.


Një fëmijë nuk ka nevojë për lodra të shtrenjta apo për një dhomë plot me gjëra luksi-ka nevojë për një prind që e dëgjon, e udhëzon dhe i mëson se cilat janë vlerat themelore të jetës. Çasti i darkës së varfër me djathin e ndarë nuk ishte një moment turpi, por një moment lidhjeje, një moment që tregon se babai ishte aty, i gatshëm të ndante gjithçka kishte. Dashuria nuk matet në sasi, por në veprime.


Gjurmët e dhëmbëve mbi djathë nuk janë vetëm një detaj i rastësishëm, ato mbartin një peshë të thellë simbolike. Në këtë histori, ato përfaqësojnë përkushtimin e një prindi, shenjat e sakrificës së tij për të siguruar që fëmija të rritet me një model të drejtë dhe të ndershëm. Ato janë dëshmia që, edhe në varfëri, një prind mund të lërë pas diçka më të vlefshme se çdo pasuri materiale. Ai lë një frymë të pastër dhe një udhëzim të shëndetshëm për jetën.


Nëse kjo histori do të shfaqej në një debat mbi prindërimin dhe gjendjen ekonomike, në televizione apo do të materializohej në një film mund të përdorej për të rrëzuar mitin se një prind i mirë duhet domosdoshmërish të ketë mjete financiare të bollshme. Sigurisht do t'ia kalonte edhe serialit anglez “Adoleshenca”. Shoqëria shpesh e barazon suksesin e prindërimit me mundësitë materiale, por realiteti tregon se janë vlerat që formojnë një fëmijë dhe jo rrethanat ekonomike. Në fund të fundit, një fëmijë që rritet me dashuri, me mësime të qarta mbi ndershmërinë dhe me një prind që i qëndron pranë, do të jetë një individ më i fortë se dikush që ka pasuri, por jo udhëzim moral.


Sigurisht, djali i rritur e kujton fëmijërinë e tij, ai nuk mban mend lodra të shtrenjta, udhëtime luksoze apo tryeza plot me ushqim, por besoj se e mban mend gjurmët e dhëmbëve të babait të tij mbi djathë. Ajo shenjë është më e rëndësishme se çdo dhuratë e shtrenjtë.


Po e mbyll me shprehjen e James Baldwin: "Fëmijët kurrë nuk kanë qenë shumë të mirë në dëgjimin e të moshuarve të tyre, por ata kurrë nuk kanë dështuar në imitimin e tyre."




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

452 Lexime
3 javë më parë