Dedikim

Wendi Lera: Një urim nga Parisi për mësuesen time që doli në pension

Kjo me siguri është letra më emocionues që një mësues mund të marri! Ish nxënësja Wendi Lera i ka dedikuar Mimoza Keçit disa rreshta për ta uruar atë për pensionimin e saj, teksa i shpreh gjithë dashurinë dhe mirënjohjen për ndikimin që ajo ka pasur si mësuesja e saj.

Nuk jeni ndër ato zysha që mund të harrohen, sepse skalitët bukur tek unë mijëra vlera njerëzore! Por, gjithashtu, më mësuat, se në valë të forta, qoftë stuhish apo urimesh, marr kohën time për të bërë diferencën. E di që mesazhet që merrni këto ditë janë plot lule e fjalë të ëmbla, por di gjithashtu, se këto me siguri nuk ju kanë munguar gjatë gjithë jetës, sepse keni ditur të jepni më të mirën tuaj në çdo çast pa pritur asgjë në këmbim. 


Përqafova forcën e qetësisë dhe i rezistova tundimit t'ju shkruaja sapo dëgjova lajmin, duke shpresuar t'ju befasoj të paktën njëherë ashtu siç keni bërë gjithmonë ju! 

Kur ika me studime në Francë, i thashë vetes se nuk do të shkruaja më, por në ditë te veçanta si kjo, pa hezitim do të bëja përjashtim.


F A L E M I N D E R I T nga zemra që keni qenë jo thjesht zysha, por udhërrëfyesja, prindi i dytë, një këshillë brenda një shisheje piratësh, që del në sipërfaqe nga dallgët e një deti të trazuar, rrezja e diellit në ditë me stuhi, që e bën velën e bardhë të reflektojë të gjitha ngjyrat, që të ngrohta ose jo, të shtyjnë të notosh drejt pafundësisë. Ndonëse thonë se kokën nuk duhet ta kthesh pas, sa herë e kthej shoh reflektimin e disa prej copëzave tuaja brenda meje dhe një flakë motivimi rindizet sërish. Tek e fundit, bota është një puzzle i madh, dhe secila copëz është e mbushur me yje që të ndriçojnë rrugën. Në rrugën time të dijes dhe atë të jetës, ju keni qenë dhe do të mbeteni një ndër konstelacionet më kuptimplota. 

Ju uroj pension të mbarë, ndonëse njeriu nxënës mbetet gjithë jetën dhe pikërisht kjo modesti që ju la të futeni në këpucët tona, na mësoi të ecnim përpara, madje edhe kur këpuca na vriste pak. Uroj ta keni përherë zemrën plot, dhe sa herë të zhyteni në mendime, brenda tyre të na gjeni edhe ne, nxënësit tuaj, për të cilët ju nuk keni moshë, por mbeteni një shpirt i lirë shtegtar, që teksa udhëton nëpërmjet nesh rrotull vendeve ku dikur ka lënë gjurmë, zbulon mrekulli të reja.


Të ketë vallë më bukur, se sa ta rijetosh moshën me arritjen dhe përmbushjen që merr prej veprave tuaja, sado minimaliste, brenda secilit prej nesh? Jeni dhe jemi akoma më tepër me fat! Mes shkencash, një tjetër kënaqësi, e merrnim kur lexonim vepra me fjalë të mëdha, por ishin pikërisht fjalët tuaja të thjeshta ato, që i shtonin një libër më tepër bibliotekës sonë, gjithmonë duke u rikrijuar...padyshim, më e bukura metamorfozë. Kur dukej se bota po përmbysej, një libër në natyrë mbetej miku më i mirë dhe mes fjalëve të librave, formohej portreti juaj....kujtime, përjetime, nostalgji…


Dhe ndër të tjera, ju falënderoj për thjeshtësinë, mirësinë, për çdo 9-të që më keni venë, që sado që më linte pa gjumë, më bëri të kuptoj që edhe mbi talentin punohet dhe se një lexues i mirë as vetes s'ka për t'i vënë ndonjëherë 10-të. Por rëndësi nuk ka fjala, as vepra, por çfarë fiton e humb nga vetvetja përgjatë rrugëtimit plot kurthe e kthesa të dijes, njërës prej mijëra akseve të jetës.


Jam me fat që ishit pjesë e formimit tim, dhe ju falënderoj që keni qenë ju ajo, që më keni kontaktuar gjithë mall e që nuk më harroni, sepse në ditët e sotme këto vlera kaq madhështore nuk reflektohen aq pastër sa i transmetoni ju. Me mirënjohje ju uroj që shpërblimin për ato që keni dhënë, ta merrni shumëfish nga fëmijët tuaj, por mos harroni, që shpërblimi më i madh merret prej vetes, teksa çdo virtyt në zemër dhe mendje shndërrohet në një buzëqeshje dhe kjo e fundit vlen sa oqeanet. Për mua jeni një mikeshë mendjendritur, jo vetëm një mësuese!

Wendi Lera për Mimoza Keçin 

Paris, 26 korrik 2023, ora 09:26



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,507 Lexime
1 vit më parë