"160 vite me Lizën"- Albas sjell në shqip edhe klasikun e radhës "Liza përtej pasqyrës"

Plot 160 vite pas botimit, "Liza në botën e çudirave" mbetet kryevepër që ndryshoi letërsinë për fëmijë. Albas e ka sjellë në shqip përmes klasikëve për të vegjlit dhe të rriturit, ndërsa këtë vit pasuron fondin me titullin e ri "Liza përtej pasqyrës dhe gjithçka gjeti aty".


160 vite më parë, në vitin 1865, Lewis Carroll solli për herë të parë “Alice in Wonderland” (Liza në botën e çudirave), një libër që do të sillte një kthesë të madhe në letërsinë botërore për fëmijë. Historia, e lindur si një tregim i improvizuar për vogëlushen Alice Liddell, u kthye fillimisht në një dorëshkrim të ilustruar dhe më pas në botimin e famshëm Macmillan, shoqëruar me vizatimet ikonike të John Tenniel. Me publikimin e tij, Carroll theu modelet moralizuese të periudhës viktoriane dhe krijoi një univers krejtësisht të ri: një botë absurditeti e menduar me zgjuarsi, logjike të përmbysur dhe personazhesh të paharrueshëm që vazhdojnë të magjepsin breza të tërë. 


Klasikët e Lizës në shqip nga Albas-i: një botë çudirash për çdo lexues


Edhe lexuesit shqiptarë e gjejnë veten prej vitesh në këtë udhëtim fantastik, falë përkthimit dhe botimeve të shtëpisë botuese Albas. “Liza në botën e çudirave” është sjellë për fëmijët e vegjël me një gjuhë të përshtatur, të thjeshtë dhe plot dritë, por edhe për të rriturit që duan të rilexojnë klasikët në formën e tyre të plotë nën titullin “Bëmat e Lizës në botën e çudirave”, duke mos humbur asnjë nuancë të humorit dhe absurdit të Carroll-it.


Por këtë vit, lajmi i mirë është se Albas e ka pasuruar edhe më tej bibliotekën e lexuesve shqiptarë me titullin e ri “Liza përtej pasqyrës dhe gjithçka gjeti aty”.

Në fakt “Liza përtej pasqyrës dhe çka gjeti aty”, i Lewis Carroll-it, një klasik i botuar për herë të parë më (1871) është vazhdimi i romanit “Liza në botën e çudirave", shkruar nga i njëjti autor. Në këtë vëllim Liza hyn në një botë të re të çuditshme duke kaluar nëpër një pasqyrë. Në këtë botë dominojnë rregullat e shahut dhe logjika është e përmbysur. Aty Liza takon personazhe të shumta dhe pas shumë aventurash, ajo zgjohet dhe kupton se ka qenë duke ëndërruar. Libri është një ndërthurje rrëfimi dhe poezish, përkthyer mjeshtërisht nga Era Buçpapaj. Vepra është shumë e njohur si një klasik i letërsisë botërore.


Në 160-vjetorin e saj, Liza vijon të jetë po aq e gjallë, lozonjare dhe revolucionare sa ditën kur u krijua. Një heroinë universale që na kujton se kreativiteti nuk ka moshë dhe se magjia fshihet pikërisht aty ku logjika thyhet.


Shënim: Të gjithë këta tituj të përkthyer nga origjinali, për fëmijë dhe të rritur, mund t’i gjeni në faqen zyrtare të Albas www.albas.al ose në www.librarialbas.al 


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

182 Lexime
2 ditë më parë