Akademiku Artan Fuga pas takimit në Klubin e Librit ALBAS: Letërsia mes librarisë, lexuesve dhe qytetit
Akademiku, shkrimtari Artan Fuga ishte i ftuar në Klubin e Librit të Libraria ALBAS, ku diskutoi me lexuesit për romanin "Ndëshkimi i dytë i Evës". Pas këtij takimi frymëzues, autori vjen me këtë shkrim, duke reflektuar mbi letërsinë, qytetin dhe marrëdhëniet mes individit, pushtetit dhe shoqërisë.
Letërsia e aty e ka vendin, mes librarisë, lexuesve dhe qytetit që bën jetën e vet. I gjithë problemi aty është. Kur njeriu, burrë a grua, pasi të ketë ecur mbi pllaka betoni me lagështirë, të rrëshqitëshme ku thyen kokën, të kthejë jo vetëm kokën, por edhe hapin te libraria, te libri, atëhere ka shanse të shpëtojë qytetërimi shqiptar në rënie e sipër.
Në 16 shkurt pata kënaqësinë të jem i ftuar nga klubi i leximit të libraria ALBAS, për të debatuar dhe diskutuar me antarët e tij për romanin tim "Ndëshkimi i dytë i Evës" (Botimet Papirus) Falenderoj pjesëmarrësit dhe organizatorët për atë pritje të ngrohtë si edhe dr. Anisa Ymerin për moderimin e saj të shkëlqyer profesional.
Kush na ka ndëshkuar? Pse për herë të dytë? A ndëshkon Zoti, vërtet?
Pata rastin të shpalos disa nga "sekretet" e teknikave të rrëfimit tim si edhe të "zbuloj" para tyre se Eva dhe Adami aty nuk janë thjesht femra dhe mashkulli, por gjithçka që lidhet mes të sunduarit dhe sundimtarit. Janë marrëdhëniet mes qytetarit të braktisur dhe pushtetarit arrogant. Mes zgjedhësit, dhe militantit, të vobektë, dhe deputetit a deputetes së nginjur me vithet me dhjamë. Mes rinisë dhe patriarkëve. Mes natyrës së shkatërruar dhe njeriut fodull që prish edhe grimcat e ajrit, ujit, rërës. Mes puntorit pa të drejta dhe bosit që ulet mbi fronin e lidhjeve të fshehta. Mes intelektualit dhe burokratit. Më gëzon që lexuesit shtohen dhe debati për letërsinë gjen vend mes betonit, korrupsionit, erozionit, emigracionit, erozionit, në një vend ku kultura sunduese nuk na jep tjetër veçse përrallën midis hajdutit dhe policit. Na kanë shkatërruar shpirtin!
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Rita Petro, Poete Laureate e Shqipërisë për 2025-2027
Verë 2020, Sevi Lami Agolli: Librat që duhet të shoqërojnë pushimet tuaja