REKOMANDIME LEXIMI

Ja cilët janë tre librat, që znj. Petro u sugjeron të pasionuarve pas leximit

Tri rekomandimet për librat, fillimisht ma turbulluan mendjen kur u zhyta te biblioteka e pasur e trurit tim me libra të autorëve klasikë e modernë, të lexuar dhe të rilexuar. Dhe nga moria e tyre, papritmas zgjidhja më erdhi nga simboli i numrit 3.

Rekomandimi i parë – Përrallat e vëllezërve Grim


Kur isha fëmijë zhytesha aq shumë në botën e përrallave, sa ato më bëheshin pjesë e së përditshmes time. Si për shembull, numri 3. I përsëritja mësimet tri herë; e shkruaja një fjali tri herë, vrapoja nga kreu i rrugicës deri ne fund të saj tri herë, bëja miqësi me dy shoqe ose shokë dhe kështu bëheshim tre, në momentet e padurimit numëroja disa herë treshe nga treshe, etj, etj..


Po kështu, veprimet e mira në ndihmë të personazheve që janë në rrezik, më kanë lënë dhe sot aq gjurmë, sa veproj në të njëjtën mënyrë herë pas here pa e kuptuar dhe vetë se përse e bëj këtë gjë? Për të fituar mirënjohje, dashuri të ndërsjelltë, por edhe një frikë instinktive brenda vetes, se a do të më gjendet dikush në një moment vështirësie, nëse unë vetë nuk kam kryer një veprim bamirësie?!  


Sa herë dëgjoj vepra të këqija apo makabre të qenieve njerëzore më dalin parasysh shtrigat e përrallave apo qeniet e përbindshme që zënë pusi te burimet e ujit dhe i sakrifikojnë njerëzit për interesat e tyre të ngushta.


Ndaj një nga rekomandimet e mia është libri “PËRRALLAT E VËLLEZËRVE GRIM”, një libër me mbi 800 faqe që përmbledh të gjitha përrallat e tyre, të cilin e rekomandoj jo vetëm për fëmijë, por edhe për të rriturit. Kur nisa t’i rilexoj këto përralla u befasova nga bota e magjishme që u kthye te unë aq fuqishëm. Shumë gjëra që nuk i kuptoja atëherë, tani u jap zgjidhje dhe shumë imazhe magjike e përrallore më shkëputin bukur nga realiteti i rëndomtë i të përditshmes. Përjetova me to një fëmijëri të dytë, është si ai kthimi i përhershëm në shtëpinë e fëmijërisë. Rileximi i këtyre përrallave të pajis me dëshirën e bukur për ta gëzuar jetën me gjithë vështirësitë e saj. Përrallat përherë të japin shpresën e një fundi të lumtur.


Rekomandimi i dytë – Bijtë e gënjeshtrës (Scott Peck)


Me Skot Peckun dhe librin e tij best seller “Rruga në të cilën rrallë shkohet” jam njohur në një moment udhëkryqi në jetën time. Këtë libër e kam lexuar dorëshkrim të përkthyer nga i dashuri im, që sot është dhe partneri im. Ai përkthente fragmente dhe m’i dërgonte mua t’i lexoja. Në atë kohë ndodhesha në një udhëkryq. Nuk kam besuar asnjëherë te reklamat se ky apo ai libër të ndryshon jetën. Por e di shumë mirë se ka libra që të trondisin besimet e tua, moralin tënd, konvencionet që je e dënuar t’u bindesh. I tillë është dhe libri “Bijtë e gënjeshtrës”, një libër i rrezikshëm. Siç thotë dhe vetë autori në hyrje të librit, shumë lexuesve do t’iu shkaktojë mjaft dhimbje, por me efekt shërues. Scott Peck na e drejton vëmendjen te dukuria e gënjeshtrës, duke anashkaluar gënjeshtarin. Beteja për të shëruar të keqen njerëzore fillon nga shtëpia jonë. Ata persona që janë të këqinj sulmojnë të tjerët në vend që të përballën me dështimin e tyre. Peck pasqyron rrënimin dhe shkatërrimin ku këta bij të gënjeshtrës ndërveprojnë dhe ndikojnë në jetët e atyre që kanë përreth. Ai bazohet në raste konkrete të ndeshura gjatë punës së tij si psikoterapeut.


Kur marrim vendimet e gabuara zemra jone ngurtësohet dhe e kundërta ndodh me vendimet e drejta, zemra zbutet dhe gjallërohet.


Në këtë libër marrin përgjigje pyetje të tilla: Pse shumica dështojnë në artin e të jetuarit? Bëhemi të këqinj me kohë, apo nga momentet e caktuara për shkak të kushteve kur duhet të mbijetojmë?


Ky libër është një mik i mrekullueshëm udhëtimi në një rrugë që rrallë shkohet, një mik i sinqertë që nuk mashtron dhe nuk abuzon kurrë me hapjen tënde ndaj tij, apo më saktë ndaj vetvetes. Liria e të menduarit shmang gënjeshtrën dhe vë gurin e themelit të një jete të lumtur. 

 


Rekomandimi i tretë – Tregimet e civilizimit (Mimoza Ahmeti)


Ajo, Mimoza, “pa ura që po ecnin. Kjo i ndodhi para gjumit.” Dhe na dhuroi “Tregimet e civilizimit”. Ky është përfytyrimi im i parë që m’u krijua teksa lexoja këtë libër.


“Tregimet e civilizimit” të Mimoza Ahmetit janë proza të shkurtra poetike, por jo në konceptin e tyre tradicional si zhanër. Kjo avangarde e poezisë moderne shqipe e bën poezinë prozë, por duke i ikur përshkrimit të ndjesive apo përshkrimit  të peizazhit natyror a urban. I ikën dhe rrëfimit tradicional dhe ndalet te monologu me vetveten si një dialog me një të panjohur.


Autorja është ulur diku, por pa karrige, shkruan por pa përdorur duart, vështron, por pa përdorur sytë, flet, por pa askënd përballë, nuhat ajrin, por pa përdorur flegrat e hundës, dashuron e bën seks, por pa përdorur trupin. Shqisat nuk i hyjnë fare në punë shkrimtares, përveçse ndjeshmëria e një uni, që shkrihet në papërcaktueshmëri. Ky përfytyrim m’u zgjerua teksa mbaroja “Tregimet e civilizimit”.


Tregimet e civilizimit na civilizojnë trurin tonë që ka zë myk nga imazhet reale apo objektet konkrete. Nuk do të gjeni në këto tregime apo imazhe çfarë kërkoni, ndaj, nëse vendosni ta lexoni këtë libër, sprovohuni të rrini ulur pa karrige.

Burimi: OberserverKult

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,777 Lexime
3 vjet më parë