Panairi i Librit

Shtëpia Botuese Albas është magjia e këtij panairi

Më poshtë gjeni artikullin e publikuar në dritare.net nga gazetarja Lluiza Pinderi. Stendën e Albas e vizituan shumë media të shkruara dhe vizive, të gjithë artikujt dhe kronikat do t'i gjeni të pasqyruara në Portalin Shkollor.

Shtëpia Botuese Albas është magjia e këtij panairi. Stenda e saj është njëlloj si një librari e madhe, ku ndeshesh me dhjetëra botime, autorë, ilustrime apo lojëra formuese. Aq sa të lind dëshira të kthehesh pas e të jesh sërish një fëmijë. Albas është një botë më vete ku mësojnë të rriturit, mësojnë prindërit, mësojnë fëmijët e argëtohen më të vegjlit. Këtë vit ajo vjen me mbi 50 tituj të rinj dhe me shumë takime dhe promovime, të cilat do të prezantojnë fëmijët, me librat e tyre.

Përveç librave shkollorë, Albas sjell mjaft risi për libra jashtëshkollorë dhe artistikë. Redaktorja e kësaj shtëpie botuese, Dorina Basha na tregon seritë që janë pasuruar, si dhe titujt e rinj që janë botuar këtë vit.


“Ne kemi libra të të gjitha grupmoshave, që nisin nga 6 muaj deri në 2 vjeç dhe pastaj ndahen për parashkollorët. Kemi serinë “Koni dhe Maksi”, që është edhe për më të rritur edhe për më të vegjël.

Kemi serinë “Më quajnë…”, që është mbi 9 vjeç e sipër. Këtë vit kemi sjellë 4 personazhe të rinj, Ibrahim Kodra, Tefta Tashko, Musine Kokalari, Mbretëresha Teuta. Ka personazhe shqiptarë por edhe të huaj si Anjshtanji, Çarli Çaplin, Mozart etj. Duke shfletuar këto libra, fëmijët argëtohen dhe mësojnë për jetën e këtyre personazheve që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e njerëzimit.

Me 4 tregime është pasuruar edhe seria “Një familje e paparë”, që tregon histori mjaft të këndshme dhe plot humor, që ndodhin në çdo familje.

Te letërsia klasike për fëmijë, kemi klasikët për të vegjël, ku përfshihen klasikë të tillë si “Romeo dhe Zhuljeta”, “Don Kishoti”, “Drakula”, “Aventurat e Tom Sojerit”. Aty tregohen të njëjtat histori, por të përshtatura për fëmijët.


Pastaj janë klasikët për më të rritur, që janë risi sepse i kemi botuar nga origjinali. Ato janë të përshtatur për fëmijë dhe të pajisur me ilustrime tërheqëse. Kemi “Piter Pani”, kemi “Polianën”,  “Hajdi”, që është botuar nga gjermanishtja, etj”.

Për fëmijët që hyjnë aty do të jetë e vështirë të dalin, pasi mos në një libër, në një tjetër kanë për të ngecur. Albas jo vetëm i informon, por edhe i edukon. Me serinë e librave të vet, ju tregon se si duhet të sillen në raste sëmundjesh, humbjesh apo si t’i trajtojnë të tjerët si veten. Albas është edhe një stendë argëtuese, për fëmijët më të vegjël, të cilët mund të gjejnë lodrat e tyre të preferuara, për t’u argëtuar dhe për të mësuar.


“Risi për këtë vit është “Udhëtim në botën e ngjyrave”, ku tregohet udhëtimi gjyshit me mbesën dhe që sjell të gjitha tablotë e piktorëve shqiptarë.

Është e jashtëzakonshme, pasi i njeh fëmijët me piktorët tanë të famshëm. Mund të marrin edhe botime të tjera, si:  “Ariu i Bardhë i Ëndrrave”, “Gjyshi në kornizë”, “Shtrigushja ime”, etj.”

Ndërkohë që fëmijët gjejnë librin e tyre, edhe prindërit nuk duhet të mbeten pas. Një pjesë e botimeve iu kushtohet librave për të rritur. Gjejnë libra për familjen, për problemet e prindërimit, problemet sociale që has çdo familje dhe mënyra se si duhet t’i kalojnë me fëmijët.


“Për letërsinë klasike, kemi botuar Claudio Magris që është kandidat për çmimin Nobel me “Danub”,dhe që këtë vit vjen me vjen me librin “Historia e një kordhe”.  Titull tjetër është “Lidhëse”, e autorit Domeniko Starnone.


Një roman mbi dashurinë dhe tradhtinë, që rrëfen në detaje të gjitha plasaritjet e jetës familjare. Pastaj kemi “Poezi Mistike”, një përmbledhje poezish me disa autorë, e pasuruar këtë vit me dy tituj të rinj.”

Panairi vazhdon deri më 19 nëntor. Ata që ende e kanë me dy mendje sepse nuk dinë çfarë të blejnë, tani e kanë një dritare për të zgjedhur. 


(Marrë nga Dritare.net ; Portali Shkollor)


1,099 Lexime
1 vit më parë