“Presheva 2026”, Panairi i Librit dhe traditës shqiptare me pjesëmarrjen e ALBAS

Më 8-9 korrik 2026, Presheva mirëpret edicionin e dytë të Panairit të Librit. ALBAS Preshevë, bashkëorganizatore e aktivitetit, do të jetë e pranishme me botimet e saj, krahas 30 shtëpive botuese shqiptare, në një festë të librit, artit dhe traditës shqiptare.

Më 8 dhe 9 korrik 2026, në Shtëpinë e Kulturës "Abdulla Krashnica" në Preshevë, do të zhvillohet edicioni i dytë i Panairit të Librit - Preshevë 2026, me moton "Libri dhe Tradita". Veprimtaria organizohet nga Biblioteka e Qytetit "Mehmet Jusufi" dhe ALBAS Preshevë, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Komunës së Preshevës.


Përgjatë dy ditëve të panairit, vizitorët do të kenë mundësi të njihen me botimet më të reja dhe më të dashura të Shtëpisë Botuese Albas, si edhe me një larmi të pasur titujsh nga rreth 30 shtëpi botuese shqiptare. Në stendën e Albas do të ekspozohen botime për fëmijë, nxënës, të rinj dhe të rritur, duke sjellë pranë lexuesve një ofertë të gjerë që përfshin letërsi artistike, libra për fëmijë, botime edukative dhe vepra të autorëve të njohur shqiptarë e të huaj.


Panairi do të sjellë mijëra tituj për fëmijë, të rinj e të rritur, duke e shndërruar Preshevën në një qendër të rëndësishme të kulturës dhe promovimit të leximit për dy ditë me radhë.


Veprimtaria do të hapet më 8 korrik, në orën 19:00, me ceremoninë solemne të inaugurimit dhe prezantimin e shtëpive botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Më pas do të vijojë programi artistik me Festivalin e Këngës nga SHKA "Presheva", vizitat në stendat e panairit, hapja e Ekspozitës Kolektive të Pikturës me artistë nga të gjitha trevat shqiptare, si edhe një aktivitet poetik i organizuar në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit.

Dita e dytë, 9 korrik, do të nisë me një moment të rëndësishëm institucional: nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit mes Bibliotekës së Qytetit "Mehmet Jusufi" në Preshevë dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.


Programi do të vijojë me një tryezë të rrumbullakët me temë "Tradita shqiptare nëpërmjet librit – Si mund të përdoret libri për t'i afruar fëmijët dhe të rinjtë me traditat?", ku do të diskutohet roli i librit në edukimin kulturor të brezave të rinj.


Gjatë panairit do të promovohen edhe botimet më të reja të autorëve të njohur shqiptarë. Lexuesit do të kenë mundësi të marrin pjesë në promovimin e librave "Gjëra që ngjasin" të Ylljet Aliçkës, "Kryqi i fjalës" të Arben Çejkut, "Atje ku dielli lind dy herë" të Namik Dokles dhe "Brenga" të Pashko R. Camajt.


Në program është përfshirë edhe një diskutim shkencor i akademikut Valter Memisha me temë "Gjuha e veprës së Naim Frashërit dhe gjuha standarde", ndërsa panairi do të mbyllet me ceremoninë e ndarjes së çmimeve dhe takimin përmbyllës mes organizatorëve, botuesve dhe partnerëve.


Panairi i Librit - Preshevë 2026 pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të verës, duke promovuar librin shqip, trashëgiminë kulturore dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve e botuesve nga të gjitha hapësirat shqiptare.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

110 Lexime
2 orë më parë