Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe

2018/2019 apo 2018—2019?

Normat drejtshkrimore tregojnë saktë si duhet t’i shkruajmë drejt këta numërorë. Numërorët i gjejmë të shkruar gabim në ditarë të shumtë në numër dhe në libra amë të shkollës, e aq më keq edhe në tekste mësimore dhe në plane vjetore, dymujore, javore etj.

2018/2019 apo 2018—2019?

Numërorët që shënojnë caqet e hapësirës kohore shkruhen gabimisht nga zyrtarët e MAShT-it, përfaqësuesit e DKA-ve, drejtorët, mësimdhënësit e sekretarët e shkollave. 

Normat drejtshkrimore tregojnë saktë si duhet t’i shkruajmë drejt këta numërorë. Numërorët i gjejmë të shkruar gabim në ditarë të shumtë në numër dhe në libra amë të shkollës, e aq më keq edhe në tekste mësimore dhe në plane vjetore, dymujore, javore etj.    


Nuk është aspak e drejtë po qe se shkruhet me vijë të pjerrët (/): 

KALENDARI PËR VITIN SHKOLLOR 2018/2019


Është e drejtë po qe se shkruhet me vizë të gjatë (—): 

KALENDARI PËR VITIN SHKOLLOR 2018—2019


Po citoj (DGjSh) se me vizë të gjatë në mes tyre, shkruhen:


a) emrat e përveçëm që shënojnë caqet e një hapësire gjeografike, si edhe emrat që shënojnë caqe kohore: 

Tiranë—Prishtinë, hekurudha Rrogozhinë—Fier, kanali Vjosë—Levan—Fier; largësia Tokë—Diell; vija ajrore Paris—Tiranë—Pekin; lundrimi Amerikë—Evropë; udhëtimi Tokë—Hënë etj.;

periudha shtator—tetor; periudha pranverë—vjeshtë etj.; 


b) numërorët që shënojnë caqet e një hapësire kohore:

periudha 1939—1944; tridhjetëvjetori i themelimit të Partisë  8.XI.I941—8.X1.1971; katërqindvjetori i lindjes së Budit 1566 -1966; Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike 15—21.XI.1962; Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20—25.Xl.1972; pesëqindvjetori i vdekjes së Skënderbeut 1468 —1968; plani i katërt pesëvjeçar 1966 —1970; viti shkollor 2018—2019; letërsia e shekujve XIX—XX etj.; 


c) dy a më shumë emra të veçantë ose emërtime, fjalë a togje fjalësh të veçanta, të cilat kanë ndërmjet tyre marrëdhënie të ndërsjella, janë elemente përbërëse të njësive kuptimore shumëpjesëshe ose shënojnë kalime nga një gjendje në një gjendje tjetër:

ndeshja e futbollit Kosovë—Shqipëri; uniteti parti—popull etj.;

trekëndëshi mësim—punë prodhuese—edukim fizik dhe ushtarak;

marrëdhëniet mall—para—mall;


ç) emrat e bashkautorëve të një vepre: 

A. Xhuvani—K. Cipo etj.


Mund të them me plot gojën se viza e gjatë kërkon më shumë kohë që të shkruhet në një tekst në Word ose në ndonjë dokument tjetër, andaj ata që kanë për ta shkruar atë e zëvendësojnë më lehtë me vijën e pjerrët a me vizën lidhëse dhe përfundojnë së shkruari në formën e gabuar.


MBANI MEND

Te numërorët që shënojnë caqet e një hapësire kohore vendoset viza e gjatë në mes tyre. 

Viti shkollor 2018—2019 etj.


(MA. Mentor Hajrizi; Portali Shkollor)

17,052 Lexime
8 vjet më parë