Intervistë

“25 vite punë, ende çdo shtator më duket si viti i parë”

Teuta Radoniqi, drejtuese e shkollës private “Nikola Koperniku” në Elbasan, mësuese matematike me eksperiencë 25-vjeçare na tregon më shumë për orën e mësimit, nxënësit, metodat e mësimdhënies...

-Nga 1 (një) në 10 (dhjetë) sa e vështirë është matematika për ty?

-Për mua? -5 (minus pesë) - të qeshura. - Nuk bëj shaka, kur bën matematikë me zyshë Teutën, nuk ka numra, po ka integrale që të kthehen në lojë. 


Ishte ky bashkëbisedim i çastit me një maturant, që na nxiti kureshtjen për t'u njohur me mësuesen e matematikës, zonjën Teuta Radoniqi, drejtuese e shkollës private “Nikola Koperniku” në Elbasan. 

Prej 25 vitesh ajo jep dhe merr matematikë. Ka shkelur të gjitha hallkat e sistemit parauniversitar, ka provuar postet drejtuese dhe tani, drejton institucionin privat, të cilin e ka iniciuar vetë me shumë përkushtim dhe vullnet. 

Të mësuar të përballemi me mësues pedantë matematike, befasohemi kur ndeshemi me një grua të këndshme, e buzëqeshur që me sa duket bota e shifrave, ia ka latuar edhe botën e fjalëve.  Nuk ngurroi të na japë intervistën e saj, e cila veç profesionalitetit, përcolli tek ne edhe sigurinë e një njeriu që është i vetëdijshëm për vlerat që mbart.  


Ishit ju që shkuat tek matematika, apo matematika erdhi tek ju?

Në fakt ne gjetëm njëra tjetrën. Pasioni për matematikën më pas u shndërrua në profesionin tim.


T'u mësosh nxënësve matematikë, është konsideruar një mision që detyrimisht lidhet me seriozitetin dhe deri diku me pedantizmin. Por ju jeni etiketuar nga nxënësit si mësuesja që e ka gjithmonë një batutë në buzë për të shkaktuar të qeshura dhe për ta çdramatizuar orën. Është zgjedhja juaj apo ju vjen natyrshëm? 

Kujtoj periudhën kur unë kam qenë nxënëse. Analizoja vazhdimisht mësuesit e mi. Në fakt atë që ju thoni, atë batutën dhe lirshmërinë në klasë, e kam model nga mësuesi im i matematikës në gjimnaz. 


Mendoni që çdo nxënës mund të mësojë matematikë, apo është pronë vetëm e një target grupi?

Mendoj që çdo nxënës mund të mësojë matematikë siç mund të mësojë çdo lëndë tjetër. Mjaft që të ketë binomin mësues plus punë. Është detyra jonë si mësues t’i japim dashuri, vetëbesim dhe sfida nxënësve. Nëse i tregojmë që kemi besim tek ata, që jemi aty për t’i mësuar e jo ndëshkuar, pa dyshim e kemi fituar betejën me matematikën, anglishten ,fizikën apo ndonjë lëndë tjetër. Një mësues i mirë të motivon, ta bën të dashur lëndën dhe të qenit punëtor i çon akoma më larg e lart rezultatet.


Keni ndeshur nxënës gjatë karrierës suaj që kanë rënë në dashuri me matematikën?

Shpesh. Këta nxënës kanë qenë frymëzimi im dhe sfida për t’u kualifikuar e kërkuar gjithnjë e më shumë.


Të qenurit prind e ndihmon apo e pengon te qenurit mësues?

Tek unë të qenurit prind bashkëjeton mrekullisht me të qenurit mësues. Personalisht tek çdo nxënës shoh djalin apo vajzën time, me dobësitë, me vështirësitë, talentet, ndonjëherë  dëshirën për të hequr dorë por ama dhe  me thirrjen për t'i mësuar dhe dhënë dashuri.


Në këtë stad ku ka arritur teknologjia sot, si dhe në ritmet e shpejta me të cilat nxënësit po e ndjekin teknologjinë, si është raporti juaj me brezin e ri në fokusin e matematikës?

Ritmet marramendëse të zhvillimit të teknologjisë mendoj se janë sa një sfidë e vazhdueshme për ne mësuesit aq sa dhe një faktor ndihmës. Nëse të duhet të ilustrosh një trup gjeometrik, një grafik apo ndonjë projekt, interneti është kryefjala. Nga ana tjetër nxënësit ndërveprojnë me mjaft zhdërvjelltësi dhe puna në grupe kthehet në kënaqësi të vërtetë.


Çfarë metode mësimdhënieje përdorni ju në klasë?

Në fakt i sugjeroj vetes fleksibilitet në punën me nxënësit sipas nivelit të tyre dhe temës mësimore. Mundohem të shfrytëzoj metodologjinë në varësi të kushteve, por duke synuar gjithnjë mësimin me në qendër nxënësin. 


Kurrikula e re si ka ndikuar në orën e mësimit? Cilat janë tre përparësitë dhe vështirësitë e saj?

Prej dy vitesh ne po zhvillojmë në gjimnaz kurrikulën e re. Personalisht  si përparësi të kurrikulës së re do të rendisja:


1- Çdo temë mësimore ndahet në dy orë. Ndërsa në të parën kemi si proces aftësimin e nxënësve, në të dytën është zbatimi në praktikë i njohurive të marra. Nxënësit i duhet të zbatojë në situata praktike njohuritë e marra. Pra i jep përgjigje çdo nxënësi se perse duhet të studiojë matematikë.

2- Për herë të parë kemi praktikën e vetëvlerësimit të nxënësit. Mendoj se është një praktikë mjaft e mirë ndërveprimi dhe motivimi në klasë.

3- Vlerësimi i nxënësit nëpërmjet portofolit të tij, e bën akoma më të ngushtë lidhjen me nxënësin dhe ecurinë e tij.


Por kam dhe rezervat personale për kurrikulën e re.

Së pari mendoj që kalimi në një cikël shkollor më të lartë duhet të shoqërohet me edhe me një kurrikul të përshtatshme. Pra të rritet shkalla e vështirësisë.

Së dyti jam vërtet e shqetësuar për nxënësit që do përfundojnë gjimnazin me këtë program matematike dhe do t'u duhet të ndjekin studimet për inxhinieri, informatikë, ekonomik etj. Edhe pse në klasë e 12 mendohet të shtohen 2 orë për nxënësit që duan të studiojnë më tepër matematikë, mendoj që nuk mjafton. 

Së treti mendoj që do reduktohet ndjeshëm përfaqësimi dinjitoz i vendit në olimpiada të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare të matematikës. Për vitin shkollor 2016-2017 qyteti i Elbasanit pati vetëm një fitues në vendin e tretë për klasat e 7(që punojnë me kurrikulën e re) dhe po ashtu në olimpiadën mbarëkombëtare të Plusit vetëm një fitues të vendit të 3 për klasat e shtata.


Gjatë viteve të punës a keni një situatë që ju ka mbetur në mendje, apo ndonjë nxënësit që ju ka çuditur, për mirë apo për keq?

Pavarësisht 25 viteve punë, çdo shtator më duket si viti i parë. Asnjë profesion nuk ngjan me atë të mësuesit që kalon ndër duar dhjetëra e dhjetëra nxënës. Në fakt pas kaq vitesh kam mësuar të çlirohem në gjykim nga raporti që nxënësit kanë apo kanë patur me matematikën. I kam shtyrë edhe më fort të ndjekin pasionet e tyre larg matematikës.

 

Mes kolegëve dhe nxënësve, cilët do të zgjidhnit për t'u përcjellë një mesazh sot?

Nxënësve do t'u jepja mesazhin që të punojnë fort e të mbështeten gjithmonë në aftësitë e tyre. Të mos tentojnë të kërkojnë zgjidhje të lehta e  afatshkurtra. Tek ata ne shohim të ardhmen.


(Portali Shkollor)

8,102 Lexime
6 vjet më parë