
Fitorja e Dibrës në Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe – Bisedë me Marsida Vishka, drejtoreshë e “Selim Alliu”
Shkolla "Selim Alliu” nga Dibra rrëmbeu vendin e parë në Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe ndër të tjera me projektin “Dibra në fjalë”, një libër që ruan të folmen dibrane. Drejtoresha Marsida Vishka në këtë intervistë ndan emocionet e fitores dhe rrugëtimin e këtij suksesi.
Fjalët na lidhin me njëri-tjetrin, por edhe me rrënjët tona. Kur ato vijnë të gjalla, të dashura dhe krenare nga një vend me traditë si Dibra, fitimi i një konkursi gjuhe bëhet më shumë se thjesht një trofe, bëhet një dëshmi dashurie për gjuhën, historinë dhe identitetin tonë. Këtë vit, Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe u mbyll me një fitore që preku zemrën e shumëkujt: shkolla “Selim Alliu” nga Dibra, nën drejtimin e znj. Marsida Vishka, ngjiti shkallët e suksesit falë përkushtimit, punës në grup dhe një projekti që na kujton sa shumë vlen të ruajmë dhe të nderojmë të folmen tonë. Në këtë intervistë, drejtoresha Vishka ndan me ne emocionet e fitores, përkushtimin e mësuesve, dashurinë e nxënësve për gjuhën shqipe, si dhe një copëz të bukur të Dibrës nëpërmjet projektit “Dibra në fjalë”, një libër që është shumë më tepër se kaq...
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
Si e përjetuat fitoren e madhe në finalen e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe?

Ju falënderoj për intervistën!
Fitoren e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe e përjetuam me shumë gëzim dhe emocion të veçantë. Pas një rrugëtimi të gjatë, më në fund u ndjemë të lehtësuar dhe, duke lënë paksa mënjanë modestinë, u ndjemë krenarë që këtë herë fitoren e sollëm në Dibrën tonë.
Çfarë do të thotë për ju dhe shkollën “Selim Alliu” kjo arritje në nivel kombëtar?
Kjo arritje na motivon për të punuar edhe më shumë, për të vijuar të kërkojmë vetëm suksese për shkollën “Selim Alliu”, t’u krijojmë mundësinë nxënësve tanë të shkëlqejnë në çdo event e konkurs, jo vetëm brenda ZVAP Dibër, por edhe më gjerë, siç ishte dhe Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe.
Si u përgatitën nxënësit për këtë konkurs? Sa kohë zgjati përgatitja dhe kush ishte i përfshirë? Veçanërisht, me cilin projekt u prezantuat? Mund të na flisni pak edhe për të?
Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe po zhvillohet për të tretin vit radhazi, ndaj për ne përgatitja ka qenë e vazhdueshme, madje është kthyer në një punë të përditshme, së pari duke i dhënë rëndësinë e duhur lëndës së Gjuhës Shqipe dhe duke mbështetur e motivuar nxënësit e talentuar në interpretim, njohuri gjuhësore, etj.
Me daljen e urdhrit “Nr. 51, datë 29.01.2025, PËR ORGANIZIMIN E KONKURSIT KOMBËTAR TË GJUHËS SHQIPE PËR KLASAT E 9-TA” nisi puna konkrete, ku të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe u njohën me strukturën e konkursit, elementët mbi të cilët do të punohej dhe fazat në të cilat konkursi do të zhvillohej. Konkursi ishte i shtrirë në disa faza për gati tre muaj.
Fillimisht u zhvillua konkursi mes tre klasave të 9-ta, nën kujdesin e drejtorisë së shkollës dhe mësuesve të gjuhës shqipe, nga ku doli dhe ekipi fitues i këtij konkursi. Faza pasardhëse ishte mes shkollave të ZVAP Dibër, ku shkolla “Selim Alliu” u vlerësua nga një juri profesionistësh si shkolla më e mirë. Më pas nisi udhëtimi ynë drejt DRAP Durrës, ku u klasifikuam në gjysmëfinale falë pikëve maksimale të mbledhura nga përfaqësimi ynë.
Emocioni sa vinte dhe rritej, sepse e nisëm këtë angazhim me synimin për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz, dhe kur arritëm në gjysmëfinale, ishte realisht një arritje shumë e madhe, në 700 shkolla nga e gjithë Shqipëria, shkolla “Selim Alliu” renditej mes 20 shkollave gjysmëfinaliste. Surpriza më e bukur ishte lajmi që pikët tona në gjysmëfinale na kishin dërguar në finalen e madhe të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe.
Projekti "DIBRA NË FJALË" ishte një projekt i cili është filluar që në shtator të këtij viti shkollor, dhe arritëm ta finalizonim në kohë me produktin përfundimtar: librin me titull “Dibra në fjalë”! Ky libër përmban fjalë të të folmes dibrane, këngë dasme, rrëfenja.
Gjuha shqipe është një pasuri e vërtetë, ku një prej thesareve tona të trashëguara brez pas brezi është e folmja dibrane, ndaj ky projekt i dedikohej gjuhës me gjithë dashurinë tonë për vendin, veçantinë e të folmes dibrane dhe traditat tona.
Po ndaj me ju disa shprehje nga kopertina e këtij libri:
“Me fol dibrançe, asht si me knu me za t’zemrës.”
“Dialekti asht pasuni, mos e hup për modë!”
“Kur e nin dibrançen, menihere t’vjen era mal e histori.”
“Dibrani s’ka nevojë me u prezantu, veç fol e ta marrin vesh prej kah je!”
Cilat ishin sfidat më të mëdha gjatë rrugëtimit drejt finales?
Çdo arritje ka sfidat e saj, por kur shijon suksesin e ëndërruar, sikur çdo sfidë është e tejkaluar. Mendoj se sot, çdo sfidë që kemi kaluar të gjithë së bashku, ja ka vlejtur. Ndaj dua të flasim vetëm për krenarinë që këta nxënës na bëjnë të ndiejmë.
Çfarë veçoni tek ekipi që përfaqësoi shkollën tuaj?
Ekipi fitues përbëhet nga pesë vajza: Reudah, Uendi, Amela, Amina dhe Sara, dhe dy mësueset e gjuhës shqipe: Fatrie Palluci dhe Ermira Shehi.

Vajzat janë nxënëse të jashtëzakonshme, me rezultate shumë të mira, por ajo që do të veçoja është vetëbesimi i tyre, saktësia që shfaqën sidomos në njohuritë gjuhësore, dëshira dhe përkushtimi për t’ia dalë çdo sfide dhe marrëdhënia e veçantë që kanë me mësueset, me një dashuri dhe afrimitet të rrallë.
Sa rëndësi ka, sipas jush, një konkurs i tillë për nxënësit dhe për vetë mësimdhënien e gjuhës shqipe?
Duke qenë edhe vetë e profilit të Gjuhës Shqipe, e vlerësoj vërtet shumë si një nismë që është kthyer në traditën më të bukur që shkollat tona kanë pasur ndonjëherë. Ky konkurs ka një rëndësi të veçantë për ne si drejtues e mësimdhënës, e veçanërisht për nxënësit. Gjuha është identiteti ynë kombëtar, ndaj e gjithë vëmendja, puna dhe përkushtimi i mësuesve dhe nxënësve është mëse i merituar ndaj këtij eventi, i cili vitin e ardhshëm do të kthehet në një Festival të Gjuhës Shqipe.
“Flasim bukur, flasim shqip”, kjo është motoja e të gjithëve ne!
A ka shkolla juaj ndonjë traditë ose fokus të veçantë në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe?
Po, kemi traditën e bukur të interpretuesve më të mirë në shkollën “Selim Alliu”, konkurs i cili zhvillohet çdo vit, duke përmbushur kështu dhe synimin për të evidentuar e mbështetur të gjithë nxënësit e talentuar në shkollë, duke qenë edhe pjesë e nismave të MAS si “ART, ZEJE, SPORT”, “ShQK” etj.
Çfarë reagimi ka pasur komuniteti shkollor dhe ai lokal pas fitores?
Si kurrë më parë kemi ndjerë një mbështetje të jashtëzakonshme nga komuniteti. Fjalët “Faleminderit që na bëtë krenarë” janë dhurata më e çmuar që kemi marrë këto ditë.
Cilat janë planet tuaja për të vijuar nxitjen e gjuhës, letërsisë dhe aktiviteteve të ngjashme në shkollë?
Në planet e afërta kemi një aktivitet letrar-artistik kushtuar kësaj fitoreje, me përfshirjen e sa më shumë nxënësve. Ndërsa në vazhdimësi, plani vjetor i shkollës dhe, rrjedhimisht, ato mujore do të kenë në fokus veprimtari kushtuar Gjuhës Shqipe.
Çfarë mesazhi do t’u jepnit shkollave të tjera që do të marrin pjesë në këtë konkurs në të ardhmen?
Të gjitha shkollat duhet ta kenë si praktikë të punës së tyre të përditshme angazhimin me nxënësit për të ruajtur, dashur, folur e shkruar bukur Gjuhën Shqipe!
Pjesëmarrja në këtë Konkurs Kombëtar të Gjuhës Shqipe është një vlerë e shtuar për shkollat tona në të gjithë Shqipërinë.
Nuk ka humbës, ka vetëm fitues!
Me punë dhe përkushtim arrihet gjithçka. Ju uroj suksese gjithmonë!

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Joni, 8-vjeçari që ka lexuar rreth 300 libra!
“Një yll i ri në teknologjinë shqiptare” – Amir Kovaçi fiton Olimpiadën Kombëtare në TIK
13-vjeçari shqiptar triumfoi në konkursin ndërkombëtar