“25 vjet në shërbim të dijes”, ALBAS-i organizon seminar tematik për mësuesit në Prishtinë

Me rastin e 25-vjetorit, Albas-i organizoi në Prishtinë një seminar për mësuesit e ciklit fillor, me pjesëmarrjen e autorëve, drejtuesve dhe mësuesve nga trojet shqiptare. U prezantuan risitë në tekstet shkollore dhe u shkëmbyen përvoja mbi mësimdhënien bashkëkohore.

Prishtinë, 31 maj 2025 — Shtëpia Botuese “Albas”, në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të saj, organizoi një seminar tematik në Klan Arena Centre, Prishtinë, kushtuar mësuesve të ciklit fillor në Kosovë. Me moton “Gjuhë. Mësim. Rrugëtim.”, ky aktivitet mblodhi së bashku drejtues të Albas-it nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, përkatësisht Rita Petro, Driton Ajrullai dhe Fatlum Hetemi, si dhe autorë të teksteve shkollore, redaktorë, mësues dhe bashkëpunëtorë të shumtë të shtëpisë botuese, në një atmosferë të ngrohtë dhe profesionale që i kushtohej arsimit cilësor.


Që në hyrje, pjesëmarrësit u mirëpritën me kujdes dhe elegancë, ndërsa ambientet e brendshme të sallës ishin të kuruara në detaj, me një organizim të menduar mirë, që krijonte qetësi dhe përqendrim. Një ekran gjigant dominonte skenën dhe i dha dinamikë vizuale seminarit, duke shfaqur tekstet, ilustrimet dhe udhëzuesit digjitalë që u prezantuan gjatë ditës.

Pas fjalëve përshëndetëse, aktiviteti u hap nga presidentja e Albas-it, Rita Petro, e cila solli një përmbledhje të rrugëtimit të përbashkët të shtëpisë botuese me mësuesit dhe shkollat, duke ndalur në risitë që janë sjellë vit pas viti në tekstet shkollore dhe në platformat digjitale. 

Ajo theksoi përkushtimin e Albas-it për të qenë gjithnjë pranë mësuesit, duke ofruar jo vetëm libra bashkëkohorë, por edhe udhëzime praktike për përdorimin e tyre.



Më tej, seminari vijoi me një seri prezantimesh tematike të mbajtura nga autorë dhe bashkëpunëtorë të Albas-it, të cilët ndanë përvoja dhe qasje didaktike konkrete nga fusha e tyre.


Shpëtim Elezi dhe Ervisa Paloka trajtuan mënyrat e përvetësimit të gjuhës amtare përmes llojeve të ndryshme të teksteve, duke përfshirë edhe formatin digjital si mbështetje për mësimdhënien moderne. 

Në vijim, Majlinda Gjelaj dhe Sevi Lami u ndalën te lënda “Shkathtësi për jetë”, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e edukimit për komunikim, bashkëpunim dhe vendimmarrje që në moshat e hershme.

Një qasje dinamike e sollën edhe Vllaznim Balidemaj dhe Sevi Lami në temën mbi shoqërinë dhe mjedisin, ku u theksua nxitja e vëzhgimit të rrethinës dhe lidhja me komunitetin si mënyrë për të zhvilluar vetëdijen sociale dhe mjedisore te fëmijët.


Pas pushimit të shkurtër, seminari vijoi me temat e lëndëve shkencore dhe ato që mbështesin kreativitetin.


Shqipe Loshi dhe Valjeta Zeqiri Rakovica diskutuan mbi logjikën konceptuale të ushtrimeve të matematikës dhe ndërlidhjen e tyre me jetën e përditshme të nxënësve.

Ndërkohë, Sevi Lami u rikthye me temën “Njeriu dhe natyra”, duke folur për mënyrën se si mund të integrohet dija shkencore me përvojat praktike të fëmijëve, në një mjedis mësimor të gjallë dhe gjithëpërfshirës.

Në pjesën përfundimtare të seminarit, Adhurim Rasimi solli një qasje të veçantë mbi edukimin muzikor dhe rolin e artit në formimin e personalitetit të fëmijës, duke prezantuar shembuj konkretë nga tekstet shkollore. 

Seminari u mbyll me një prezantim mbi edukatën fizike nga Shpresa Berisha Haxhiu, Florentina Thaçi Muçaku dhe Sevi Lami, të cilat folën mbi rëndësinë e aktivitetit fizik në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës dhe integrimin e tij si pjesë përbërëse e edukimit të gjithanshëm.

Në fund të aktivitetit, të gjithë pjesëmarrësit morën certifikata, materiale ndihmëse dhe dhurata simbolike, ndërsa seminari u përmbyll me një drekë të përbashkët, foto kujtim dhe shumë falënderime për kontributin e çmuar të mësuesve.

Ky seminar dëshmoi edhe një herë përkushtimin e Shtëpisë Botuese “Albas” për të qenë një partner i qëndrueshëm i mësuesve, duke ofruar zgjidhje të reja, bashkëkohore dhe të qëndrueshme për edukimin e brezit të ri.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

695 Lexime
3 ditë më parë