ARSYETIMI

5 arsye pse poezia e Lasgushit nuk duhet të ishte dhënë këtë vit në provimin e Maturës

Ka disa arsye që mendoj se nuk duhej dhënë, të paktën këtë vit, poezia e Lasgushit në provimin e Maturës Shtetërore, pavarësisht dashurisë që kam personalisht për poezinë e tij.

Lasgush Poradeci është një zë unik i letrave shqipe që e meriton të njihet e të studiohet nga nxënësit gjatë viteve të tyre të studimit në ciklin e mesëm. Madje nëse do ta joshësh nxënësin për të njohur botën e bukur të ndjenjave, thellësitë e shpirtit njerëzor, dashurinë e bukurinë, aktin madhështor dhe të dhembshëm të krijimit etj. le t'I japim nxënësit të lexojë e të studiojë poezinë e Lasgushit.


Por ka disa arsye që mendoj se nuk duhej dhënë, të paktën këtë vit, poezia e Lasgushit në provimin e Maturës Shtetërore, pavarësisht dashurisë që kam personalisht për poezinë e tij.


Së pari, Lasgush Poradeci në kurrikulën e re është përfaqësuar me veprën "Ylli i zemrës". Kjo sipas meje është një përpjekje me vlerë për të hyrë më në thellësi të njohjes e studimit të poetikës së autorit, thellimin në leximin e veprës së tij, si dhe, duke qenë se dy veprat poetike "Vallja e yjeve" dhe "Ylli i zemrës" janë të lidhura pazgjidhshmërisht, përplotësim i njëra- tjetrës dhe përmbushin sistemin poetik të poetit të organizuar në cikle, që në fillim, kur u njohëm me programet lëndore kurrikulare, e pashë si një qasje pozitive për të mos mbetur te e jashtmja, "te sipërfaqësorja" "te vallja", por të hynim në "zemrën" e këtij sistemi të veçantë poetik, unik në llojin e tij në  letërsinë shqipe. Ky udhëtim "për të njohur më thellë" nuk është kaq i lehtë, pasi sistemi ciklor i Lasgushit nuk është një sistem filozofik, por një sistem i një "rangu më të lartë", sistem filozofiko-poetik. Kështu që mendoj se Komisioni i Hartimit të Testeve duhej të ishte shumë i kujdesshëm kur zgjedh të tilla tekste si poezia "Dritë fshehtësie" për të matur njohuritë e nxënësit në lëndën e letërsisë në vitin e dytë të studimit të një kurrikule të re, si dhe të një vepre të re të përfshirë në program.


Së dyti, me njohuritë që kam, di që për të paktën 10 vjet (në mos nuk ka qenë ndonjëherë e studiuar më vete) vepra " Ylli i zemrës" i Lasgush Poradecit nuk ka qenë përfshirë në librat e letërsisë në ciklin e mesëm të lartë ( e studiuar më vete, ndaras nga “Vallja e yjeve”). Mungojnë studime për këtë vepër të përshtatura për nivelin e nxënësit përtej atyre akademike.


Në internet nxënësi nuk gjen dot analiza a komente të poezive të këtij vëllimi siç gjen të gatshme për të punuar poezi nga "Vallja e yjeve" të cilat janë punuar ndër vite. E në kushtet e pandemisë ku nuk mund të shfrytëzoheshin bibliotekat, poezia mbetet e palexuar, e ndoshta krejtësisht e panjohur për nxënësin.


Së treti, premisa (kriteri hartues) se njohuritë e qëndrueshme duhet t'i masim në një tekst të papunuar më parë, mendoj se nuk duhej të ishte zbatuar duke pasur parasysh të gjithë situatën problematike.

A priori kur një kurrikul e re aplikohet në shkollë ajo nuk është e re vetëm për nxënësin, por edhe për vetë mësuesin. Ka mësues që këtë vit kanë punuar për herë të parë me kurrikulën me kompetenca në klasën e 12. Dhe nuk është thjesht njerëzore, por profesionale të mendosh që atyre u duhet kohë ta përtypin dhe përvetësojnë njohurinë e re përpara se ta ndajnë atë me nxënësit.


Së katërti, vepra e Lasgushit sipas planeve mësimore është studiuar në muajin shkurt. Ka qenë në mos e fundit e parafundit vepër që është analizuar nga nxënësit në bankat e shkollës përpara izolimit prej pandemisë Covid 19. Personalisht kujtoj që periudha që prej 20 janarit deri më 6 mars ka qenë një periudhë e vështirë në shkollë, me të ftohtin në kushtet e papërshtatshme dhe mungesat e shumta për shkak të gripit (i cili këtë vit ishte një flamosje e vërtetë). Nuk mund të përmbushësh boshllëqet kur janë të shumta me 2 apo 4 orë përsëritje on line për veprën, kur një pjesë të mirë të nxënësve nuk i ke pasur në klasë dhe një pjesë e tyre nuk i ke as gjatë mësimit në distancë.


Së pesti, për të gjithë ne situata e pazakontë e izolimit u shoqërua me shumë stres, ankth, pasiguri. Kur imagjinoj nxënësit e mi, nxënësit e shkollave të mesme, pjesën më vitale të shoqërisë të izoluar mes 4 mureve, me një regjim të ç'ekuilibruar të gjumit, atë ushqimor, fizik, emocional e psikologjik, unë vetë do të kisha zgjedhur një poezi më të thjeshtë, një prozë ose poezi të studiuar më parë, që është përtypur më mirë, që tashmë është magazinuar në kujtesën afatgjatë dhe jo atë njohuri të re, pjesë të kujtesës afatshkurtër përpara traumës. Studimet tregojnë se pas një traume njerëzit janë të prirur të kujtojnë më mirë gjërat e largëta sesa ato më të afërtat në kohë me traumën. 

Nuk do shumë mend për të kuptuar as se më tepër sesa mbështetje në mësimnxënie për përsëritjen e programit të maturës, nxënësit vrapuan me maska e në kushte përtej të zakonshmes në bankat shkollore jo për të mësuar më shumë, sesa më tepër për të dalë nga izolimi, nga qerthulli mbytës psikologjik, nga shtjella e rënies fizike ( disa të dobësuar shumë, disa me shumë kg mbi, disa të hutuar e disa të çorientuar) si dhe nga zinxhirët e distancimit social, sepse për ta miqësia e socializimi është frymëmarrje.

Por... nuk paskan të mbaruar "kurthet" për ta!

I tillë ishte fatkeqësisht edhe testi i radhës në letërsi.

...........................................................................


A po i nxisim nxënësit tanë ta duan e ta mësojnë gjuhën shqipe? A po i motivojmë ata ta duan botën e bukur të trillimit! A po i japim atyre motivin se kush punon shpërblehet! A po i japim mundësi atyre që ulen çdo vit në bankat shkollore të mprehin aftësitë krijuese dhe komunikuese e t'i sigurojmë se çdo gjë është e matshme dhe e vlerësueshme? Jo të gjithë shkëlqejnë në zhvillimin e çdo kompentence, madje ndonjëherë as ata që i quajmë ekselentë, por një test matës bazuar në zhvillimin e kompentencave duhet të zbulojë mekanizmin për t'i matur të gjitha kompetencat e përbërësit e saj: njohuri, aftësi, vlera e qëndrime.


Gjejeni mekanizmin!

Nuk jemi JU ( kupola) dhe NE! Jemi ne.

Mos bëni të gjithëdijshmit! Kërkoni ndihmë të kualifikuar!

Të gjithë ne bëhemi bashkë jo thjesht për rrogën, por për një mision të shenjtë: ARSIM CILËSOR.

Dhe..., jepini Cezarit çfarë i takon Cezarit!



Shkroi: Mësuese Marsela Neni

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

9,486 Lexime
3 vjet më parë