INTERVISTË

7 dhe 8 Marsi për Rita Petron: Festa të zgjeron kraharorin, protesta të ndërgjegjëson

Në ditët e shënuara të 7 dhe 8 Marsit, poetja e njohur, Rita Petro vjen me mesazhe tepër të fuqishme për figurën e mësuesit dhe të gruas shqiptare, por nuk ka ngurruar të japë edhe urimet e rastit, nëpërmjet një interviste që ne kemi zhvilluar me të.

Në ditë të shënjuara, siç është festa e mësuesve dhe e nënave, pashmangshmërisht i pranojmë vetes emocione të veçanta duke i bërë nënvetëdijes një retrospektivë. Në të njëjtën kohë frymëzohemi për lartësim të mëtejshëm, përmes ideve, kritikave, mesazheve, shembujve...

Zonja që ne kemi zgjedhur të intervistojmë sot është jo pak e njohur për shqiptarët!

Poetja Rita Petro, ndan me ne mendime si krijuese letrare sa i përket figurës së mësuesit dhe të gruas shqiptare, rolit të tyre në shoqëri, të cilin ajo e quan rol të rëndësishëm misionar për fëmijët tanë.  

Dhe si për të hijeshuar gjithë çka ndalet, sjell një poezi kushtuar nënave. Ju ftojmë të lexoni për më tepër intervistën e mëposhtme. 



Zj.Rita, faleminderit që do të ndash me ne pak kohë për festat e 7 dhe 8 Marsit.

Ju jeni ajo qenie femër që në portretin tuaj dukeni gati gati e përplotësuar: ju jeni një nënë, një grua, shkrimtare, poete, biznesmene...A është vështirë t'i realizosh të gjitha këto? 


Unë mendoj se më vështirë është të dish t'i luash mirë të gjitha rolet që të cakton natyra, familja apo shoqëria. Natyra na ka dhënë një privilegj të madh, të mbajmë në trupin tonë embrionin e ripërtëritjes së jetës. Në familje kryejmë disa role: fillimisht si vajza të prindërve tanë, motra, bashkëshorte dhe si prind. Prej shoqërisë luajmë disa role që lidhen me miqësinë, dashurinë, profesionin, karrierën si dhe edukimin e fëmijëve që është shumë i rëndësishëm. Shpesh herë këto role përplasen me njeri-tjetrin, ngatërrohen në këmbët e njeri-tjetrit, herë del njëri në sipërfaqe dhe herë del tjetri. Po kjo është jeta, të luftosh për përsosmërinë, por jo të vuash kur sheh se nuk e arrin dot. Ne nuk jemi të përsosura dhe s'kemi pse e vuajmë këtë. Unë për vete nuk e vuaj edhe kur e kuptoj se për hir të biznesit harroj poezinë apo e kundërta, kur për hir të përgjegjësive le mangët gjëra në familje apo e kundërta, për hir të partnerit harroj miqësinë apo e kundërta. E rëndësishme është të gjesh ekuilibrat dhe mos shkelësh asgjë me këmbë, sidomos veten tënde. Kur do dhe vlerëson veten të gjitha gjërat e tjera shkasin më kollaj, nuk ngecen nëpër gurë e shkurre. 

 


A keni një mendim tuajin si krijuese letrare, sa i përket figurës së gruas shqiptare, cila është gruaja shqiptare e ditëve të sotme? Për çfarë ka nevojë më tepër gruaja shqiptare, a do të kishte diçka që mund të përmirësohej tek ajo, apo që shoqëria duhet t’ia ofrojë? 


Kemi më së shumti dy lloje grash të cilat dallojnë prej njëra-tjetrës. Lloji i gruas që e sheh kudo të pranishme me bukurinë apo sharmin e saj të shfaqur hapur, përpjekjet, guximin për karrierë profesionale apo politike. 

Llojin e gruas me një bukuri të fshehur paksa, me ëndrra profesionale në sirtar dhe që gjithë energjitë e veta ia kushton familjes. 

Te të dyja llojet e këtyre grave gjendet gruaja që i duhet t'i mbijetojë dhunës psikologjike apo asaj fizike. Askush prej nesh nuk është e imunizuar nga kjo. Dhuna ka disa shfaqje të fshehura në nënshtresa të ndërgjegjes sonë personale apo shoqërore. Ne shohim vetëm atë të dukshmen, ekstremen kur vritet një grua. Dhe atëherë tronditemi dhe mallkojmë botën e burrave. Po harrojmë se këta burra janë fëmijët e grave, janë tanët, rritur dhe ata me dhunë familjare, rritur dhe ata me komplekset e te qenit meshkuj të fortë. E kam thënë dhe herë të tjera. Mungojnë në shtetin tonë politikat sociale në mbështetje të grave në nevojë, por jo vetëm të grave, por edhe të burrave në nevojë (se veprimet ekstreme fillojnë nga të dy në familje) roli i psikologëve të paguar nga shteti në rastet e këshillimit familjar, rregullimi me ligj në rast divorcesh, ku gruaja të ndihet e mbështetur dhe e mbrojtur nga shteti e të tjera si këto që bota e emancipuar i ka shumë të zhvilluara.  Dhe mbi të gjitha, duhet këmbëngulja dhe përpjekja e vetë grave për veten e tyre. Dhe Ideale do të ishte nëse këto përpjekje do të harmonizoheshin me politikat shtetërore, siç ndodh në botën e qytetëruar sot.



Po mësueset/mësuesit çfarë mund t’i frymëzonte për rolet e tyre në jetë dhe shoqëri? 


Mendoj se në ditët e sotme mësuesit apo mësueset kanë detyrën e vështirë të ecin shumë më shpejt se ata të një kohe tjetër kur ndryshimet ecnin me hapin e breshkës. Konceptet shkencore, metodat didaktike duhet të përmirësohen e përshtaten hap pas hapi me këtë brez të lidhur ngushtësisht me zhvillimet marramendëse teknologjike. Kjo është frymëzuese. Bota është zvogëluar dhe kufijtë janë hapur dhe mësuesit nuk mund të mbeten të mbyllur. Nga ana tjetër, roli i tyre bëhet edhe më i rëndësishëm kur e kuptojnë se këta të rinj-tekno janë të brishtë, plot frikëra e dilema për të ardhmen e tyre. Dhe përpos rolit të psikologut në shkollë, mësuesit janë komunikuesit e drejtpërdrejtë me nxënësit, të cilët do të kenë përherë nevojë për këshillimet e tyre. Edhe kjo është frymëzuese. Të mbetesh misionar në mendjen e një brezi. 



Në 7 dhe 8 mars duhet të festojmë apo duhet të protestojmë?


Mendoj se as festa dhe as protesta nuk bëhet me urdhër nga lart. Secila nga ne bën atë që mendon se është më mirë. Shumicës me sa kam parë i pëlqen të festojë. Ka shoqata në mbrojtje të gruas që bëjnë thirrje për protestë dhe ka shumë gra që zgjedhin të jenë në protestë. Por ka dhe nga ato që edhe protestojnë edhe festojnë. Mirë është gjithsesi: festa të zgjeron kraharorin, protesta të ndërgjegjëson. 



A mund të ndani me ne një poezi që mund t’i shkonte festës?


Këtë poezi e kam shkruar në vitet '80, kur mendoja se ndryshe duhej vështruar mamaja ... mbase kisha parasysh mamanë e vajzës sime. 

POEZI E RE PËR NËNËN

E mira

E urta

E dashura

E dhembshura

E sakrifikuara

Nëna ime.

E bukura

Elegantja

E pasionuara

E dashuruara

E përfolura

Nëna ime.



Po urimi juaj për mësueset/mësuesit dhe nënat cili është? 


Gëzoni, festoni, protestoni, rebelohuni, dashuroni dhe mos harroni kurrë veten, se aty zë fill energjia pozitive që duhet të transmetoni te fëmijët e së ardhmes! 


-Faleminderit!


-Faleminderit ju Nanila dhe Portalit Shkollor! Gëzuar dhe ju!



(Intervistoi Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

3,149 Lexime
4 vjet më parë