A referohen incidentet në shkolla?
Raporti i fundit i MAS për vitin 2022-2023 regjistron 2750 raste dhune në shkolla, ku përfshihen si nxënës, ashtu edhe mësues. Fiqiri Çifliku thekson se përtej fajësimit, fokusi duhet të jetë tek parandalimi, edukimi ligjor dhe roli i rëndësishëm i oficerëve të sigurisë në trajtimin e incidenteve.
Raporti i fundit i Ministrisë së Arsimit për incidentet në shkolla është i vitit shkollor 2022-2023. Në këtë raport janë deklaruar 2750 raste dhune në shkollat e vendit. Këto raste përfshinin dhunë të shkaktuar nga nxënësit, por edhe nga mësuesit.
Studime të tjera tregojnë se bullizmi kibernetikë, dhuna verbale dhe fizike janë ndër format më të përhapura, dhe se zonat si oborri i shkollës, tualetet dhe mjediset jashtë shkollës konsiderohen më pak të sigurta. Këto anketime theksojnë gjithashtu rëndësinë e shërbimit psiko-social në shkolla dhe veçanërisht të shërbimit të Oficerëve të Sigurisë (OS) në shkolla për të referuar dhe trajtuar rastet e dhunës.
Mjedisi ynë shpesh përpiqet të gjej një fajtor për çdo incident, ndërkohë që fokusi duhet të jetë tek parandalimi. Për të parandaluar incidentet në shkolla duhet të gjejmë arsyen pse ndodhin incidentet. Në këtë proces është i rëndësishëm edukimi ligjor jo vetëm për stafin arsimor, por edhe për nxënësit dhe prindërit në mënyrë që të kuptohet përgjegjësia ligjore në rastin e shkaktimit të incidentit. OS në shkollë ndër të tjera kryejnë veprimtari administrative në kuadrin e drejtësisë penale për të mitur mbështetur në Ligjin nr. 37/2017, “Kodi i drejtësisë penale për të mitur”.
Në nenin 8 të ligjit, theksohet se parimet e Kodit, kanë efekt në të gjithë përmbajtjen e tij dhe zbatohen nga çdo person apo organ kompetent, në të gjitha veprimet dhe vendimet e tyre lidhur me të miturin në konflikt me ligjin, të miturin viktimë ose/dhe dëshmitar i veprës penale.
OS në shkollë janë referues të informacionit në rastin e incidentit, por nga ana tjetër cilësohen parandalues. Shkollat duhet të kuptojnë se parandalimi përfshin edukimin ligjor në shkollë për nxënësit në rastin e shkaktimit të incidentit dhe pasojave të ardhura nga këto veprime dhe nga ana tjetër çdo element brenda IA-së për OS në shkollë mbetet referues. Edhe në shtojcën e udhëzuesit të punës të miratuar nga ASCAP, në formatin e incidenteve në shkollë, fq.27, referuesit e informacionit cilësohen si parandalues dhe dëshmitarë. Personat të cilët raportojnë/konstatojnë incidentin/problematikën janë:vet nxënësi, punonjësi i shërbimit psiko-social, oficeri i sigurisë, punonjësit arsimor (mësuesit), stafi drejtues, nxënës (dëshmitar), prindër/familjar, roja/sanitarja/ sekretarja, tjetër.
Në këtë format, përcaktohet gjithashtu edhe lloji i incidentit dhe problematikës. Në fakt duhet shqyrtuar me kujdes sepse në termin e përdorur incident cilësohen veprat penale që ndiqen penalisht si më poshtë:
• Armëmbajtje.
• Bulling (ngacmim/tallje/fyerje) përfshirë krimet në internet.
• Vjedhje, thyerje apo prishje e pronës.
• Ngacmim seksual.
• Sulm me armë zjarri/të tjera.
• Dhunë psikologjike/verbale.
• Dhunë fizike, ekstremizëm i dhunshëm apo vandalizëm.
• Posedimi apo shpërndarja e drogës.
• Zjarrvënie e qëllimshme.
• Kërcënim/ shantazh/ përndjekje.
• Tentativë vetëvrasje apo vetëvrasje.
• Diskriminim/racizëm.
• Neglizhim.
• Ngjarje aksidentale tjetër.
Për qëllime të përgjegjësisë penale për krimet, sipas nenit 7, konsiderohet i mitur, çdo person i cili ka mbushur moshën 14 vjeç, por jo 18 vjeç në kohën e kryerjes së krimit. Në rastet e shkaktimit të incidenteve të mësipërme formati i OS për përgjegjësinë penale përcakton qartë detyrimin për të identifikuar personin që shkaktoi incidentin/problematikën dhe personin ndaj të cilit u shkaktua incidenti/problematika. OS në shkollë e kryejnë këtë detyrë në bazë të manualeve si dhe të udhëzimit për fillimin e vitit shkollor nga Ministria e Arsimit.
Sipas Ligjit nr. 37/2017, “Kodi i drejtësisë penale për të mitur”, neni 25, flet për specializimin e personave që administrojnë dhe asistojnë procesin e drejtësisë penale për të mitur. (në rastin e shkollave të gjithë subjekteve e veçanërisht oficerit të sigurisë)
- Organet kompetente marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar që personat, të cilët punojnë me të miturit, të kenë njohuritë e nevojshme, ndërgjegjësimin profesional më të lartë për mbrojtjen e të drejtave të të miturive në konflikt me ligjin, viktimë ose dëshmitarë, si dhe marrin të gjitha masat e duhura për qëndrueshmërinë e tyre në këto pozicione pune.
- Organet kompetente, sipas këtij Kodi, garantojnë dhe sigurojnë që çdo person, i cili ka qenë i dënuar me një vendim të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje ndaj të miturit, ose vepra ndaj dhunës në familje, ndalohet të punojë dhe të ofrojë shërbim ndaj të miturit.
- Organet kompetente dhe organizatat jofitimprurëse që ofrojnë shërbime për të miturit marrin të gjitha masat e duhura, me qëllim që të sigurojnë që personat që janë dënuar për vepra penale ndaj të miturve të mos kenë asnjë kontakt me të miturin.
- Personat që administrojnë procesin e drejtësisë penale për të mitur duhet të jenë të specializuar dhe të trajnuar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Bëhet përjashtim vetëm në rastet kur veprimet ose mosveprimet e të miturit rrezikojnë sigurinë publike dhe në rastet e parashikuara lidhur me gjendjen e flagrancës, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Në këtë rast, personi jo i specializuar, pas marrjes së masave paraprake, njofton menjëherë personin/strukturat e specializuara për të vazhduar këtë proces.
- Në procedurat me të mitur, organet kompetente sigurojnë që punonjës të specializuar mund të asistojnë të miturin në procesin e drejtësisë penale. 6. Shkelja e pikës 3, të këtij neni, përbën vepër penale, sipas Kodit Penal.
Sa e njeh drejtuesi i IA-së, stafi , nxënësit dhe prindërit procedurën praktike të veprimtarisë së oficerit të sigurisë në shkollë?!
Një drejtues i mirë duhet të njoh shumë mirë bazën ligjore, dosjen e sigurisë së oficerit në shkollë, për të kuptuar më tej punën e tij, si dhe për të siguruar bashkëpunim e koordinim sa më të mirë. Oficeri i sigurisë i certifikuar dhe i punësuar në shkollë, zotëron të gjithë mekanizmat e duhura dhe kontaktet institucionale të drejtpërdrejta që ti vlejnë për të punuar në institucionin arsimor. Një material me vlerë në këtë proces është info-grafikun informues i hartuar nga ASCAP, në linkun më poshtë.
https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2024/10/Oficeri-i-sigurise-Infografik-informuese-1.pdf
Ligjit nr. 37/2017, “Kodi i drejtësisë penale për të mitur”,
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Model praktik për hartimin e planit 3-vjeçar të Zhvillimit Profesional