Vlerësimi

Analiza vjetore: “Androkli Kostallari 1”, Shkolla e Vitit

Drejtoresha e shkollës “Androkli Kostallari 1”, Genta Dollia tregon për punën e palodhur të gjithë stafit të shkollës, prindërve dhe komunitetit për të arritur që të gjithë fëmijët ta duan shkollën dhe të mos e braktisin.

Kryefjala e çdo dite të saj është punë dhe organizim. Drejton një shkollë e cila frekuentohet nga nxënës që vijnë nga komuniteti rom, por edhe nga vise të ndryshme të vendit të cilët pas vitit 1990 janë shpërngulur në Tiranë. Kjo e bën më të vështirë arritjen e suksesit, por drejtoresha e shkollës “Androkli Kostallari” Genta Dollia dhe stafi i shkollës kanë hartuar plane dhe strategji të cilat i kanë çuar drejt suksesit. Të gjithë së bashku ia dolën të ulin numrin e nxënësve që braktisin shkollën, e pikërisht për këtë arsye në analizën që bëri Drejtoria Arsimore e Tiranës dhe Ministria e Arsimit shkolla “Androkli Kostallari 1” u shpall shkolla e vitit. Bashkëpunim me prindërit, organizim i klubeve si: i artit, i artizanatit, i trashëgimisë kulturore, i matematikës, i anglishtes dhe i sporteve ku përfitues janë 234 nxënës të cilët janë të talentuar, me vështirësi në të nxënë, me rrezik braktisjeje dhe me nevoja ndryshme i bëri të suksesshëm. Motivim, komunikim, vizita të njëpasnjëshme në familjet e nxënësve, njohja e problemeve, mësues dhe prindër që punojnë vullnetarisht... shkolla “Androkli Kostallari” krijon një atmosferë mikpritëse dhe mbështet të gjithë nxënësit e saj.


Sa nxënës ka në shkollën tuaj?

Shkolla fillore “Androkli Kostallari” ndodhet në  qytetin e Tiranës dhe i përket njësisë  bashkiake nr 1, ish Uzina Traktori Shkozë. Shkollën tonë e frekuentojnë 650 nxënës nga klasa e parë në të pestën dhe 80 fëmijë në sistemin parashkollor. 1/6 e nxënësve të shkollës i përket komunitetit rom, i cili banon në ndërtesat sociale pranë qendrës komunitare Shkozë. Komuniteti është heterogjen dhe 50% e familjeve kanë ardhur nga të gjitha viset e Shqipërisë pas vitit 1990. Një pjesë e mirë e familjeve të nxënësve të shkollës mbështetet me ndihmë ekonomike.


Si është marrëdhënia juaj me mësuesit, po me nxënësit?

Që një shkollë të jetë e suksesshme, padyshim që në themel të suksesit qëndron komunikimi midis të gjithë aktorëve. E konsideroj veten të privilegjuar që punoj me një staf mësuesish të përkushtuar, të hapur dhe gjithmonë aprovues ndaj risive që ne si drejtori kemi futur në shkollë. Qëllimi ynë kryesor është që shkolla të jetë mikpritëse dhe e dashur për nxënësit. Gjatë gjithë vitit shkollor organizohen aktivitete ku marrin pjesë të gjithë nxënësit sipas aftësive dhe talenteve. Në organizmin e të gjitha veprimtarive ne shikojmë si një partner shumë të rëndësishëm prindin.


Ju jeni shkollë qendër komunitare, çfarë ju ndryshon nga shkollat e tjera? Si funksionon një shkollë si qendër komunitare?

Shkolla Qendër Komunitare është një shkollë ku ndërtohet partneriteti shkollë - familje -komunitet dhe zhvillohet potenciali i çdo fëmije. Një shkollë qendër komunitare është një shkollë e hapur dhe gjithëpërfshirëse. Nëpërmjet klubeve dhe veprimtarive jashtë procesit mësimor që janë të lidhura me këto klube mbështetet zhvillimi i fëmijëve sipas talenteve dhe nevojave të tyre. Në shkollën tonë funksionojnë disa klube të cilat zhvillohen pas mësimit si: klubi i artit, i artizanatit, i trashëgimisë kulturore, i matematikës, i anglishtes dhe i sporteve ku përfitues janë 234 nxënës të talentuar, me vështirësi në të nxënë, me rrezik braktisjeje dhe me nevoja ndryshe. Vlen për t’u theksuar mbështetja e Qendrës së Zhvillimit Profesional me specialis të vullnetarë Znj. Angjelina Vaso si dhe mësuesen profesioniste Znj. Djana Margegaj të cilat kanë ndërtuar një ekip shumë të mirë në mbështetje të nxënësve të talentuar në pikturë. Duke qenë se shkollën tonë e frekuentojnë nxënës të komunitetit rom që janë në rrezik për të braktisur shkollën hapja e klubeve dhe pjesëmarrja në veprimtari jashtëshkollore kanë bërë që shkolla të jetë një ambient më tërheqës për ta. Një pjesë e klubeve mbështetet nga prindër të shkollës, të cilët janë ofruar vullnetarisht për t’i mbështetur ato. Një ndër to është klubi i artizanatit që ka funksionuar shumë mirë me mbështetjen e prindërve. Vlerësimi ynë si drejtori shkolle është për të gjithë mësuesit që mbështetin klubet si: Vjollca, Bardhi, Irma, Arbri, Redinela, Arjana, Elida në mënyrë vullnetare.


Në analizën që u bë në drejtorinë arsimore me shkollat e Tiranës, shkolla juaj u përmend si shkollë e suksesshme. Cili është suksesi juaj?

Siç e përmenda edhe më lart komuniteti në të cilën bën pjesë shkolla jonë është shumë heterogjen dhe si rrjedhojë kjo e shton edhe më shumë vështirësinë në punën tonë. Rreth 12% e nxënësve të shkollës i përkasin komunitetit rom, të cilët për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe mentalitetit në familjet e tyre përcjellin edhe problematika në frekuentimin e fëmijëve në shkollë. Duke analizuar punën tonë në vazhdimësi pikë e dobët ishte frekuentimi. Për këtë arsye gjatë vitit shkollor 2015 – 2016 synimi kryesor ishte ulja e numrit të nxënësve braktisës dhe me rrezik braktisje. E gjithë veprimtaria e shkollës si gjatë procesit mësimor edhe pas shkolle është e fokusuar në krijimin e një terreni sa më miqësor si nga fëmijët dhe nga stafi mësimor për fëmijët të cilët kanë braktisur shkollën dhe janë në rrezik braktisjeje.


Sa të integruar janë nxënësit e komunitetit rom?

Sigurisht që në këtë pikë mbetet shumë për të bërë. Duke qenë se shkolla është shumë heterogjene edhe vështirësia është e madhe. Mendoj që ambienti që kemi krijuar në shkollë është shumë miqësor, shumë mikpritës nga të gjithë nxënësit dhe stafi i mësuesve për fëmijët e komunitetit rom.


Konkretisht, si keni vepruar për t’i integruar këtë grup nxënësish?

Fillimisht një pjesë e stafit pedagogjik dhe përfaqësues të këshillit të prindërve të shkollës  u trajnua nga qendra ASSA (Albanian Social Services Assocation) për “Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm”. Më pas ky projekt u aplikua në shkollën tonë nën koordinimin e  nëndrejtorit të shkollës Z.Gjergji Vangjeli ku të gjithë mësuesit bënë evidentimin e nxënësve me rrezik braktisjeje. Pas vlerësimit të nevojave të çdo fëmije janë marrë masa dhe është ndërtuar një plan pune i veçantë për çdo fëmijë sipas kushteve dhe nevojave te tyre individuale. Grupi në mënyrë periodike bën analizën e punës së kryer nga mësuesit përgjegjës dhe vendos detyrat për vazhdimësinë e procesit. Strategjia e punës tonë është fokusuar në këshillim me prindërit, vizita periodike në familjet e fëmijëve, përfshirje të këtyre fëmijëve në klube sipas talenteve dhe stimulimin e sjelljeve pozitive.

Nuk mund të le pa përmendur edhe mbështetjen që na ka dhënë Qendra Komunitare e Shkozës duke punuar me prindërit dhe duke shoqëruar fëmijët që kanë qenë në situatë rruge çdo mëngjes për në shkollë. Vlerësoj punën e palodhur të mësueseve: Sabrije, Rozeta, Mimoza, Redina, Ruze, të cilat e kanë ndjekur këtë proces i cili i ka dhënë frytet e veta me rikthimin e fëmijëve në shkollë.


Cili është mesazhi juaj për mësuesit? Po për nxënësit?

Mesazhi që dua të përcjell për nxënësit dhe stafin e shkollës është: “SË BASHKU BËJMË MË TË MIRËN”. 


(Albina Hoxhaj & Drita Kolndreu, Portali Shkollor)

16,670 Lexime
7 vjet më parë