Vepër studimore

“Anton Pashku” promovohet në ambientet e Bibliotekës Kombëtare

Shtëpia Botuese Albas sjell veprën studimore “Anton Pashku” të akademikut Sabri Hamiti. Botimi i këtij libri përkon më 80-vjetorin e lindjes dhe 22-vjetorin e shkuarjes në amshim të Anton Pashkut.

Shtëpia Botuese Albas sjell veprën studimore “Anton Pashku” të akademikut Sabri Hamiti. Botimi i këtij libri përkon më 80-vjetorin e lindjes dhe 22-vjetorin e shkuarjes në amshim të Anton Pashkut.


“Anton Pashku” promovohet në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Në fjalën e tij, studiuesi Sabri Hamiti vlerësoi e kujtoi mikun dhe shkrimtarin Anton Pashku, të cilin e konsideroi novelistin më të mirë të letrave shqipe.


Studiues dhe dashamirës të letrave u mblodhën së bashku për të kujtuar dhe nderuar figurën e shkrimtarit Anton Pashku.


NJË HYRJE: ANTON PASHKU

Këtu e njëzet vite më parë, kur isha nxënës i gjimnazit, duke shkuar të gjuajmë shenjën, e ende nuk ishim njerëz të pushkës, një profesor imi, që dinte se merresha me letërsi, më pat pyetur se a i kisha lexuar tregimet e Anton Pashkut, duke ma përmendur sidomos tregimin Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë. I thashë jo, ndonëse i kisha lexuar, sepse më bëri përshtypje si i shpjegonte ai këto tregime duke u sjellë rreth fjalëve: të pazakonshme, tepër të çuditshme. Ishte pranvera e vitit 1966 dhe profesori im, duke dashur të fliste për problemet e këtyre tregimeve simbolike, i rifiguronte në të folurin e vet. 


Me këtë shenjë letrare autobiografike desha të theksoj përnjëherësh tri gjëra. Së pari, lidhjen time si lexues me veprat letrare të Anton Pashkut, të cilat nuk kam pushuar së lexuari qe njëzet vite, gjithnjë me një kureshtje të veçantë. Së dyti, për të theksuar raportin që ka pasur lexuesi ynë dhe përgjithësisht mesi letrar me këtë vepër. E së treti, për të theksuar veçantinë e kësaj vepre letrare, e cila me kohën e vet komunikon në mënyrë të çuditshme, duke marrë vetë një formë të çuditshme, jo të zakonshme dhe paradoksale, në krahasim me veprat letrare të kohës te ne. Çështja e parë ka të bëjë me subjektivitetin në leximin letrar, nga i cili unë nuk di si mund të jetë i liruar njeriu; çështja e dytë ka të bëjë me elaborimin e jehonës dhe të kuptimit të veprës letrare në një rreth; çështja e tretë ka të bëjë me vetë veprën që shkruhet për t’u lexuar së dyti.


Anton Pashku ka filluar t’i botojë veprat e veta letrare në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë. Kjo e dhënë tashti fiton në peshë për dy arsye. E para, se këtu zë fill ajo që sot quhet letërsi moderne te ne, dhe e dyta, sepse nxjerr në pah nevojën që të hetohet situata jonë letrare në atë kohë. Pra, që në fillimet e veta letrare, Antoni shkruan prozën e detajit të pasur dhe të nëntekstit të fortë e të gjuhës së simbolizuar (prosede që do ta ndjekë ai me konsekuencë deri më sot) në një situatë letrare tonën, kur në prozë zotëron anekdota apo paraqitja e situatës jetësore, në kuptimin e imitimit të jetës në art. Kjo, vetvetiu, ka bërë që veprat e tij të duken të veçanta, çfarë njëmend ishin, dhe të përkufizohen e të trajtohen si të veçanta, term që asokohe nuk e kishte gjithherë kuptimin e vlerësimit dhe të mirëkuptimit letrar. Kjo situatë ka krijuar një raport specifik të lexuesit e, edhe më shumë të kritikës, me këtë vepër, i cili është ngritur nëpërmjet moskuptimeve dhe keqkuptimeve, që si hije është i pranishëm edhe më. Ky raport i kritikës është artikuluar në mënyrat më të ndryshme: herë si nderim i posaçëm ndaj veprës, por i pashqiptuar me argumente letrarishte; herë si mohim i kësaj vepre, më shumë gojarisht sesa me shkrim, duke e etikuar këtë letërsi me figurën, te ne dikur të famshme, hermetike; e hermetike ishte gjithë ajo të cilën nuk mund ta kapte shkruesi për letërsinë, i cili nuk donte ta riprovonte vetëdijen e vet letrare. Ky raport herën tjetër është artikuluar si përpjekje e analizës imanente të kësaj vepre, por tashti duke u përpjekur që modelin e saj krahasues ta kërkojë e ta gjejë diku jashtë letërsisë shqipe.


Pra moskuptimet dhe konfuzionet kanë marrë trajta të ndryshme, duke pasur si karakteristikë të përbashkët mungesën e dialogut të mirëfilltë letrar, si dhe analizën imanente të letërsisë, por edhe një përfundim të përbashkët dhe paradoksal: ajo që në letërsi është e veçantë, ajo që është individuale, që do të duhet të merrej si kompliment, është shpallur si mungesë, gati herezi letrare.


Mbasi i hetuam shkurtazi çështjet e raportit të veprës me rrethin dhe funksionimin e saj tridhjetëvjeçar në gjirin e letërsisë shqipe, mund të zbresim më ngadalë e sigurt në gjirin e kësaj vepre letrare, për të theksuar, qoftë shpejt e shkurt, disa veçori të saj më të dallueshme. 


Anton Pashku gjithnjë ka gjakuar atë që theksonte Andre Zhidi, të shkruajë veprën letrare që do të lexohet së paku dy herë. Kjo kërkesë e krijuesit ka prodhuar veçantinë e veprës së tij dhe të komunikimit letrar me të. Të lexosh dy herë, do të thotë të lexosh veprën jo vetëm për fabulën dhe të dhënën jetësore, me kërkimin që të përgjasohet letërsia dhe situatat e saj me situatat e jetës; të lexosh dy herë do të thotë edhe të krijosh dhe të vetëkrijosh një kriter letrar, për leximin letrar e komunikimin poetik, që mund të ecë edhe nëpër labirintet e krijimit, i cili mbështetet edhe në imagjinaren dhe fantastiken. 


Antoni, pra, në fillim e në fund, e shkruan letërsinë si figurë, si kërkim të kuptimeve të rënda jetësore e njerëzore dhe si krijim të tyre, si strukturë të situatave simbolike dhe simbolizuese. Kjo veti dhe veçanti e veprës së tij letrare kapërcen kufijtë tradicionalë të ndarjes së veprave në gjini letrare, e tejkalon kufirin e konvencës.

Nuk është më pak simbolik teksti i dramave Sinkopa dhe Gof sesa shtresat noveliste të romanit Oh, apo madje se tregimet e tij të njohura. Nuk është më pak dramatik dialogu në romanin Oh sesa në dramat e tij. Po kështu nuk është më pak simbolik teksti didaskalik shenjëzues i dramave sesa përshkrimet dhe karakterizimet simbolike në tregime dhe në roman. Kjo do tëthotë se, sa i përket prosedeut krijues ky autor është i njënjëshëm, pa marrë parasysh konvencat formale të gjinive letrare, sepse në të vërtetë krijon gjithnjë një tekst letrar të figurshëm. Në këtë frymë duhet të lexohen e të kuptohen edhe sintagmat tregime fantastike dhe tragjedi moderne si dhe klithja e rëndë oh, që do të dalin edhe si tituj librash, jo vetëm për të shenjuar një botë letrare të krijuar, për të simbolizuar një botë tjetër të mëparshme, por edhe për të karakterizuar një prosede krijuese apo për të theksuar një parabazë letrare.


Pra, cila qenka parabaza letrare e veprës së Anton Pashkut? Në nivelin e shprehjes letrare, është kjo gjuha e figurshme popullore e inkuadruar në vepër si citat, me kuptim të përkufizuar paraprakisht, në një nivel të jetës dhe të rezonimit; më tutje, është figura origjinale letrare e krijuar simbas modelit të së parës; diku edhe më tej, është simboli tradicional kombëtar: barka-çifteli, kulla që do të bëhet nëntemë e veprës. Në një nivel më tutje, është mendimi figurativ i formulësuar popullor, që si urti, si esencë e kuptimit, e mbulon edhe anekdotën nga e cila është krijuar dhe më tej edhe vetë situatën jetësore të anekdotës. Kjo është një parabazë, që i përket modelit krijues dhe figurativ popullor. Në këtë rrjedhë mund të vërehet edhe parabaza e shprehjes së tij letrare në shkrimin e prozës së Konstandin Kristoforidhit. Vërehet se Anton Pashku është një lexues i pasionuar i veprës së Konstandin Kristoforidhit dhe mund të hetohet një interkomunikim ndërmjet veprave të këtyre dy shkrimtarëve tanë në perspektivë dhe në retrospektivë. Ky kërkim nuk do të ndalet në nivelin e përngjasimit gjuhësor e të shprehjes eliptike, simbas modelit biblik, por është kërkim që do të prekë edhe vetë tematikën.


Në aspektin tematik një parabazë e veprës letrare të Anton Pashkut është ajo që mund të përkufizohet si kuptim dhe porosi e historisë, pra një vetëdije historike. Sublimimi i kësaj vetëdijeje historike dhe kuptimi i saj letrar e jetësor e ka kushtëzuar edhe prosedeun e veprës së tij në prozë, madje edhe në dramë, ku nëpërmjet introspeksionit dhe të retrospeksionit shkohet shkallëshkallë në të kaluarën kombëtare, nga më e afërta kah më e largëta, duke shenjëzuar situatat karakteristike, të cilat, të përsëritura si motive dhe lajtmotive të veprës së tij, marrin karakterin e mitit nacional letrar. Në këtë kuptim, qoftë edhe vetëm në këtë kuptim, mund të vërehet dhe të kuptohet vlera letrare e veprës së Anton Pashkut, si një qerthull i veçantë i krijimit letrar, që lidhet në vargun e trashëgimit letrar shqiptar, rezonim i cili e zhvlerëson deri në fund mendimin se kjo letërsi e kjo vepër duhet të kuptohet e të vlerësohet si e zhvendosur nga konteksti i letërsisë kombëtare, si përngjasim me vepra letrare të letërsive të tjera. Sepse shumë ide dhe tema të kësaj vepre letrare janë, më tepër sesa ëndrra universalizuese, përsëritje dhe përtëritje të temave e të ideve, tashti në trajtë të re letrare, të letërsisë sonë të traditës, të cilat marrin trajtë e kuptim të ri në dialog me aktualitetin tonë. Shkrimtari i madh frëng, Andre Zhidi, kishte qejf të thoshte: të gjitha janë thënë, por që të mos harrohen, duhet të përsëriten, pse të mos përsëriten të vërtetat kur edhe rrena përsëritet shumë e shpesh? E të vërtetat e kësaj vepre janë: ëndrra e pashuar e njeriut për liri, duke provuar dhunën e dështimin, në pika të kohës të hershme dhe të vona dhe në pika të hapësirës atje e këtu. Dhe vepra letrare jo vetëm si shenjim i kësaj situate të rëndë për njeriun, por edhe si kritikë implicite e kësaj situate.


Dua të theksoj se vepra letrare e Anton Pashkut mbërthen në vete mendimet e kulluara të autorit dhe nëpërmjet këtij edhe një memorie historike nacionale: në tregimet më shumë të lidhura me një aktualitet, kurse në roman dhe në drama duke u lidhur me aktualitetin, por edhe me të kaluarën e afërt e të largët. Gjithë këtë memorie në vepër e shqipton rrëfimtari apo heroi letrar që, duke qenë i kushtëzuar të mos veprojë, i dorëzohet mendimit, dhe me veprën e këtij autori, përfundimisht në letërsinë tonë bashkëkohore, kemi inkuadrimin e personazhit që mendon, karshi personazhit që vepron.


Në përgjithësi, në nivelin e shprehjes letrare, në nivelin e strukturimit të tërësishëm të veprave të veta dhe, më në fund, në nivelin e domethënieve të veprave të veta letrare, Anton Pashku është autor që kërkon sintezën, përsosjen letrare, veprën letrare të kryer, në të cilën jepet esenca, fara e jetës dhe kokrra e kuptimit dhe e mendimit. Kjo është provuar me tregimet e tij antologjike: Nën qarr po rrinte vasha, Floçka, Kulla, Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë, Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit, Kënaqësitë e Megalopolisit, Anija e dehur, le të përmenden vetëm disa prej tyre, e gjithsesi me romanin Oh dhe dramat Sinkopa dhe Gof. 


Ky autor nuk është përpjekur kurrë që të krijojë një kontratë sipërfaqësore dhe mashtruese me lexuesin e një kohe e të një ambienti, e sidomos jo që ky lloj i kontratës të hyjë në trupin e veprës së tij. Prandaj, komunikimi me veprën e tij gjithnjë është interesant për kohët që vijnë dhe lexuesin që dhuntinë e vet e jep dhe e merr vetëm nëpërmjet kërkimit dhe leximit të vërtetë letrar. Kur jemi këtu le të theksojmë edhe një çështje: vlerësimi autorial mbi botën e thurur në vepër është kaq i pranishëm në veprën letrare të Anton Pashkut, mirëpo ky vlerësim duke marrë trajtën letrare të ironisë, të përmbysjes dhe të rrënimit moral të të papëlqyeshmes, bëhet edhe një herë gjest letrar që pahetueshëm krijon moralin dhe moralitetin e veprës letrare. Kjo vërejtje mund të kuptohet si komunikim me ata që kërkojnë nga shkrimtarët t’ua thonë idetë e veta, të shpaluara, të thata, të përdorshme dhe të kontrollueshme në praktikën dhe pragmatikën shoqërore të aktualitetit. Ky proces shpeshherë në trajtën e angazhimit apo të mosangazhimit letrar ka pretendime të promovohet në kriter të vlerësimit të letërsisë.


Shkrimtarët e mirë shkruajnë vetëm letërsi dhe veprat e tyre duhet të lexohen vetëm si letërsi: me idetë dhe domethëniet.

1986


Blini online librin duke klikuar në www.librarialbas.al


(Portali Shkollor)

3,218 Lexime
6 vjet më parë