Opinion

Arsimi si diapazon, apo fasadë?

“Arsimi si diapazon, apo fasadë” nga Xheni Piroli, studente e Masterit Mësuesi e AF, sjell kontrastin mes asaj që premton kurrikula dhe realitetit në klasa. Një reflektim i ndjerë mbi sfidat e mësuesve dhe rrezikun që arsimi të mbetet vetëm një “fasadë”.

Nga Xheni Piroli,

studente e Masterit Mësuesi e AF


Në botkuptimin e tyre, konceptet si diapazon dhe fasadë mbartin një ngarkesë të brendshme që të çon drejt një alternative të ndryshme të interpretimit. Ato krijojnë një lëvizje mes asaj që duket dhe asaj që është, mes mundësisë reale dhe iluzionit të saj. Sot nuk jam për të shpjeguar këto dy terma, por duke dashur të hy në atë që sot për sot në Shqipëri pak flitet dhe diskutohet mbi ballafaqimin mes diapazonit që shtrihet e gjithë kompakti prej të cilës vjen veprimtaria dhe fasadës ku realizohet arsimi, nga e cila individët e së ardhmes dalin në hendekun për përgatitjen e tyre gjatë gjithë jetës.

Unë, si një studente e Masterit Mësuesi e AF, do doja të isha shumë pranë zërave që çdo ditë kërkojnë minimumin e plotësimeve të kërkesave të tyre, duke dashur të jenë sa më pranë vendimmarrjes së tyre profesionale. Jo vetëm për të qenë si një tjetër aplikante e këtyre problematikave që ndeshen kudo në arsimin tonë, por duke dashur të jap një evidencë nga ku çon pikërisht kjo lloj trysnie e padëshiruar që ngarkon çdo ditë edhe më shumë institucionin arsimor shqiptar.


Jo më kot theksoj shumë herë arsimin shqiptar, sepse është bërë pjesë e një karakteri, e një tipari që asimilon të gjithë përmbajtjen e tij në forma të standardizuara, duke rrezikuar të shndërrohet në një strukturë formale, ku përmbajtja përshtatet dhe uniformalizohet, por jo domosdoshmërisht reflekton nevojat reale të zhvillimit të individit.


E thënë kjo, si e bazuar nga praktikat e mia shkollore, gjendja e arsimit shqiptar sot, problemi më i madh i saj janë kushtet në të cilat gjenden mësuesit përballë kurrikulës.


Sa e rëndësishme është kurrikula kur është thjesht një mekanizëm funksioni?


Kurrikula shqiptare e arsimit fillor është projektuar për të ofruar një diapazon të gjerë mundësish, duke përfshirë zhvillimin e aftësive të shekullit XXI, kreativitetin, mendimin kritik dhe punën bashkëpunuese. Megjithatë, realiteti i zbatimit të saj paraqet sfida të shumta për mësuesit, të cilët shpesh përballen me ngarkesa të mëdha, mungesë trajnimesh të specializuara, burime të pamjaftueshme dhe infrastrukturë jo adekuate.


Ky kontrast midis prejardhjes formale të kurrikulës në dokumente dhe realitetit praktik në klasë krijon atë që mund të përshkruhet si hendek mes premtimit dhe realizimit të mësimit, duke e bërë sistemin arsimor të duket si një “fasadë”: një strukturë që duket funksionale në letër, por nuk përmbush potencialin e plotë të zhvillimit të nxënësve. Ky fenomen është i dokumentuar në literaturën ndërkombëtare dhe studimet lokale, ku shpesh evidentohet se cilësia e të nxënit nuk reflekton diapazonin e mundësive që kurrikula premton, veçanërisht në zonat rurale dhe në grupet e margjinalizuara.


Pra, sfida nuk qëndron në dizajnin e kurrikulës, por në zbatimin e saj në një kontekst praktik, ku mësuesit përballen me kufizime reale që pengojnë realizimin e plotë të diapazonit të ofruar. Kjo e vendos kontrastin midis teorisë dhe praktikës në qendër të diskutimit mbi efikasitetin e sistemit arsimor shqiptar. Shqipëria në PISA 2022, rezultatet më të fundit të cilat tregojnë treguesit e një niveli pritshmërie të ulët të kërkesave të arsimit.


Kjo e fundit tashmë përmendet si një nga faktorët më të “besueshëm”, që vërtetohet nga vetë sistemi, por edhe sa faktorë të tjerë ka që pengojnë regjimin e sistemit arsimor shqiptar.


E trishtë është ky realitet. Unë flas si një mësuese e ardhshme, nga ku do të nisë rrugëtimi im, angazhimi në të cilin do të kalojë e gjithë misioni nga ku mendohet të kalojë.


Në praktikën time profesionale, unë do të përballem me një dualitet të vazhdueshëm: nga njëra anë, pritshmëritë e një kurrikule që kërkon të zhvillojë individë të gatshëm për jetën e më pas autonomë dhe, nga ana tjetër, kushtet reale që shpesh e kufizojnë këtë zhvillim në forma minimale dhe formale.


Pikërisht këtu qëndron sfida ime thelbësore: të mos bëhem pjesë e riprodhimit të kësaj fasade, por të kërkoj mënyra për ta tejkaluar atë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

270 Lexime
9 orë më parë