Pushteti vendor

“Ata që shesin në territorin e shkollave, të zhvendosen...”

Tregtarët që shesin në territoret e shkollave të zhvendosen në tregjet e bashkisë, është shprehur kreu i bashkisë së Tiranë Erion Veliaj. Ai ndodhej pranë shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”.

“Dua t’u kërkoj me mirëkuptim të gjithë atyre që prej vitesh në mënyrë abuzuese shesin në perimetrin e shkollës “Vasil Shanto” produktet e tyre ushqimore. Ky nuk është një treg, ky është një institucion arsimor. Tregu është vetëm 50 metra larg, ku ka ende hapësira bosh. Unë e kuptoj që nuk është e këndshme asnjëherë të shikosh policët bashkiakë që mundohen të lirojnë trotuaret, por duhet të kuptoni që për sa kohë që ky qytet i ka tregjet, e ka pazarin e madh, ka disa hapësira të vogla pothuajse në çdo lagje, është shumë e rëndësishme që të shesim aty. Ju kërkoj mirëkuptim të gjithë qytetarëve, që përpara se të kalojmë histeri nëpër rrjete sociale, të kuptojmë se ka një vend ku shitet, ka një vend ku mësohet, ka një vend ku banohet, ka një vend ku ecet. Po ndjekim modelet më të mira perëndimore, ku hapësirat janë të ndara. Ndaj ju kërkoj mirëkuptim që nga perimetri i shkollës "Vasil Shanto", nga perimetri i çerdheve dhe kopshteve, nga trotuaret ku ecin qytetarët, t’i lirojmë këto hapësira pa qenë nevoja që Policia Bashkiake të kërkojë lirimin e tyre”, deklaroi Veliaj.


Krahas përmirësimit të infrastrukturës për mësimdhënie, Bashkia e Tiranës do të vijojë mbështetjen me bursa për nxënësit ekselentë. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se për këtë vit janë buxhetuar 3 mijë bursa për më të mirët. “Këtë vit kemi buxhetuar 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë. Vitin e kaluar kishim rreth 2880, një nismë që u fillua nga Edi Rama kur ishte kryetar bashkie, dhe më vjen mirë që e kemi rikthyer për nxënësit me dhjeta. Kështu që kemi planifikuar më shumë bursa këtë vit, me shpresë që do të kemi më shumë nxënës me dhjeta”, tha Veliaj.


Projekti i nisur nga Bashkia e Tiranës parashikon ndërtimin e ambienteve të reja teknike, dhomave të zhveshjes, magazinë, rikonstruksionin total të dyshemesë së palestrës, nyjet sanitare duke përfshirë edhe zëvendësimin e rrjetit të furnizimit me ujë, rrjetit të shkarkimeve, zëvendësimin e pajisjeve hidrosanitare. Gjithashtu, falë këtij investimi do të vendosen dritare dhe dyer të reja duralumini, sinjalizimet, sistemet e mbrojtjes kundër zjarrit si dhe një sistem qendror ngrohjeje. Një kujdes po i kushtohet edhe sistemimit dhe gjelbërimit të territorit të jashtëm.

4,704 Lexime
6 vjet më parë