Aktiviteti

Bashkëbisedim për librin “Engjëlli Blu” me nxënësit e shkollës “Gustav Majer”

Shkolla 9-vjeçare “Gustav Majer” organizoi në këndin javor të leximit një bashkëbisedim mes nxënësve e klasave të 4-ta dhe autores së librit “Engjëlli Blu”, Anila Kruti. Autorja ndau me lexuesit e vegjël përshtypjet e saj mbi përmbajtjen e librit.

Shkolla 9-vjeçare “Gustav Majer”,nën organizimin e grupit Donika Lici, Qemal Sejdi dhe Albina Dyli, zhvilloi  në këndin javor të leximit një bashkëbisedim mes nxënësve e klasave të 4-ta dhe autores së librit “Engjëlli Blu”, Anila Kruti. Autorja ndau me lexuesit e vegjël përshtypjet e saj mbi përmbajtjen e librit, frymëzimin, imagjinatën, mesazhin e fortë mbi autizmin dhe respektimin e të gjithë fëmijëve pa përjashtim.


Ky libër sapo ka dalë në treg dhe ka pasur vlerësime pozitive për mesazhin e madh që përcjell: të gjithë fëmijët janë të veçantë dhe të ndryshëm. Fëmijët e spektrit të autizmit janë po kaq të talentuar, sa edhe pjesa tjetër e fëmijëve. 


Libri ka në fokus sheshimin e rasteve të bullizmit dhe krijimin e një mendësie më të hapur dhe pranuese për fëmijët e spektrit të veçantë. 

Elementi më i spikatur i takimit ishin pyetjet e drejtuar nga nxënësit, të drejtpërdrejta, të detajuara dhe të thella. Autorja u gjend e rrethuar nga nxënës të përgatitur dhe të gatshëm për të mësuar mbi ngjarjet e veprës dhe protagonistin kryesor, Korin.  


Pyetja e parë drejtuar autores erdhi nga një nxënëse, e cila donte të dinte më shumë për veçoritë e fëmijëve me spektrin e autizmit, pasi në optikën e saj, nxënësja e shikonte personazhin kryesor, Korin, si një djalë normal, pra, si gjithë të tjerët. Edhe një herë, kjo tregon se fëmijë e shohin botën pa lenten e paragjykimit, sikurse të rriturit. 


Autorja Anila Kruti u rrethua nga një vërshim pyetjesh, mbi personazhin kryesor dhe bëmat e tij në vepër. Nxënësit kërkonin të mësonin më shumë mbi personazhet e kafshëve, ku dhe shprehën empatinë ndaj tyre. Nxënësit shprehën dëshirën edhe për një vazhdim të historisë së Korit, duke propozuar skenarë të aventurave të reja dhe duke emocionuar kështu edhe vetë autoren. 

Autorja e librit "Engjëlli blu", Anila Kruti 

Qëllimi i librave si “Engjëlli Blu” tejçojnë mesazhe të forta dhe të bukura për fëmijët. Ilustrimet me ngjyra dhe detaje kanë për qëllim krijimin e një ekuilibri mes mendjes dhe zemrës. Misioni i shtëpisë botuese “Albas” mbetet sigurimi i dijes për brezat e rinj, përmes metodave bashkëkohore. Me këtë libër, “Albasi” ka sjellë një qasje të re të dukurisë së bullizmit dhe vështirësive që has një fëmijë i spektrit të autizmit. Ilustrimet e librit janë mjaft të këndshme dhe pasqyrojnë botën e brendshme të fëmijëve, njëkohësisht i edukojnë ata mbi dallimet tona si qenie njerëzore.

Këndi i leximit zgjati plot një orë, ndonëse me ekzaltimin e nxënësve mund të zgjatej edhe shumë orë të tjera.  Aktivitetet me në fokus dashurinë mbi leximin janë hapësira ideale për kultivimin e brezave të ardhshëm.


Edhe pse një libër me aventura fantastike, ky libër është i bazuar në një histori të vërtetë!


Përgatiti: Xhoana Jaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,741 Lexime
1 vit më parë