Bedri Dedja, gjithmonë për brezat e së ardhmes – aktivitet letrar

Në 95-vjetorin e lindjes së Bedri Dedjes, në Durrës u zhvillua një aktivitet letrar ku morën pjesë vajza e shkrimtarit, nipi i tij, redaktoret e veprave, si edhe nxënës e mësues. Ata rikujtuan vlerën e krijimtarisë së tij, si një ndër autorët klasikë më të dashur për fëmijë.

Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 


Biblioteka Publike Durrës, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve dhe Shtëpinë Botuese “Albas”, organizuan një aktivitet të posaçëm letrar kushtuar një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare për fëmijë, shkrimtarit, psikologut dhe akademikut Bedri Dedja, në 95-vjetorin e lindjes së tij. 


Takimi u moderua nga Elmira Kamberi, punonjëse e Bibliotekës Publike Durrës, e cila së bashku me vajzën e shkrimtarit, Edlira Dedja, dhe redaktoret e kolanës së ribotimeve të Dedjes, Artemisa Bushi dhe Sevi Lami, sollën në vëmendje jetën, krijimtarinë dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit në formësimin e letërsisë për fëmijë në Shqipëri. 


Shtëpia Botuese “Albas” ka risjellë deri tani rreth 20 vepra të Bedri Dedjes, të përshtatura me një frymë bashkëkohore për lexuesit e moshës 5–13 vjeç. Këto botime klasifikohen si “letërsi klasike shqiptare për fëmijë”, duke dëshmuar vlerën e tyre të qëndrueshme në kohë.

Aktivitetin e nderonte me praninë e tij edhe nipi i shkrimtarit, i cili shpeshherë është bërë edhe personazh i librave të Dedjes. Të pranishëm gjithashtu në këtë aktivitet të rëndësishëm ishin edhe nxënës e mësues të shkollave jopublike “Talenti” dhe “Ibrahim Kodra”, klubet e leximit të të cilave sollën analiza letrare që i kishin përgatitur pas leximit të disa prej veprave të Bedri Dedjes.  

Gjatë hapjes së aktivitetit përkujtimor, u vu në qendër të vëmendjes kontributi i jashtëzakonshëm i shkrimtarit Bedri Dedja në kulturën dhe edukimin shqiptar.


Në këtë kuadër, Elmira Kamberi theksoi:“Qëllimi i këtij aktiviteti nuk është thjesht të bërit nderime figurës së shkrimtarit Bedri Dedja dhe as thjesht promovimi i romanit ‘Djemtë e luftës’. Ne synojmë qasjen e fëmijëve dhe të rinjve drejt romanit historik dhe biografik, si shprehje e kujtesës sonë kolektive, që përgjithësisht refuzohet prej tyre, sepse u duket i largët, joargëtues etj. Dhe, jo pa arsye!”


Në fjalën e saj Edlira Dedja ndau me të pranishmit një portret të ndjerë të të atit, duke e prezantuar jo vetëm si shkrimtar, por edhe si njeri që e vlerësonte fëmijën mbi gjithçka. Ajo kujtoi se Dedja kishte një lidhje të veçantë me qytetin e Durrësit, ku kaloi fëmijërinë, lidhje që gjen jehonë edhe në romanin e tij “Djemtë e luftës”.

“Bedri Dedja i ka parë e vlerësuar gjithmonë fëmijët si prioritetin më të rëndësishëm të shoqërisë, ashtu siç mund t’i shohë vetëm një baba i mirë. Si psikolog e pedagog i rrallë, ai ka ditur t’u flasë atyre me gjuhën e moshës, duke i drejtuar me mjeshtëri drejt vetëndërgjegjësimit. Nga ana tjetër, Bedri Dedja ka kërkuar gjithmonë ta kthejë vëmendjen e shkencave shqiptare për edukimin në stadet më të hershme të zhvillimit të fëmijës. Ai shkruante se ‘për fëmijët dhe mbi fëmijët duhet shkruar çdo ditë, duke njohur të fshehtat e asaj bote psikologjike fëmijërore që është mijëra herë më interesante dhe më tërheqëse se sistemet diellore dhe konstelacionet’. Përralla, thoshte ai, është ‘shkolla’, ‘auditori’, ‘universiteti i parë’, në të cilin foshnja merr arsim dhe edukatë, kalitet në nuhatjen morale etj. Përralla i jep formë të menduarit dhe arsyetimit dialektik të fëmijës, gjallëron të folurit e tij. Dhe ashtu si përralla, ndikon e gjithë letërsia që ndihmon në zhvillimin e të menduarit dhe të të folurit, duke çuar përpara dy ndër treguesit kryesorë të zhvillimit të intelektit. Prandaj, librat e Bedri Dedjes mund të konsiderohen pa frikë si harta të të gjitha ndjesive që fëmijët, e bashkë me ta edhe te rriturit, duhet t’i njohin, që të kuptojnë sa më mirë veten dhe botën që i rrethon. Nuk mund të rri pa përmendur këtu, se Bedri Dedja ka pasur gjithnjë një lidhje të veçantë afektive me qytetin e Durrësit, ku ka kaluar edhe fëmijërinë e tij. E këtyre lidhjeve të ngushta ai u ka dhënë jetë edhe në një nga veprat e tij , në romanin ‘Djemtë e luftës’. Me ketë mbrëmje të bukur artistike letrare, me fjalën dhe performancën e tyre, fëmijët e Durrësit i bënë dhuratën më të bukur shkrimtarit Bedri Dedja në këtë përvjetor të lindjes”. 



Redaktorja Artemisa Bushi theksoi se krijimtaria e shkrimtarit Bedri Dedja edhe sot mbetet bashkëkohore, duke sjellë mesazhe të vyera për brezin që po rritet dhe ata që do të vijnë. Ajo vijoi duke na kujtuar se gjatë ditëve të panairit, këtyre botimeve nuk u ishin afruar vetëm lexuesit e vegjël, por edhe prindërit e tyre, të cilët kujtojnë me nostalgji kur këta libra i kanë lexuar në botimet e tyre të mëparshme. 



“Para pak ditësh përfundoi Panairi i 28-të i Librit, që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në stendën ku renditeshin librat e Bedri Dedjes, ndalonin jo vetëm mjaft fëmijë, por edhe mjaft prindër që thoshin se ‘ne jemi rritur me librat e të madhit B. Dedja’. Pra janë libra që janë lexuar nga prindërit tanë, janë lexuar nga ne dhe po vazhdojnë të lexohen nga ju. Janë libra që po kalojnë në duar të brezave të ndryshëm, ndaj edhe u shkon mjaft për shtat klasifikimi ‘letërsi klasike shqiptare për fëmijë’. Si redaktore e disa prej titujve, dua të cek shkurtimisht tri pika që përbëjnë boshtin e këtyre botimeve. - Thuajse të gjitha ngjarjet që rrëfehen, janë të vërteta, por patjetër të veshura me petk artistik e figurativ dhe që përcjellin mesazhe të forta, aktuale edhe në ditët e sotme (pavarësisht kohës kur janë shkruar). Pra janë libra artistikë edukativë. - Personazhet janë apo veprojnë thuajse në të gjithë territorin e vendit. Autori i zhvendos ngjarjet deri në zonat më të thella, në Veri e në Jug. Madje ai do të gjejë një arsye në rrëfimin e tij, që t’i dërgojë edhe përtej kufijve, në Kosovë. Dhe kjo është karakteristikë e veçantë e këtyre librave (që nuk e gjejmë në botimet e tjera për fëmijë). - Spikat arti i fjalës, që përgjatë faqeve të librave të bashkëshoqëron jo vetëm në përshkrimet e natyrës shqiptare, por edhe të botës së brendshme të vet personazheve. Po përmend këtu përshkrimet e detajuara në librin ‘Nëpër korridoret e thella të Jonit’, ku (gjatë punës me librin) kam imagjinuar gjithë bukuritë natyrore. Udhëtova me personazhet nëpër gjithë ato bukuri, kaq e pasur dhe mbresëlënëse është gjuha dhe figuracioni i përdorur nga autori. Citoj nga autori një këshillë për fëmijët: ‘Të mos harrojmë se gati çdo libër hap përpara teje një dritare për një botë të re e të panjohur. Duhet t’i përdorim sa më mirë këto dritare, që të mos mbetet asgjë e panjohur për ne’. Dhe me veprat që u ka lënë fëmijëve, një trashëgimi e vërtetë dijeje, ai ia ka arritur më së miri këtij qëllimi”, - tha redaktorja Artemisa Bushi.



Ndërsa redaktorja Sevi Lami, përgëzoi nxënësit për paraqitjen e tyre të denjë në këtë takim kujtese, duke falënderuar edhe mësuesit për punën që kanë bërë me ta. Ajo e cilësoi Dedjen si një nga shkrimtarët më përfaqësues të letërsisë sonë klasike për fëmijë. Lami theksoi se brezat e sotëm vazhdojnë të lidhen me personazhet e Dedjes, ashtu si dikur, gjetje që e bëjnë krijimtarinë e tij të qëndrueshme dhe të dashur.

 “Ashtu siç kanë vendet e tjera të botës shkrimtarët e tyre të famshëm, si Selma Lagerlöf, Rudyard Kipling etj., ashtu edhe në letërsinë tonë për fëmijë kemi Bedri Deden. Veprat e tij lexohen me ëndje edhe sot për shkak të mesazhit dhe aktualitetit që përcjellin. E vërteta e veprave të tij është se ai nuk bën moral fëmijëve për çapkënllëqet dhe bëmat e tyre, por, përkundrazi, i trajton ato me shumë dashamirësi si pjesë e botës së fëmijëve. Unë jam shumë e lumtur sot që këto vepra, të cilat brezi im i ka lexuar me ëndje të madhe, po lexohen me kënaqësi edhe nga fëmijët e ditëve të sotme, falë kolanës së Dedjes të sjellë nga Albas, ashtu siç i lexonin brezat e dikurshëm kur krijonte Dedja. Ai bën pjesë te shkrimtarët e letërsisë klasike shqiptare për fëmijë, për shkak të mesazheve dhe tematikave që përcjell duke qenë aktual edhe sot. Përgëzime edhe për punën e mësuesve për t’i afruar nxënësit me librat e për t’i njohur ata me shkrimtar si Bedri Dedja. Personazhet e librave të tij janë fëmijët, jeni ju që jeni të pranishëm, me bëmat dhe botën tuaj, siç është edhe Soeli, stërnipi i Bedri Dedjes, personazh i librave të tij gjithashtu”, tha redaktorja Sevi Lami.


Një mbrëmje arti, kujtese dhe frymëzimi


Takimi u pasurua edhe me intermexo muzikore nga grupi i QKF-së Durrës, që i dhanë aktivitetit një atmosferë të ngrohtë, fëmijërore dhe artistike. Ky aktivitet letrar, jo vetëm nderoi figurën e Bedri Dedjes, por edhe solli njëherësh një mesazh të fortë për rëndësinë e letërsisë në jetën e fëmijëve. Krijimtaria e tij vazhdon të jetojë në breza, duke mbetur një pasuri e çmuar e kulturës sonë kombëtare. Në mbyllje, mbizotëroi bindja se vepra e Bedri Dedjes është e atillë që nuk i përket vetëm së shkuarës, ajo është një thesar i gjallë që vazhdon të edukojë, të frymëzojë dhe të formësojë brezat e sotëm dhe të ardhshëm.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

104 Lexime
2 orë më parë