RAST FRYMËZIMI

Besnik Bedollari: Kilometra të tërë në këmbë në emër të mësimdhënies

Një mësues i veçantë, i apasionuar pas mësimdhënies, përcjell mesazhe të fuqishme për mësuesit e tjerë dhe mbi të gjitha për gjithë brezin e ri, duke na treguar se gjërat që bëhen me dashuri të madhe janë gjithnjë të sukseshme.

Mësuesit përballen me sfida të ndryshme. Një ndër to është largësia. Zona mjaft të thella, në të cilat transporti përmes një mjeti është gati i pamundur. Një ndër të shumtët është Besnik Bedollari, mësuesi nga Korça, i cili përmes modestisë dhe profesionalizmit që e karakterizon, tregon një dashuri të madhe për këtë profesion, aq sa sfidat që ndërmerr janë të panumërta. 


Një mësues i veçantë, i apasionuar pas mësimdhënies, përcjell mesazhe të fuqishme për mësuesit e tjerë dhe mbi të gjitha për gjithë brezin e ri, duke na treguar se gjërat që bëhen me dashuri të madhe janë gjithnjë të sukseshme.


Mësuesi dhe drejtuesi Besnik Bedollari ka lindur në fshatin Dolanec dhe studimet e larta i ka kryer në Elbasan. Për 14 vite ka sakrifikuar si mësues në shkollën e Mesmalit. I duhej të përshkonte 20 kilometra rrugë vajtje- ardhje në këmbë çdo ditë pune. Po këtë distancë rruge të lodhshme, mësuesi e përballon edhe prej vitit 2011 që është trasferuar në shkollën e Lozhanit të ri.


Peripecitë e zonave malore janë të shumta. Duke nisur që nga terreni jashtëzakonisht i vështirë, vera e nxehtë, shirat e vjeshtës, përrenjtë që dalin nga shtrati, dimri i egër, urat e kalbura, etj. Por, ajo që e motivon çdo ditë, është dëshira për të përcjellë dije dhe një mesazh të fuqishëm për shoqërinë e sotme. Edukata e punës, e kultivuar dhe rrënjosur ndër vite është bërë gjeneratori kryesor i punës së përditshme. 


Mësimdhënësi kujton mjaft momente të vështira. Një ndër to është rënia në lum, ku i është dashur të gjejë forcë për të shpëtuar veten. Përballja me kafshë të egra ka qenë gjithashtu moment mjaft sfidues për të. Por, sot drejtuesi i Shkollës së Mesme të Bashkuar ndihet krenar dhe mes githë këtyre sakrificave ka gjetur kohë për pasionin e hershëm, që është të shkruarit. 


Me figurën prej një ‘humanisti’ të pashembullt, ka krijuar figurën e arsimtarit ku ndërthuren elementët më të mirë: dija, përvoja, eksperienca, durimi, guximi, vullneti, dëshira, pasioni, profesionalizmi për të tejkaluar çdo lloj vështirësie dhe pamundësie. Këta janë heronjtë e vërtetë të kohërave moderne.



(P. Shtini; Portali Shkollor)

3,668 Lexime
4 vjet më parë