Projekt

"Bota është e vogël, por të madhe e bëjnë problemet"

Është e dhimbshme të mendosh që ne si qënie njerëzore dënojmë njeri-tjetrin për mënyrën se si duhet të besojmë në zot. Po ku e dimë ne se kush është mënyra më e mirë për të besuar në Zot?

Kam  zgjedhur si temë projekti veprën e Volterit “Traktat mbi tolerancën” duke prekur çështjen e fesë dhe të tolerancës fetare. Zgjodha pikërisht këtë temë për faktin se është shumë aktuale për ditët e sotme, feja si një problem botëror. Gjithashtu edhe që Volteri ka qenë i pari i cili ka përdorur termin filozofi e historisë, gjë e cila nënkupton një histori kritike ose shkencore. Në ditët e sotme historia është bërë objekt i rëndësishëm i refleksionit filozofik.


Në vepër flitet për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1762 në Francë. Një temë historike dhe filozofike njëkohësisht. Një histori e ndodhur shumë vite më parë e cila nuk ka të bëjë vetëm me reflektimin ndaj mendimit historik, por edhe me vlerësimin e ngjarjeve që ndodhin se cila ishte e mirë dhe cila ishte e keqe.


Gjithashtu në pikpamjet filozofike historia shërben për vetënjohjen e njeriut. Me vetënjohje nuk flasim për cilësitë e veçanta të njeriut, por për natyrën e njeriut, çfarë është i aftë ai të bëjë dhe çfarë ka bërë ai më parë. Gjithashtu filozofia nënkupton një mendim të pavarur dhe kritik. Dhe s’ka gjë më të mirë kur ndërthuret filozofia me historinë dhe anasjelltas.


E tillë është edhe ngjarja e trajtuar nga Volteri. Ngjarje ku ndërthuren raporti mes fesë dhe individit. Zhan Kalasi, një tregtar protestant i cili akuzohet për vrasjen e djalit të tij. Akuzohet pa qenë fajtor dhe këtë akuzë e merr vetëm për faktin se ai donte të ndryshonte besimin fetar. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe, Kalasi nuk e kishte bërë një krim të tillë, sepse i biri kishte bërë vetëvrasje.


Ama vetë fakti që Kalasi donte të ndryshonte besimin fetar e bëri atë që shteti, më saktë gjykata ta quante fajtor dhe ta dënonte me burgim të përjetshëm. Vallë a mund të dënohet një njeri me dënimin më maksimal për vetë faktin se donte të ndryshonte fe? Ta torturosh atë deri në atë pikë sa të pranojë një krim që nuk e ka bërë? Është me të vërtetë një veprim i urryeshëm.


Toleranca dhe harmonia fetare nuk i ka bërë keq askujt është mostoleranca ajo që ka shkaktuar këtë mënxyrë në të cilën jemi të gjithë bashkëjetues. Të gjithë kanë të drejtën e tyre të zgjedhin se në cilën fe do të besojnë dhe s’ka asgjë të keqe në këtë pikë që e gjithë bota të vuajë, të përjetojë një kasaphane të vërtetë dhe “akitektët” e kësaj kasaphane jemi përsëri ne.

“Atje ku rreziku mbart edhe anë të mira, frika davaritet dhe mëshira fashitet. Por, kur një baba i pafajshëm bëhet pre e gabimit, pasionit, apo fanatizmit; kur i akuzuari ka për mbrojtje vetëm virtytin; kur nëse dënojnë dikë, gjykatësit e fatit të tij ia hedhin pa u lagur dhe ky dënim quhet thjesht një gabim; kur ia shkojnë kokën në satër dikujt, por nuk u hyn gjëmb në këmbë, atëherë zëri i popullit çan qiejt, gjithkush kërkon të ruajë kokën, duket që askush nuk është i sigurtë para një gjykate të ngritur për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe të gjithë zërat së bashku thërrasin për të kërkuar shpagim. Në këtë mesele të çuditshme, bëhej fjalë për fe, vetëvrasje dhe atë vrasje (pjesë kjo e thënë nga Volteri, në vepër).


Është e dhimbshme të mendosh që ne si qënie njerëzore dënojmë njeri-tjetrin për mënyrën se si duhet të besojmë në zot. Po ku e dimë ne se kush është mënyra më e mirë për të besuar në Zot? Secili nga ne ka të drejtën e tij të zgjedhë rrugën e besimit fetar.
Nëse do të ishte një mënyrë e vetme për të besuar në Zot atëherë pse do të kishte disa lloje besimesh fetare? Njerëzit janë të ndryshëm dhe nuk bashkohen të gjithë në një pikë në ide apo preferenca.


Pra dhe në këtë pikë nuk kanë pse të imponohen dhe të mos kenë tolerancë fetare. Zgjedhja e besimit fetar mund të ishte e fundit për të qenë problem për njerëzimin, porfatkeqsisht ajo është e para.


Kjo ngjarje e shkruar nga Volteri është kthyer në himn për atë kohë dhe për ditët e sotme. Më shumë se dy shekuj, libri i Volterit vazhdon t’i flasë kohës dhe shoqërisë së sotme, duke apeluar mbi rëndësinë e tolerancës fetare. Duket sikur Volter e parashikon të ardhmen, atë çfarë po ndodh sot në emër të fesë, trazirat në Lindjen e Mesme, apo vrasjet në emër të grupeve të ISIS. Një botë e tërë që i trembet disa grupeve njerëzish që ndoshta mund të jenë të pa fe, por arma e tyre është feja, njerëz që sipas tyre nuk i përkasin një besimi të caktuar fetar (në rastin e ISIS, myslimanizmit) vriten në mënyrën më të tmerrshme. Sa keq që bota sot ka shkuar në një rrymë më të keqe se ajo e para shumë viteve në rastin e Kalasë.


Në paragrafin e parë të librit ai shkruan se: “kjo është jo vetëm një ‘nga ngjarjet më të pazakonta që meritojnë vëmendjen e brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm’, por edhe një mësim i mirë që duhet të nxjerrin të gjitha kombet e shoqëritë e sotme”.
“Kudo ku ka shoqëri - shkruan Volteri - nevojitet edhe feja. Ligjet merren me krimet që dalin sheshit, feja me ato të fshehtat”, por skepticizmi i tij është i hapur kur shtjellon injorancën që lindin besëtytnitë.


“… ky rruzull i vogël, që s’është veçse një pikë-
shkruan Volter - rrotullohet në hapësirë ashtu si shumë rruzuj të tjerë. Jemi të humbur në këtë pafundësi. Njeriu, as dy metra i gjatë, është një asgjë në krahasim me gjithësinë.”


“Traktat mbi tolerancën”, na mëson se sa më të kulturuar e të arsimuar të jenë njerëzit, aq më të lirë e të çliruar janë nga dogmat e botëkuptimet që u kufizojnë lirinë, aq më e largët do jetë  fryma armiqësore e moskuptimit. “Traktat mbi tolerancën” për mua është një vepër shumë aktuale dhe unë e shoh më shumë si një manual mësimi për shoqërinë botërore.


Është një vepër ku ndërthuret filozofia dhe historia. Të filozofish do të thotë të njohësh të panjohurën, në rastin e romanit e panjohura është qënia njerëzore. Kush jemi në të vërtet ne dhe çfarë duhet të bejmë ne, a duhet të ndikohemi nga të tjerët për zgjedhjet tona? Liria është e jona apo ne jemi të varur nga të tjerët? Dhe kjo filozofi lidhet aq mirë me ngjarjet historike, ngjarje që janë aktuale për sot dhe që përsëri të bëjnë të filozofosh.


Zgjodha të trajtoja këtë temë sepse bota sot ka me qindra probleme që vuajnë njerëzit. Por më e dhimbshme është se çështjet shqetësuese që ka pasur njerëzimi ndërvite mbeten aktuale dhe sot, siç është mostoleranca fetare në rastin e Volterit. Duhet të jemi njerëz tolerant sepse toleranca është për ne dhe për botën, askush nuk mund të jetë diktator i jetës së tjetrit, në këtë rast diktator i tjetrit në zgjedhjen e besimit fetar. Bota është e vogël, por të madhe e bëjnë problemet e shumta që vetë njerëzit i shfaqin. Mostoleranca fetare është përhapur në botë si një virus që ende nuk i është gjetur ilaçi. Por ilaçi i këtij virusi është vetë njërëzimi pasi çdo gjë varet nga ne.


Njerëzimi është bota, bota ka historinë, por nuk do të kishte as botë dhe as histori nëse nuk ka njerëzim që ka mendje filozofike. Por jo të gjithë mendojnë filozofikisht.
Nëse çdo njeri do mendonte sado pak në mënyrë filozofike atëherë bota nuk do kishte këtë histori të hidhur.


(Nga: Ilda Vatoci, studente; Portali Shkollor)

5,462 Lexime
7 vjet më parë