Reflektim

Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit

Duke dëgjuar ngjarje tronditëse nga më të ndryshmet, mund të them se letërsia si lëndë kryesore në shkollë është element i mirëfilltë jetik i ekzistencës së sjelljeve njerëzore. Leximi dhe bisedat letrare ndihmojnë në formimin e kulturës së nxënësve dhe përvetësimin e ndjenjave njerëzore dhe shijeve estetike.

Duke dëgjuar ngjarje tronditëse nga më të ndryshmet, mund të them se letërsia si lëndë kryesore në shkollë ashtu si edhe gjuha është element i mirëfilltë jetik i ekzistencës së sjelljeve të bukura njerëzore.


Përdorimi i drejtë i gjuhës është detyrë për të gjithë mësimdhënësit në të gjitha lëndët mësimore, por duke mos u zgjatur shumë në këtë synim të përditshëm dua të theksoj ndikimin e letërsisë në formimin e karakterit të nxënësve.


Kur gjatë orëve të analizës letrare zbërthehen figurat letrare dhe domethënia e tyre, analizohen personazhet dhe karakteret e tyre, diskutohen mesazhet që veprat përcjellin arrihet një elokuencë në të folurit e nxënësve dhe një ndikim i drejtpërdrejtë tek ata.


Leximi dhe bisedat letrare ndihmojnë në formimin e kulturës estetike të nxënësve dhe përvetësimin e ndjenjave njerëzore dhe shijeve estetike. Këto biseda letrare rreth veprave që diskutohen ndihmojnë në vlerësimin kritik të nxënësve për tipet letrare.


Duke bërë analizën e ngjarjeve në vepra të ndryshme letrare mësuesi së bashku me nxënësit evidenton vlerat morale të njeriut dhe durimi në çdo sfidë të jetës dhe ndikimin në parandalimin e ngjarjeve tragjike.


Me anën e analizës së tekstit poetik merr udhë fantazia e nxënësve ndërsa me anën e analizës së romaneve , novelave dhe tregimeve marrin udhë sugjerimet për përvojat jetësore në analogji me ngjarje dhe dukuri në periudha të ndryshme historike dhe letrare.


Aftësia letrare-artistike ndikon shumë në kompleksitetet jetësore për të folur bindshëm dhe rrjedhshëm në çdo situatë dhe në çdo grup shoqëror dhe për të zgjidhur dhe vlerësuar me qetësi mosmarrëveshje jetësore si në familje ashtu edhe në shoqëri.


Ne mësuesve të gjuhës dhe letërsisë na del si detyrë t’u kushtojmë shumë rëndësi këtyre lëndëve sidomos eseve letrare pasi zhvillohet biseda letrare rreth veprës.


Nëpërmjet këtyre eseve nxënësit japin opinione për dukurinë letrare dhe tipin letrar që studiohet duke formuluar temën në përzgjedhjen e disave që nxënësit i prezantojnë në përshtatje me aktualitetin. Këto ese me shkrim përsosin kulturën gjuhësore të nxënësve dhe duke i prezantuar para klasës përsosin të folurit sipas normës standarde të shqipes së sotme.




Bukurie A Hajdarmataj

Mësuese e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë në AML, shkolla e Mesme e Bashkuar “Hoxhë Zogu” Zogaj.


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,361 Lexime
3 muaj më parë