INTERVISTË

Bukurie Hajdarmataj: Filozofia ime e mësimdhënies vërtitet rreth dashurisë njerëzore

Bukurie Hajdarmataj është mësuesja që gjithë jetën ia ka dedikuar arsimit, veçanërisht Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Karakteri edukativ, dashuria, si një forcë hyjnore dhe metoda induktive e të nxënit janë pikat e forta të punës së saj.

Bukurie Hajdermataj është mësuesja që gjithë jetën ia ka dedikuar arsimit, veçanërisht Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Karakteri edukativ, dashuria, si një forcë hyjnore dhe metoda induktive e të nxënit janë pikat e forta të punës së saj. Megjithëse shkolla ku punon, “Hoxhë Zogu”, është 50 km larg qendrës së Bajram Currit, ajo flet për një institucion model, që ka edukuar nxënës të shkëlqyer. 



Ju jeni mësuese prej vitesh dhe gjithë jetën tuaj ia keni dedikuar arsimit. Sa ju ka dhënë ky profesion dhe sa i keni dhënë ju atij? Si e konsideroni këtë raport?


Po, kam pothuajse një jetë që ua kushtoj librave, mësimit, nxënësve. Ky profesion më ka dhënë shumë. Së pari kam realizuar ëndrrën time si mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë, lëndë të cilat gjithë jetën i kam dashur dhe së dyti këtë profesion e kam mision të jetës sime, që të bëj më të mirën për nxënësin, ta njoh dhe ta plotësoj atë me maturi dhe përshtatshmëri. Përpiqem të njoh temperamentin e secilit duke u bërë edhe vetë nxënëse e përjetshme. A ka më mirë se të ndihesh e re midis të rinjve me dëshirë për të nxënë?



Nëse mund ta përmblidhni shkurtimisht filozofinë tuaj të mësimdhënies, cila është ajo?


Kam vlerësuar gjithmonë nxënësit dhe njohuritë e tyre. Gradualisht gjatë orëve mësimore i kam ndihmuar për të arritur nocionin e vërtetë. Gjatë këtij raporti mësues-nxënës kam mësuar se kënaqësia më e madhe është kur i shijon sukseset e tyre në aktivitete, provime kombëtare dhe zgjedhjet e tyre në profesion, por edhe mërzitesh për zhgënjmet, mossuksesin e tyre apo sfidat e jetës që do të thotë gjeneratat e nxënësve që kalojnë hyjnë në radhë me fëmijët tuaj.


Filozofia ime e mësimdhënies që shpesh ua përsëris edhe nxënësve të mi është se njeriu është vëlla i gjithë njerëzve dhe dashuria njerëzore është fuqi hyjnore. Kjo mbështetet te mësuesi i madh Pestaloci, ndërsa metodat kryesore që kam përdorur gjatë mësimdhënies janë ato të filozofit të madh Sokratit; metoda induktive dhe metoda e majeutikës, që do të thotë se nxënësve nuk u jap gjithçka të gatshme, por nëpërmjet pyetjeve, duke rikujtuar ato që dinë, duke i futur në mendime për ato që nuk i dinë dhe kështu kemi arritur së bashku në nocionin themelor me shembuj që t'i mbajnë mend përgjithmonë. Unë i vë shumë rëndësi karakterit edukativ të mësimit, sidomos atij moral dhe social.



Shkolla ku jepni mësim është një shkollë periferike, ku mbase infrastruktura, kushtet, gjendja ekonomike e fëmijëve, mjetet nuk janë të njejta si në shkollat e kryeqytetit, megjithatë ju njiheni si një mësuese energjike, plot pasion dhe dashuri për nxënësit tuaj. A mendoni se këto janë arsye të mjaftueshme për t’i penguar fëmijët që nuk vijnë nga qendrat, apo shkollat me emër? 


E vërtetë, shkolla ime është në periferi, por falë drejtorisë së shkollës dhe mirëmenaxhimit të punëve në shkollë, trajnimeve të brendshme nga drejtori për legjislacionin e Arsimit Parauniversitar, trajnimeve të brendshme me grupet lëndore, me ndihmën e komunitetit, me angazhimin e Qeverisë së nxënësve, të cilët marrin përsipër aktivitete edukative në shkollë, ne kemi përcjellë gjenerata nxënësish, të cilët kanë kryer Arsimin Universitar dhe Pasunivesitar në drejtime të ndryshme. Nga shkolla jonë kanë dalë  inxhinierë, juristë, financierë, mjekë, infermierë, mësues, etj. Pra, kemi nxënës arsimdashës dhe për 31 vite punë nuk kemi pasur raste të padisiplinuara siç dëgjoj për shkolla të tjera në media.



A janë këto shembuj suksesi një arsye e fortë për të mos hequr dorë nga ky profesion plot sfida dhe vështirësi?


Arsyeja më e madhe për të mos hequr dorë nga ky profesion është dēshira për të dhënë më shumë për brezat. E dua këtë profesion sepse i dua fëmijët. Ndjej kënaqësi kur shoh fytyrat e qeshura të tyre dhe pasionin për dije.



Si e komentoni situatën: pandeminë, dritaret e hapura në një mot të ftohtë, mësimin me turne, mësimin në distancë, maska si aksesor i pandashëm?


Kjo situatë që po kalojmë me maskën aksesor dhe dritaret hapur është shumë më e mirë se mësimi online. Nxënësit po i ndjekin rregullat dhe janë më të kënaqur që vijnë në shkollë, të paktën kështu janë shprehur, me gjithë vështirësitë e orareve.



Për të gjithë ata të rinj të cilët po presin për një vend pune në arsim, nga eksperienca juaj: Çfarë i pret dhe pse nuk duhet të dorëzohen asnjëherë?


Për të gjithë ata të rinj, që po presin një vend pune në arsim shpresoj që ta kenë zgjedhur vetë këtë profesion. Hebarti ka thënë se nëse mësuesi nuk është artist i profesionit të tij nuk ka pse të vazhdojë më tej, sepse ky shekull që po punojmë ne është shekulli i fëmijës dhe mësimi duhet t'i shërbejë fëmijës. Dhe e fundit është se ai/ajo që zgjedh këtë profesion duhet t'i dojë fëmijët dhe të mësojë si fëmijët gjatë gjithë jetës.




Intervistoi Parajsa Shtini

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,663 Lexime
3 vjet më parë